Patriku i Armenëve të Turqisë: Shën Sofia të hapet për adhurim

631

Patriku i armenëve të Turqisë, Sahak Mashalyan, përmes llogarisë së tij në «Twitter» ka publikuar një mesazh në lidhje me diskutimet e ditëve të fundit mbi rihapjen për adhurim të Muzeut të Shën-Sofisë në Stamboll.

Shën-Sophia është ngritur me mundin e dhjetëmijë punëtorëve e duke harxhuar një pasuri të tërë, e fillon mesazhin e tij patriku Mashalyan dhe vijon:

“Restaurimet e panumërta që janë bërë në këto 1.500 vjet, puna e mundi i Fondacionit “Fatih Sulltan” (Fatih Ngadhënjimtarit)… janë bërë të gjitha për ruajtjen (e Shën Sofisë) si një tempull adhurimi, e jo si një muze. Unë mendoj se është më e përshtatshme me natyrën e tempullit (pasi ai është ndërtuar për të shërbyer si faltore) që besimtarët të përulen aty në gjunjë dhe të falen me respekt e adhurim se sa të shikosh turistët kureshtarë që nxitojnë sa këndej e andej për të bërë fotografi. Shën Sofia të hapet për adhurim. Faltorja është mjaft e madhe. Aty të caktohet një hapësirë edhe për të krishterët. Le të duartrokasë bota paqen dhe pjekurinë tonë fetare. Shën Sofia të kthehet në simbolin e paqes së epokës dhe njerëzimit. A është kjo shumë utopike? A nuk lutemi të gjithë ne nën të njëjtën kube qiellore? Ne gjithashtu mund të ndajmë edhe kubenë e Shën Sofisë. A nuk besojmë të gjithë në një Zot, edhe pse besimet tona fetare janë të ndryshme? Unë nuk besoj se tempulli, i cili ka përthithur në muret e tij për 1000 vjet lutje të krishtera dhe për 500 vjet lutje myslimane dhe i ka sintetizuar ato në ekzistencën e tij misterioze, të ketë ndonjë kundërshtim për këtë”.

“Hyni në tempull, thitheni heshtjen dhe mësoni prej saj. Shën Sofia, tempulli i “Urtësisë së Shenjtë“, do t’ju japë këshillën se nuk ka asgjë më të çmuar se paqja në historinë 1.500-vjeçare të njerëzimit. Ne nuk e kemi luksin e një konflikti të ri mes kryqit dhe gjysmëhënës. Shpëtimi i botës është i mundur me aleancën e kryqit dhe gjysmëhënës. Shtetit të Republikës së Turqisë i ka hije t’i dhurojë botës një paqe të tillë”, përfundon mesazhi i patrikut armen.