Kuptimi dhe dimensionet e Sadekatul-Fitrit

868

Islami i kushton shumë rëndësi shënimit të fillimit të Shpalljes. I gjithë muaji ramazan i kushtohet kësaj ngjarje.

Për këtë arsye, ajo ka shumë forma të ibadetit siç janë agjërimi gjatë ditës, teravia dhe nafilet gjatë natës, leximi i Kuranit të shenjtë, si dhe Nata e Kadrit. Secili nga ne, përpiqet vazhdimisht të kuptojë domethënien dhe rëndësinë e tij, dhe ne gjithmonë zbulojmë diçka të re dhe tërheqëse.

Ky tekst është një përpjekje modeste, për të hedhur dritë në një aspekt që e bën këtë muaj të veçantë.

Përkatësisht, do të bëjmë fjalë për sadekatul-fitrin, i cili jepet në ushqim ose para, sasia e të cilit është e mjaftueshme për ushqim njëditor. Koha e dhënies, zakonisht është e lidhur me fundin e agjërimit të ramazanit dhe fillimin e bajramit, por mund të jepet edhe më herët. Meqenëse sadekatul-fitri është në ramazan, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta ndajmë nga konteksti i ramazanit. Përkundrazi, ai duhet të shihet, të kuptohet dhe përjetohet si pjesë e asaj tërësie. Prandaj, ai e fiton vlerën e tij, vetëm në grupin e përmbajtjeve të tjera fetare të ramazanit.

Dhe si ndodh kjo?

Ramazani i bekuar është, mbi të gjitha, begati nga Allahu dhe një mundësi e artë për çdo burrë dhe grua muslimane, që ta rinovojnë besimin e tyre. Ramazani është kohë e rehabilitimit të brendshëm dhe forcimit shpirtëror, i të gjitha të mirave në shpirtin e njeriut, si dhe i dobësimit dhe eliminimit të të gjitha të këqijave. Në këtë kuptim, agjërimi dhe namazi, si dy sharte dhe farze islame luajnë rol kryesor. Agjërimi p.sh. i frenon dëshirat e ulëta të njeriut dhe epshet e shpirtit, e ngrit atë në një vetëdije të lartë dhe e lidh me më të bukurin, më të madhin dhe më të fuqishmin, dmth. me Allahun e Madhërishëm. Vazhdimësia në abstenimin e përditshëm nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime për një muaj rresht, e ruan këtë status të lartë dhe e mëson dhe edukon besimtarin në frymën e gjithçkaje që është e mirë dhe e bukur. Shpirtin e tillë, e merr edhe namazi, e afron me Zotin, dhe e ngrit në shkallën më të lartë të përsosmërisë njerëzore.

Leximi i vazhdueshëm i Kuranit e ndriçon mendjen dhe shpirtin, ndërsa kërkimi i Natës së Kadrit e simbolizon kërkimin e momentit të përsosmërisë, kur vjen deri te bashkimi i qiellores me tokësoren, përkatësisht, i njerëzores me hyjnoren, i cili bashkim është paraqitur aq bukur në takimin e melekut të madh Xhibrilit me pejgamberin Muhamed (a.s.). Për tu arritur një nivel kaq perfekt i besimit dhe bindjes ndaj Allahut të Madhërishëm, dhe në mënyrë që vetëdija për Krijuesin të ngulitet tek njeriu dhe të pasqyrohet në planin e tij moral dhe shoqëror, agjërimi dhe namazi duhet të kryhen në mënyrën më të mirë të mundshme, gati pa gabime. Natyrisht, aftësitë njerëzore këtë nuk e lejojnë, por për ta arritur këtë, njeriu përsëri ka nevojë për ndihmën e Allahut. Kjo ndihmë vjen në formën e sadekatul-fitrit, sepse ai e përsos p.sh. agjërimin duke e neutralizuar ndikimin eventual të fjalëve të shëmtuara, të cilat e prishin agjërimin dhe e dëmtojnë namazin. Që do të thotë, se përsosmëria që besimtari nuk mund ta arrinte vetëm me agjërim dhe namaz, mund të arrihet me ndihmën e sadekatul-fitrit, i cili, si çdo gjë tjetër, është ndihmë dhe dhuratë e Allahut.

Për më tepër, besimtari gëzimin e tij të brendshëm për realizimin e afërsisë me Allahun dhe kënaqësinë e tij të madhe për kryerjen e suksesshme të dispozitave të Allahut në ramazanin e bekuar, e shndërron në dimension shoqëror, duke shpërndarë një shumë të caktuar parash nga pasuria e tij, për tu siguruar të varfërve të paktën një shujtë (ushqim) ditor, në ditën e gëzimit të bajramit, dhe kështu, në atë ditë të lumtur për agjëruesit, ata të mos kenë shqetësim.

Pra, Islami e zhduk egoizmin duke mos lejuar që besimtari të gëzohet, ndërsa i varfri ta shikojë atë me stomak bosh dhe me zemër të brengosur. Është e rëndësishme të theksohet, se duke vepruar kështu, Islami na porosit se lumturia individuale nuk është lumturi, dhe se në fakt, lumturia e vërtetë nuk është e mundur, nëse edhe i varfri nuk e ndien atë, të paktën për një moment, së bashku me ne.

Nga ana shpirtërore, pra, sadekatul-fitri e ka funksionin e korrigjimit të gabimeve dhe plotësimit të mangësive të veprimtarive fetare të ramazanit, kurse nga ana tjetër, ai e fiton një dimension shoqëror, duke përkthyer lartësimin shpirtëror të besimtarit dhe afërsinë me Zotin, në vepra konkrete të ndihmës së të dobëtëve dhe të varfërve. Në këtë kuptim, Islami vërteton se sa më i afërt të jetë besimtari me Zotin, aq më i afërt është edhe me problemet shoqërore në shoqërinë e tij. Duke njohur golgotat e njerëzve, që jetojnë në kufijtë e ekzistencës materiale, dhe duke e vendosur sadekatul-fitrin në nivelin e detyrimit fetar të vaxhibit, i cili në shkollën juridike hanefite është pak më i ulët se farzi, por më i fortë se suneti, Islami në këtë mënyrë e urdhëron shpëtimin, jo vetëm përmes dispozitave rreptësishtë fetare, siç janë: agjërimi, namazi dhe leximi i Kuranit, por edhe përmes angazhimit shoqëror dhe kontributit material, që ka për qëllim gjallërimin e anëtarëve më të dobët dhe të pa fuqishëm të bashkësive tona.

Islami kështu tërheq vëmendjen tonë për aspektet e jetës, të cilat ne ndonjëherë nuk duam t’i shohim, dhe të cilave shpesh ua kthejmë shpinën.

Kësisoj, Islami në mënyrë të përkryer i lidh aspektet e ndryshme të jetës, në një tërësi koherente dhe kështu e ofron muajin ramazan, si shembull dhe ideal i të jetuarit edhe për pjesën tjetër të vitit. Përmes ramazanit, Islami na çon kah thellësia e shpirtit tonë, na lartëson në nivelin më të lartë të përsosjes dhe njohjes së realitetit, kurse përmes sadekatul-fitrit na çon në shtresat më të gjera të bashkësisë sonë, ku jetojnë ata që u janë mohuar shumë gjëra. Dhe, ashtu siç na mëson të ngjitemi kah Zoti, njashtu kërkon nga ne, që të ngjitemi me veten tonë dhe t’i ndihmojmë ata që janë të përfshirë nga sprova e varfërisë dhe skamjes.

Në këto dimensione qëndron kuptimi dhe rëndësia e sadekatul-fitrit. Allahu e di më së miri!

Autor: Faruk Terzić;  Preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)