Në rrugën drejt mëshirës!

1109

Autor: Amar Bašić

Kur bëhet fjalë për caktimin e All-llahut Fuqiplotë, e rëndësishme është të mësoni të mos i arsyetoni mëkatet dhe dobësitë tuaja me caktimin e Tij. Shprehje të tilla si “i tillë është fati im” ose “kështu kam lindur dhe nuk mund të jem më i mirë”… nuk duhet të gjenden në fjalorin e një besimtari.

Shfajësimi i vetes me kaderin e All-llahut është karakteristikë e atyre që nuk mendojnë për porositë e të Dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem, sepse ai ka thënë: “Unë i garantoj shtëpi në pjesën më të bukur të Xhennetit atij që e korrigjon sjelljen e tij”.

Sikur të mos ishte e mundur të ishte më mirë, këtë nuk do të na porosiste Muhammedi, salallahu alejhi ue sel-lem. Po ashtu, sikur ky proces i korrigjimit të ishte i lehtë dhe i thjeshtë, Pejgamberi, salallahu alejhi ue sel-lem, nuk do ta kishte theksuar se nga ky ndryshim do të pasonte fitimi i shtëpisë më të bukur në Xhennet.

Ndoshta dikush kurrë nuk do ta arrijë qëllimin e tij, të jetë më i mirë dhe ta ndryshojë e korrigjojë ndonjë të metë, por dije që Zoti nuk kërkon fitues, por luftëtar zemra e të cilit digjet nga përpjekja për të qenë më të mirë. E rëndësishme është të përpiqemi dhe të ecim përpara, mëkati që e bëjmë të na lëndojë dhe brenë ndërgjegjja, që vepra e mirë që e bëjmë të mos na joshë e të mendojmë se jemi më të mirë se të tjerët…

Një njeri në kohën e një halifi vodhi diçka dhe fillojë të arsyetohet: “Ishte caktimi i Zotit që unë të vjedh!” Dhe halifi iu përgjigj: “Dhe unë ta pres dorën me ‘caktimin’ e Zotit!”…

All-llahu njeriu i ka dhënë mendje dhe secili mund të zgjedhë rrugën, do të lëviz djathtas apo majtas. Njerëzit që e drejtojnë automjetin dhe nuk e dinë ku të kthejnë, në gjoks ndjejnë siklet. A thua sa në siklet të madh janë ata që e jetojnë jetën dhe janë në përfundim të “karburantit të jetës”, e nuk dinë në cilën anë duhet të lëvizin?!

All-llahu e di se çfarë ka në zemrën e tij dhe është e pamundur që në zemrën e njeriut të ketë një grimcë ambicie për t’u udhëzuar, pa e udhëzuar All-llahu.

O Zot! Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Na udhëzo në rrugën e drejtë…

Përshtati: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]