A është e mundur zgjidhja e krizës në Siri?

952

Ndërkohë që po lëmë pas 10 vjet të Pranverës Arabe, fatkeqësisht edhe lufta civile në Siri ka mbushur 10 vitet e saj. Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit është zhvendosur, ndërsa gati një milion njerëz kanë vdekur. Vendi është përballur me shkatërrime të rënda në të gjitha kuptimet. Por, pas gjithë asaj që ka ndodhur, a është me të vërtetë e mundur një zgjidhje politike? Pranvera Arabe, e cila filloi në Tunizi, mobilizoi masat e heshtura që jetonin nën presion dhe kushte të këqija në shumë vende dhe të ashtuquajturit diktatorë të pashkatërrueshëm filluan të binin me një efekt domino. Tunizia u pasua nga Egjipti. Në Siri, megjithatë, revolucioni gradualisht u kthye në një luftë civile, duke sjellë me vete shkatërrim të madh. Vende të tilla si Irani dhe Rusia morën anën e regjimit kundër kryengritjes popullore që filloi kundër regjimit të Asadit, ndërsa regjimi u mbështet te këto vende për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për të shkaktuar një dinamikë të luftës civile. Me kalimin e kohës, me manipulimin e disa agjencive të inteligjencës, në skenë doli organizata terroriste DAESH, e cila filloi me aktivitetet e saj në Siri. Ndërkohë që opozita kishte vështirësi për të vepruar së bashku, vendet perëndimore tërhoqën mbështetjen e tyre për opozitën siriane, duke bërë që regjimi, Rusia dhe Irani të kenë ndikim në terren.

Në fund opozita siriane, e cila po përpiqet të mbijetojë vetëm me mbështetjen e Turqisë, është bllokuar në Idlib dhe zona të tjera të çliruara. Me hapat e saj, Turqia kërkon të ndërtojë një jetë të qëndrueshme duke minimizuar krizën humanitare në këto rajone. Ndërkaq zonat e mëdha në lindje të Eufratit kontrollohen me angazhimin e përbashkët SHBA-PKK. Lufta civile në këtë vend të ndarë de facto në tre pjesë, ka lënë pas një shkatërrim të madh. Gjysma e popullsisë së Sirisë është zhvendosur, ndërsa një e treta janë refugjatë në vendet e tjera. Ekonomia është e falimentuar në çdo kuptim dhe ekziston një problem serioz i sigurisë ushqimore në aspektin njerëzor. Infrastruktura dhe superstruktura janë shembur plotësisht nga krizat e luftës dhe ato ekonomike.

Fatkeqësisht, në Siri në vitin e dhjetë të Pranverës Arabe, mbretëron një pamje e tillë, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje politike vazhdojnë. Në veçanti, procesi i Astanës i filluar me iniciativën e Turqisë, Rusisë dhe Iranit dhe punimet për hartimin e Kushtetutës së re të kryera në këtë kontekst janë të rëndësishme. Deri më tani, megjithatë, nuk është bërë asnjë progres domethënës. Duket se regjimi dhe aleatët e tij nuk janë të përkushtuar për një zgjidhje të mirëfilltë dhe po marrin hapa vetëm për të fituar në kohë. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të krijojnë një zonë autonome de facto në një angazhim me PYD/YPG-në, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, në lindje të Eufratit. Prandaj, duket se si aktorët vendas ashtu edhe aktorët e huaj me ndikim në Siri ende nuk po i afrohen një zgjidhjeje reale duke bërë lëshime.

(TRT)