MOS JI ZERO!

1076

Tregohet se Isai, alejhis-selam, u takua me një njeri të pasur, e kapi për dore dhe shkuan te një i varfër. Atij i tha: “Ky është vëllai yt në fe. Në krahasim me atë, ty All-llahu të bekoj me pasuri, ndaj ji falënderues All-llahut për këtë!” Mandej e mori të varfrin për dore dhe e dërgoi tek një njeri i sëmurë dhe i tha: “Në qoftë se do të ishe i varfër, por jo i sëmurë. Çfarë do të bëje sikur të ishe i varfër dhe i sëmurë?! Ji falënderues All-llahut për këtë!” Mandej me të sëmurin shkuan tek një jobesimtar, dhe i tha: “Çfarë do të bëje po qe se ishe i varfër, i sëmurë dhe jobesimtar?! Ji falënderues All-llahut!”

Kjo na tregon se, nga këndvështrimi i mirënjohjes ndaj Zotit dhe besimit në Të, gjendja më e keqe e një njeriu në këtë botë është të qenët jobesimtar. Megjithatë, jeta na mëson se disa njerëz mund të bien në një gjendje akoma më të keqe, atëherë kur bëjnë marrëzi të paskrupullta dhe bëhen “zero nga njeriu”. Ky shtrembërim njerëzor ndodh kur disa njerëz bëhen skllevër të dikujt ose diçkaje tjetër përveç All-llahut të Plotfuqishëm dhe bëhen robër të pasioneve, shejtanit, dynjallëkut, qeverisjes, titujve… Atëherë lind një personalitet që nuk mund të bëjë asgjë të mirë dhe nuk ka respekt për të tjerët. Kur’ani na sjell një shembull të mrekullueshëm, ndërsa shembujt e Tij janë më të bukurit:

All-llahu e krahason shembullin e skllavit, që s’ka mundësi për asgjë dhe që është pronë e të zotit me atë që Ne i kemi dhënë plot begati, prej të cilave jep fshehtazi dhe haptazi. A janë njëlloj? Lavdi i qoftë All-llahut! Shumica e tyre nuk dinë. Gjithashtu, All-llahu krahason shembullin e dy njerëzve, njëri prej të cilëve është shurdh-memec, nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, – kurdo e kudo që ta dërgojë, nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky me atë që urdhëron për -drejtësi dhe ndjek rrugën e drejtë?! [EN-NAHL,75-76]

Ajetet kur’anore nga njëra anë na flasin për besimtarët dhe bamirësit, dhe nga ana tjetër për mohuesit dhe njerëzit e padobishëm. Në fakt, në një pjesë të ajetit, All-llahu thotë se robi, i cili nuk mund të bëjë asgjë asgjë të mirë, është vetëm – barrë për pronarin e tij”. Ky “kel-lun” në përkthim të lirë mund të thotë zero! Dhe si bëhet njeriu “zero”, u shpjegua përmes matematikës nga dijetari, filozofi dhe matematikani i famshëm islam, Ebu Xha’fer el-Havarizmi.

Përkatësisht, për el-Havarizmin vlera e parë dhe themelore tek njerëzit është besimi (morali), të cilin ai e shënon me numrin 1. Pra, nëse njeriu është besimtar i ndershëm dhe njëkohësisht i pasur, atëherë për pasurinë e tij, i shtohet një zero, pra vlera e tij bëhet 10.

Në qoftë se është besimtar, i pasur dhe ka prejardhje fisnike (autoritet në shoqëri) atëherë i shtohet edhe një zero, dhe merr vlerën 100. Zerot gjithashtu shtohen edhe bukurinë, mendjen etj. Megjithatë, el-Havarizmi thotë, nëse një njeri nuk është besimtar i ndershëm (moralshëm), atëherë fshihet njëshi në fillim. Pra, mbetet vetëm zero. Këto zero mund të shtohen dhe të shumëzohen, por rezultati në fund është gjithmonë zero, asgjë – zero nga njeriu!

Mësuesi më i mirë në dynja, Muhammedi, salallahu alejhi ue sel-lem, na paralajmëroi që të mos jemi zero, të mos jemi me natyrë të shëmtuar, egocentrik dhe të paskrupullt. Ai ndër të tjera ka thënë: “All-llahu e urren njeriun i cili gjatë grindjes kalon çdo kufi.” (Muttefekun alejhi)

Gjatë një rasti, Pejgamberi salallahu alejhi ue sel-lem, ishte në shoqërinë e as’habëve, e në mesin e të cilëve ishte edhe Ebu bekri, radijallahu anhu, të cilin filloi ta fyej dhe shqetësojë një njeri. Ebu Bekri, herën e parë dhe të dytën heshti. Mirëpo meqë njeriu e ofendoi edhe herën e tretë, ai filloi t’ia rikthejë, ndërsa Pejgamberi salallahu alejhi ue sel-lem u çua. Atëherë, Ebu Bekri i tha: “I Dërguar i All-llahut, a je zemëruar me mua?” E ai iu përgjigj: “Ndërsa ky njeri të ofendonte dhe ti heshtje, meleku që zbriti nga qielli e shtyu në gënjeshtër. Sapo fillove t’i hakmerresh, u largua meleku dhe shejtani e zuri vendin e tij. Unë do të largohem nga kjo shoqëri sepse nuk dua të rri me shejtanin.”

Vëlla i dashur, ki kujdes nga shoqëria “zero” dhe mos ji “zero”! Ji njësh, besimtar i ndershëm dhe i moralshëm, ji i dobishëm për njerëzit. Sepse i Dërguari i All-llahut ka thënë se më të mirët janë ata që janë të dobishëm për të tjerët. Ndërsa suksesi ynë vjen vetëm me All-llahun, ne vetëm Atij i mbështetemi dhe vetëm Atij i drejtohemi!

Autor: Idriz Bušatlić
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]