Erdogan: Duhet thënë ndalo islamofobisë dhe ksenofobisë në rritje

538

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa, që të mos përsëriten Holokausti, gjenocidet e Bosnjës, Ruandës, Kamboxhias, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Turqisë, me rastin e 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ka filluar zbatimin e ueb-faqes “weremember.gov.tr”, për të kujtuar viktimat e të gjithë gjenocideve të ndodhur në botë dhe për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për “të jetuar së bashku në paqe”.

Në këtë faqe në gjuhën angleze, u publikua gjithashtu edhe video-mesazhi i presidentit Erdoğan.

“Ngjarjet tragjike kanë treguar se çfarë dhimbjesh mund të shkaktojnë ideologjitë raciste”

Presidenti Erdoğan duke theksuar se njerëzimi është duke kaluar nga një periudhë të vështirë, tha se bashkë me pandeminë edhe virusi i racizmit është përhapur gjithnjë e më shumë.

Ai vuri në dukje se ka një rritje serioze në aktet e dhunës ndaj vendeve të adhurimit si xhami, kisha dhe sinagoga.

Sipas tij, terrori racist, sot, është shndërruar në një kërcënim të sigurisë që minon paqen shoqërore dhe vullnetin e njerëzve për të jetuar së bashku.

“Megjithatë, ngjarjet tragjike që kanë ndodhur në shekullin e kaluar, ka treguar se çfarë dhimbjesh mund të shkaktojnë ideologjitë raciste. Shenjat e Holokaustit, gjenocideve të Bosnjës, Ruandës dhe Kamboxhias ku humbën jetën miliona njerëz, ishin të dukshme shumë më herët se këto masakra, me diskriminim sistematik, margjinalizim dhe gjuhës së urrejtjes në rritje. Secili prej këtyre gjenocideve, janë shembuj të gjallë që i kujtojnë komunitetit ndërkombëtar përgjegjësinë e tij”, u shpreh Erdoğan.

“Lufta me gjuhën e urrejtjes nuk është detyrë vetëm e viktimave por detyrë e përbashkët e të gjithë njerëzimit”, tha presidenti turk duke shtuar: “Kjo, përtej një qëndrimi moral, është edhe një detyrim kontraktual sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit të vitit 1948”.

“Duhet thënë ‘ndalo’ islamofobisë dhe ksenofobisë në rritje”

Ai më tej tha se, si një vend ku dallimet me shekuj kanë jetuar në paqe, janë duke dhënë përpjekje në këtë drejtim në platformat ndërkombëtare ku janë anëtarë, përfshirë edhe nismën e Aleancës së Qytetërimeve.

Erdoğan theksoi se me politikën e dyerve të hapur që po zbatojnë, janë duke mbrojtur të gjithë ata që strehohen në vendin e tyre pa bërë dallime në besimin, gjuhën dhe origjinën e tyre.

“Që të mos përsëriten tragjeditë si Holokausti, Bosnja, Ruanda, Kamboxhia, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë masa. Duhet thënë ‘ndalo’ islamofobisë dhe ksenofobisë, të cilët janë në rritje posaçërisht me ndikimin e platformave dixhitale dhe medias”, tha ai.

Ai gjithashtu vlerësoi si një kontribut domethënës për luftën ndaj krimeve të urrejtjes, këtë projekt që po zbatohet nën udhëheqjen e Ministrisë turke të Jashtme dhe Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës.

“Me këtë rast kujtoj me respekt kujtimet e viktimave të gjenocidit, duke shpresuar për një të ardhme ku do të përfundojnë të gjitha llojet e diskriminimit, që nuk do të ndodhin krime ndaj njerëzve”, tha Erdoğan.

Ndërkohë, në ueb-faqen “weremember.gov.tr”, ndodhitë në Holokaust, gjenocidet e Ruandës, Srebrenicës dhe Kamboxhias, do të tregohen nëpërmjet informacioneve, dokumenteve dhe fotografive.

Në faqe gjithashtu do të shpërndahen mesazhet e përfaqësuesve hebre dhe romë viktima të Holokaustit, si dhe do të ketë qasje për artikuj, libra dhe burime të ndryshme në lidhje me gjenocidin.