Empati është aftësia e njohjes, kuptimit dhe shkëmbimit të ndjenjave të njerëzve të tjerë. Njerëzit janë të lindur për të ndier empati që na ndihmon ta zhvillojmë jetën tonë të përditshme që përfshin familjen, jetën e biznesit, madje edhe veten. Empatia, si një tipar i mirë, është shumë i rëndësishëm në Islam, kështu që ne ju sjellim historinë e Profetit tonë Muhammed salAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe empatinë e tij.
Kur’ani rreth të Dërguarit tonë të dashur, salAllahu ‘alejhi ue sel-lem thotë:
“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” [ET-TEUBE, 128]
I Dërguari i Allahut salAllahu ‘alejhi ue sel-lem, gjithmonë është ngushëlluar me ne dhe ndjenjat tona dhe është lavdëruar për empatinë e tij. Muhammedi salAllahu ‘alejhi ue sel-lem na inkurajoi të ndjejmë empati, siç qëndron në thëniet e tij: “I sheh besimtarët në mëshirimin, dashurinë dhe solidaritetin sikur një trup, nëse ankohet një gjymtyrë, i tërë trupi rënkon nga pagjumësia dhe temperatura.” (Buhariu)
Kur’ani besimtarët i përshkruan të mëshirshëm, që është një formë e empatisë dhe e inkurajon njeriun t’i ndihmojë të tjerët.
“E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është rruga e vështirë? Ajo është të lirosh një skllav ose të ushqesh në një ditë zie jetimin e afërm ose të varfrin e mjerë. Veç kësaj, njeriu duhet të jetë nga ata që besojnë, që e këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe e këshillojnë për mëshirë.” [EL-BELED, 12-17]
Sa empatik ishte i Dërguari i Allahut, salAllahu ‘alejhi ue sel-lem shihet nga rrëfimi i mëposhtëm. Përkatësisht, një mëngjes Profeti ishte ulur me as’habët e tij dhe atyre iu afruan anëtarët e një fisi. Ata nuk kishin këpucë dhe mund t’u shiheshin kockat e tyre të holla që mund të konstatohej se ishin të uritur. Muhammedi salAllahu ‘alejhi ue sel-lem u prek nga kjo situatë. I tha Bilalit ta këndoi ezanin dhe i tuboi shokët e tij. Pas namazit mblodhën para për fisin që i ndihmoi në mënyrë të konsiderueshme.
Muhammedi salAllahu ‘alejhi ue sel-lem kujdesej edhe për kafshët dhe ndjente empati. Gjatë një rasti, ai hyri në një kopsht ku vërejti një deve e cila ishte kockë dhe lëkurë, gjë që shkaktoi Profetin salAllahu ‘alejhi ue sel-lem të qanë. E vendosi dorën te koka e kafshës që ta ngushëlloi. Mandej pronarit të devesë i tha: “A nuk keni frikë nga Allahu për shkak të kësaj kafshe që ta dha Allahu? Ajo me të vërtetë m’u ankua që nuk e ushqen dhe e torturon me punë të tepruar. “(Ebu Davudi)
Enes Ibën Maliku, as’habi i Muhammedit salAllahu ‘alejhi ue sel-lem, derisa fliste për empatinë e të Dërguarit salAllahu ‘alejhi ue sel-lem përmend nënat ndërsa ishin në xhami: “I Dërguari i Allahut, salAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur filloj të lexoj Kur’an, dua që ajo të zgjasë, por më pas e dëgjoj vajin e fëmijës, kështu që e shkurtoj sepse e di se nëna është e trishtuar për qarjen e fëmijës”.
Burimi: Akos,ba
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]