Lukmani i urtë e këshillon djalin e tij

931

Lukmani i urtë ia përkujton të birit se çdo vepër, e mirë apo e keqe, kudo që të jetë, një ditë do të del në shesh. Nëse njerëzit do ta kishin parasysh se veprat e tyre do të dalin në shesh, ata do të bënin më pak mëkate.

Këshillat e Lukmanit të urtë drejtuar djalit të tij, të thurura përmes ajeteve kur’anore nga kaptina Lukman, janë plotësisht të qarta, jetike dhe të mjaftueshme për prindërit dhe fëmijët që dinë t’i dallojnë vlerat e qëndrueshme nga ato kalimtare. Prandaj këshillat e Lukmanit të urtë le të gjejnë vend në zemrat dhe jetët tona kështu që këshillat drejtuar fëmijëve tanë të jenë për të mirën e tyre dhe tonën.

All-llahu i Madhërishëm në kaptinën Lukman ajeti i 12 thotë:

Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): “Falënderoje All-llahun! Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet All-llahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”.

Dijetarët nuk u pajtuan rreth çështjes nëse Lukmani ishte pejgamber apo njeri i urtë, edhe pse mbizotëron mendimi se bëhet fjalë për njeri të urtë. Kur’ani, Lukmanit i kushton një pjesë në kaptinën Lukman, theksohet se All-llahu i Madhërishëm e bekoi Lukmanin me urtësi, e ajo bëhet me “falënderim All-llahut!” Njeriu i cili falënderon All-llahun e Madhërishëm, këtë e bën në dobi të tij, ndërsa ata që nuk falënderojnë, nuk e pakësojnë madhërinë e Tij.

Ata që nuk janë falënderues dhe  mirënjohës ndaj Zotit të tyre dhe që nuk shpresojnë në mëshirën e Tij, pa marrë parasysh diturinë, titullin, pasurinë apo pozitën, janë të humburit, kurse humbësit më të mëdhenj janë ata “që humbin dynjanë dhe Ahiretin”.

Lukmani i urtë e këshilloi djalin e tij që të mos bëjë shirk (politeizëm), sepse shirku është mëkat i madh. Madje kjo ishte edhe këshilla e parë për djalin e tij:

(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro All-llahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. (Lukman, 13)

A i këshillojmë ne fëmijët tanë që të mos i bëjnë shirk All-llahut, a mundohemi që jetët e tyre të jenë sa më komode, pa vendosur pengesa dhe detyrime dhe duke i lënë të bëjnë çfarë të duan në mendjen e tyre dhe të jenë në trendet moderne, që po e shkatërrojnë besimin dhe moralin e individëve, familjes dhe shoqërisë?!

Dy ajetet e ardhshme të kaptinës Lukman flasin për bindjen ndaj prindërve që i jep rëndësi të veçantë kësaj çështjeje. Ndërsa ne e dimë se nga pesha e mëkatit se, menjëherë pas shirkut vjen mosbindja ndaj prindërve, ndaj le të ruhemi nga ai mëkat!

Lukmani i urtë e këshillon djalin e tij që të kujdeset mirë për veprat e tij, sepse qofshin ato: të këqija apo të mira, të vogla apo të mëdha, në shkëmb, në qiej apo në tokë, një ditë do të dalin në shesh:

“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, All-llahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, All-llahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë. (Lukman, 16)

Lukmani i urtë e kujton të birin se çdo vepër e mirë apo e keqe, kudo qoftë të ndodh, një ditë do të del në shesh. Sikur njerëzit ta kenë parasysh se çdo vepër e tyre do të del në shesh, me siguri që më pak do të mëkatonin, madje do të garonin në bamirësi, të cilat do t’i shërbejnë në Ditën e Gjykimit dhe me të cilat do të mburren.

Në ajetin vijues në kaptinën Lukman, urdhërohen katër gjëra: falja e namazit, urdhri për mirë, ndalimi nga të këqijat dhe durimi në atë që do ta godet:

O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! (Lukman: 17)

Mandej Lukmani i urtë të birit ia ndalon dy gjëra:
Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se All-llahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! (Lukman: 18)

Në ajetin 37 të kaptinës El-Isra’, All-llahu i Madhërishëm thotë:

Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve.

Dhe në fund, Lukmani i urtë e urdhëron të birin që të jetë i matur në ecje dhe të mos jetë grykës në të folur, dhe e krahason këtë me zërin e vrazhdë të gomarit që e konsideron zë më të keq.

Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (Lukman: 19)

Sa shumë ka nga ata të cilët nëse jo nga efekti zanor, atëherë me siguri nga përmbajtja e bisedës së tyre i ngjasojnë gjëmimit të gomarit (pa asnjë fyerje për gomarët)?! Sa janë ata që duken të zgjuar kur heshtin, sepse kur flasin, me gjuhët e tyre helmuese i sulmojnë besimtarët dhe mbjellin urrejtje dhe pështjellim?

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:

“Kur ta dëgjoni zërin e gjelit, lutjuni All-llahut për të mirat e Tij, sepse gjeli e ka parë melaqen, ndërsa: – Kur ta dëgjoni zërin e gomarit, kërkoni mbrojtje nga shejtani i mallkuar, sepse ai e ka parë shejtanin”.

Vëllezër e motra, neve na takon të marrim mësim nga këto këshilla të urta të Lukmanit dhe t’i këshillojmë fëmijët tanë dhe të tjerëve, të kenë vlerë “të qëndrueshme”! Të ruhemi nga mëkati dhe të garojmë për të mirë, për ta arritur lumturinë në të dy botët!

Hatib: Nezim Halilović Muderris
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]