Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës (BIK) duke u nisur nga parimi i ruajtjes së shëndetit, ka marrë masa dhe rekomandime të reja për mospërhapjen e pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi për media të BIK-ut, është marrë vendim që të pezullohen “të gjitha aktivitetet fetare në të gjitha xhamitë e Kosovës, sikur janë ligjëratat e tribunat fetare” e po kështu është marrë vendim edhe për “pezullimin e mësimbesimit dhe shkollës verore nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës”.
Me vendim të ri të BIK-ut, imamët obligohen që të kujdesën që xhemati në xhami të mbajë distancë fizike, ndërsa brenda objektit të xhamisë të mos falen më shumë se 50 persona.
Po kështu, imamët janë të obliguar që të bëjnë shenjëzimin e vendfaljeve brenda xhamive për shkak të distancës, të pezullojnë manifestimet fetare, të mos marrin pjesë në të pame, hytben gjatë xhumasë ta shkurtojnë në 10 minuta dhe falja e xhumasë në xhamitë qendrore të bëhet edhe dy herë sipas nevojës.
Sa u përket rregullave që besimtarët myslimanë duhet të ndjekin gjatë frekuentimit të xhamive, BIK thotë se ata duhet të mbajnë maska, të përdorin sexhade personale, si dhe të përdorin dezinfektues.
Të moshuarit mbi 65 vjeç, fëmijët nën moshën 16 vjeç si dhe të sëmurët me sëmundje kronike obligohen që të falen në shtëpi.
“Kryesia e BIK sikur edhe deri më tani është e përkushtuar të bashkëpunoj ngushtë me të gjitha institucionet kompetente të vendit për të ruajtur shëndetin publik të qytetarëve por njëkohësisht ftojmë institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare, në këtë rast xhamive, sepse konsiderojmë se vendimet dhe masat e marra nga ne janë të mjaftueshme për luftimin e pandemisë në këtë fazë”, shkruan në vendimin e BIK-ut.
BIK ka ftuar besimtarët për mirëkuptim si dhe t’u përmbahen me përpikshmëri të gjitha vendimeve dhe rekomandimeve të dala nga Kryesia e saj.