Autor: Amar Bašić
All-llahu i Madhërishëm në Kur’an na ofroi udhëzime të qarta se Ai nuk do të ndëshkojë një komb deri sa në mesin e tyre ka prej atyre që përpiqen ta përmirësojnë gjendjen (muslihun). Pra, ata nuk janë njerëz të përkryer dhe pa mangësi, ata janë njerëz – kryesisht të vetëdijshëm për të metat e tyre – të cilët, duke punuar paralelisht për rregullimin e dobësive të tyre, duan të kontribuojnë në përmirësimin e mangësive në shoqëri.
Sa i takon veprimit, udhëzime më të detajuara na përcolli Muhamedi s.a.v.s., duke thënë në një hadith të regjistruar nga Muslimi: “Kush nga ju sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorë. E, nëse nuk mundet ta bëjë këtë, atëherë me gjuhën e tij dhe nëse nuk mundet ta bëjë këtë, atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët.”
Gjithmonë parashtrohet pyetja: çfarë mund të bëjë një individ? Le të përpiqemi ta shtjellojmë këtë hadith në vijim.
Pejgamberi salAll-llahu alejhi ue sel-lem na bën me dije se fillimi i ndryshimit është në zemrën e njeriut. Me përforcimin e njohurive shpirtërore, bindjen në All-llahun dhe vetëdijen e krijimit për një qëllim të përjetshëm, jo kalimtar, njeriu do të kalojë nga faza në fazë: që fillimisht me gjuhë (ky është roli i ulemave (dijetarëve, në aspektin profesional, ndërsa roli i njeriut “të zakonshëm” në jetën e përditshme, praktike), mandej edhe fizikisht (sot kjo kalon përmes institucioneve dhe vendeve të përgjegjshme), kjo nga inercia e shtyn gjendjen drejt përmirësimit.
Deri sa për çdo ditë nuk hedhim sy në zemrat tona dhe derisa t’ia parashtrojmë vetes pyetjet serioze në lidhje me veprimet tona në këtë botë, deri sa kritika të jetë më e dashur se lëvdatat (sepse kritika e korrigjon njeriun, ndërsa lëvdatat e krye lartësojnë), për sa kohë që një individ nuk e provon zemrën e tij nuk do të jetë në gjendje të transmetojë vibracione pozitive nga pozicioni i së nesërmes.
Fillimi është në zemër! Brenda korpusit të tij fetar dhe kombëtar, gjuha duhet të tregojë fenomene, jo emra, sepse ky është stili i të Dërguarit të All-llahut, salAll-llahu alejhi ue selam, i cili i kishte emrat e munafikëve por nuk i shpalosi ata, i vetëdijshëm se kjo do të çonte në satanizimin e individëve, dhe do ta vinte në plan të parë personalitetin, jo sjelljen, që nuk guxon të gjendet tek askush!
Me këtë radhitje, hadithi na mëson se ndryshimi më i madh është ai që vjen përmes veprës. Me veprim konkret, jo reagim. Me përpjekje për ta jetuar Islamin para vdekjes, jo vetëm duke folur për jetën pas vdekjes. Ne nuk jemi në gjendje dhe nuk kemi asnjë detyrim ta ndryshojmë botën brenda natës, dhe All-llahu na vë këtë në dije duke thënë se Ai i krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë faza, jo sepse nuk mundi më shpejt, por duke na mësuar se gjërat madhore kërkojnë një proces.
Ne jemi të obliguar të luftojmë deri në frymën e fundit për një atmosferë më të mirë në shoqërinë tonë. Ndoshta imami nga foltorja nuk mund ta detyrojë punëdhënësin që t’ua ofrojë punëtorëve kushtet e duhura, por ai mund të mos shkojë në një iftar kur të thirret nga ai punëdhënës – ky është ndryshim me veprim. Ndoshta një mësues nuk mund të ndryshojë fëmijën e paedukuar të dikujt, por ai mund t’i kushtojë atij dy herë më shumë dashuri dhe kujdes – ky është ndryshimi me veprim. Ndoshta një prind nuk mund t’ia sigurojë të gjithë gjërat materiale fëmijës së vet, por ai mund t’i tregojë me veprimin e tij se gjërat më të vlefshme janë, në fakt, ato të paprekshmet, jo materiale – ky është ndryshimi me vepër. Mund të mos jemi në gjendje të ndikojmë në konkurse që janë të manipuluara padrejtësisht, por mund të mos jemi pjesë e veprimeve të tilla – ky është ndryshim me veprim.
Të ndryshosh me vepër nuk do të thotë të reagosh në mënyrë eksplicite ndaj së keqes së dikujt, por duke u munduar me parimin e mirësisë, të mundësojmë që e keqja të mos jetë parim në shoqëri! Ajo luftë zgjatë shumë dhe nuk është e thjeshtë, sepse është rënd ta bindësh vetveten, mirëpo deri sa njeriu përpiqet, All-llahu i Madhërishëm do ta udhëzojë rrugës së drejtë: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e All-llahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. All-llahu di mirë çdo gjë.” [ET-TEGÂBUN: 11]
***
Njeriu e ka për detyrë të thyejë shkëmbin. E godet njëqind herë shkëmbin, asgjë nuk ndodh. Dhe pastaj goditja e njëqind e një, guri përgjysmohet. Gabim e ka njeriu i cili mendon se shkëmbin e theu goditja e njëqind e një, atë e thyen ato njëqind goditjet e para.
“O All-llah, mos na merr te Vetja pa qenë nga ata që sinqerisht përpiqen të përmirësojnë veten dhe situatën përreth nesh.”
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]