Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a.) se ka thënë: „Ne u ulëm një herë me Pejgamberin (savs) dhe ai pyeti: „Kush prej jush do t’i marrë këto këshilla (porosi) nga unë, dhe pastaj të punojë sipas tyre ose ta mësojë dikë i cili do të punojë sipas tyre?’
Ebu Hurejre tha, unë i thashë: Unë, o i Dërguari i Allahut!
Atëherë Pejgamberi (savs) e zgjati dorën e tij, dhe unë e vura dorën time në dorën e tij, dhe pastaj tha: “Ruaju nga ajo që është e ndaluar (haram), do të jesh njeriu më i devotshëm, bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu, do të jesh njeriu më i pasur, sillu bukur me fqinjin, do të jesh besimtar (mumin) i vërtetë, dëshiro për tjetrin atë që dëshiron për veten tënde, do të jesh musliman, mos qesh shumë, sepse e qeshura e shumtë ta vdes zemrën.“ (Ahmedi dhe Tirmidhiu)
Në porosinë e parë të këtij hadithi, Pejgamberi (savs), na mëson se nuk është ibadet vetëm në kryerjen e urdhëresës, por edhe në largimin nga ndalesa. Përmes kësaj reflektohet devotshmëria e vërtetë, sepse rruga për xhenet është e shtruar me vështirësi dhe sprova, kurse rruga për xhehenem është e shtruar me ëmbëlsira dhe pasione të dynjasë.
Kur bëhet fjalë për kryerjen e mëkateve dhe shkeljen e ndalesave të Allahut, ekzistojnë tre grupe njerëzish:
(1) Ata që nuk turpërohen
për të bërë mëkate as fshehurazi as publikisht;
(2) Ata që nuk bëjnë mëkate publikisht, por posa të vetmohen jepen pas mëkatit,
sikur e harrojnë Allahun; dhe
(3) Ata të cilët kanë turp të kryejnë mëkate si fshehtas ashtu edhe publikisht,
dhe ai turpi është rezultat i besimit dhe devotshmërisë së vërtetë.
Për grupin e dytë të njerëzve, për ata që nuk bëjnë mëkate publikisht, por posa të vetmohen i shkelin ndalimet e Allahut, Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit do të vijnë njerëz që do të kenë vepra të mira si kodra e Tihames, por që Allahu do t’i shndërrojë në pluhur.
Sahabët atëherë thanë: “Na i përshkruaj ata, o i Dërguari i Allahut?
Pejgamberi (savs), tha: “Ata janë vëllezërit tuaj, të cilët natën e kalojnë në ibadet sikurse edheje, por kur të vetmohen, atëherë ata i shkelin kufijtë e Allahut dhe i përdhosin ndalesat.” (Ibn Maxhe)
Besimtarët e vërtetë janë ata që i frikësohen Allahut në fshehtësi sikurse në publik, siç thuhet në Kuran: “Me të vërtetë, ata që i frikohen Zotit të tyre edhe atëherë kur nuk i sheh askush, për ta ka falje dhe shpërblim të madh! (el-Mulk, 12)
Ndonjëherë besimtari sprovohet për të bërë mëkat në fshehtësi, mirëpo, për shkak të shumë veprave të mira që bën dhe që ka bërë, Allahu e mëshiron dhe ato vepra të mira lënë gjurmë pozitive në zemrën e tij, andaj ai largohet nga mëkati, siç theksohet në tregimin e Jusufit (a.s.): “Dhe ajo, (gruaja) në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta nxisë atë në mëkat, i mbylli të gjitha dyert dh tha: “Jam e gatshme për ty!” E, ai tha: “Allahu më ruajtë! Me të vërtetë, Ai – Zoti im më ka bërë të mirë strehimin; e me të vërtetë, zullumqarët nuk do të shpëtojnë kurrë.” (Jusuf, 23)
Në rastin e Jusufit (a.s.), çdo gjë ishte e përgatitur për mëkat, mirëpo, siç ka thënë Ibnul-Xhevzij, në komentin e këtij ajeti: “Këtu ka ardhur në shprehje robërimi i vërtetë i Allahut. Jusufi (a.s.) i rezistoi sulmit të pasionit, sepse ai me të vërtetë kishte frikë nga Allahu.”
Pra, kjo është devotshmëri e vërtetë, dhe jo falja e namazit vetëm formalisht, kurse pastaj shkon dhe merr kredi me kamatë, ose shkon në rrugën e prostitucionit dhe shthurjes, ose shpif dhe përgojon muslimanët, ose gënjen, ose tradhton emanetin e besuar, ose jep dhe merr ryshfete, etj.
Çfarë është dobia e namazit nëse ai nuk na i pastron zemrat tona dhe nuk e përmirëson moralin tonë, nëse në sjelljen tonë nuk ka ndonjë ndryshim midis nesh dhe atyre që nuk falen fare.
Imam Tirmidhiu në Sunetin e tij, ka regjistruar një transmetim për sahabiun e quajtur Mersed ibn Mersed el-Ganevi, i cili ishte fizikisht shumë i fuqishëm, i cili, pasi muslimanët kishin bërë hixhret, kishte ardhur në Mekë natën dhe i kishte liruar sahabët e robëruar duke i bartur ata në shpinë, derisa dilte nga Meka, kurse pastaj i zgjidhte dhe i çonte në Medinë.
Një natë, derisa po kalonte pranë një muri, duke e bartur një musliman në shpinë, atë e vërejti një vajzë e quajtur Anak, e cila ishte prostitutë, me të cilën ai kishte lidhje para Islamit.
Ajo e pyeti: A je ti Mersed ibn Mersedi? – Po, u përgjigj ai.
Pastaj ajo tha: Eja, kaloje natën me mua!
Mersedi u përgjigj: Anak, nuk mund ta bëj këtë. Allahu e ka ndaluar kurvërinë, unë jam musliman.
Kur Anaku pa se ai nuk po pranon, ajo bërtit: O njerëz, ky njeriu ua mori juve një të burgosur!
Mushrikët dolën nga shtëpitë e tyre, ku 8 prej tyre e ndoqën Mersedin, mirëpo ai arriti të fshihej. Kur situata u qetësua, ai u kthye përsëri tek sahabiu të cilin e kishte bartë deri aty, dhe e çoi në Medinë.
Pas kësaj, ai shkoi te Pejgamberi (savs) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, më marto ose më kurorëzo mua me Anakun?
Pejgamberi (savs) nuk i tha asgjë, derisa ju shpall ky ajet: “Laviri mund të martohet vetëm me laviren apo idhujtaren, kurse laviren mund ta marrë për grua vetëm laviri apo idhujtari, e kjo (kurvëria – martesa me laviret), është e ndaluar për besimtarët.” (en-Nur, 3.) Pas kësaj, Mersedi e harroi Anakun dhe çdo mendim për martesë me të.”
Ja, kjo është devotshmëri e vërtetë dhe njerëzit e tillë janë më të devotshmit, dhe veçanërisht, kush ruhet nga harami në kohën tonë, e cila është në shenjë të intrigave të llojllojshme dhe imoralitetit.
Pejgamberi (savs), ka thënë: “Do të vijë një kohë kur ai që i përmbahet fesë, do të jetë si ai që e mban gacën në pëllëmbën e dorës së tij. Ai që atëherë i përmbahet fesë, do të ketë shpërblim sa 50 prej jush.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)