All-llahu i Madhërishëm e thirr njeriun të mos bëjë asgjë që e prish rendin dhe ekuilibrin, madje edhe në situatat më të rënda dhe gjendjet e jashtëzakonshme, siç është lufta. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, e urdhëron njeriun: mos i digjni të korrat, mos vrisni njerëz të pafajshëm, mos shkatërroni tempuj… Urdhëron që të mos e prishim ekuilibrin natyror siç është marrja e tepërt, në këtë mënyrë dëshiron ta frenon lakminë njerëzore, e urdhëron të mos e tubojë atë që nuk mund ta konsumojë, të ndërtojë gjëra ku nuk do të banojë… Na tërheq vërejtjen të mos shkaktojmë mosmarrëveshje, të mos shkaktojmë konflikte për gjëra të cilat detyrimisht do t’i lejmë pas vetes.
Njeriu nuk është krijuar për të jetuar i vetmuar, ai është një qenie shoqërore. Duke i bërë njerëzit të ndryshëm, Ai çdo personi i dhuroi prirje dhe aftësi të ndryshme në mënyrë që ata të mund ta plotësojnë, ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin.
Njeriu nuk mundet i vetëm, kështu që All-llahu e krijoi një tjetër prej tij dhe ia urdhëroi martesën, pastaj ia shpalli rregullat në mënyrë që të bëhet pjesë e shoqërisë, që për njeriun të paraqes harmoni.
Njeriu nuk mundet i vetëm, kështu që All-llahu i dhuroi pasardhës dhe familje, dhe me Shpalljen ia caktoi obligimet, kështu që qelia themelore e shoqërisë të jetë e shëndoshë dhe në harmoni.
Njeriu nuk mund i vetëm, prandaj All-llahu e ka obliguar që t’i ruajë dhe mirëmbajë lidhjet familjare. Mbajtja e këtyre lidhjeve është një vepër jashtëzakonisht e mirë, por është edhe mëkat i rëndë nëse njeriu i neglizhon të afërmit e tij dhe ua kthen shpinën lidhjeve familjare.
Njeriu nuk mund i vetëm, prandaj feja jonë i ka rregulluar dhe theksuar marrëdhëniet fqinjësore. Pjesë të kurbanit do t’i japësh fqinjit, pa marrë parasysh se cilës fe i përket fqinji… Marrëdhëniet fqinjësore janë theksuar aq shumë nga Pejgamberi ynë i dashur, sa që sahabët mendonin se fqinji do të ketë të drejtë ta trashëgojë fqinjin, për faktin se njeriu nuk mundet i vetëm.
Njeriu nuk mund i vetëm, prandaj All-llahu ia urdhëroi xhematin. All-llahu i Madhërishëm na urdhëroi që të mbahemi fortë për litarin e Tij dhe të mos përçahemi. Na bën me dije se me fenë si themelin bazik të saj, t’i bashkoi zemrat tona me fjalët La ilahe ilall-llah.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë ata që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.” [El-Enfal: 63]
Feja Islame ndalon çfarëdo që e prish harmoninë e xhematit. Të gjithë e dimë se deri ku shkon ndalimi i shqetësimit të xhematit, madje theksohet se është e padëshirueshme të hahet qepë para se të radhitemi në saf, sepse era e pakëndshme mund të shqetësojë vëllanë tënd. Që të jemi rahat të gjithë në xhemat dhe në të të mbretërojë harmonia, All-llahu i Madhërishëm urdhëron që kur shkojmë në xhami të vishemi bukur, të lahemi dhe vendojmë erëra të këndshme. Muslimanit i ndalohet madje shqetësimi i bimëve apo kafshëve, në mënyrë të rreptë i ndalohet çdo gjë që e shqetëson njeriun dhe që e prish rendin dhe ekuilibrin në xhemat.
Se sa është kujdesur për harmoninë e xhematit, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, ndoshta më së miri e dëshmon hadithi i shënuar si nga Buhariu ashtu edhe nga Muslimi, kështu që besueshmëria e tij është e padiskutueshme ku thotë: “Imami u caktua që ta ndiqni atë dhe mos dalloni nga ai. Kur të sjellë tekbir, sillni tekbir dhe ju. Kur ai shkon në ruku, shkoni edhe ju. Kur të thotë: “Semi’Allahu limen hamideh”, thuani: “Rabbena leke-l-hamd”. Kur ai shkon në sexhde, shkoni edhe ju. Kur ai qëndron në uljen, veproni edhe ju ashtu.” Natyrisht që, imamin e caktoi dikush që ia ka kontrolluar njohuritë e tij dhe që e vëzhgon korrektësinë e veprimeve të tij.
Askujt nuk i jepet e drejta e prishjes së harmoninë së xhematit. Uniteti në saf është baza e të gjithëve, dhe në të gjitha sferat e jetës. Pa dyshim, ti nuk i bindesh Pejgamberit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, nëse nuk falesh derisa xhemati është duke u falur. Pa dyshim, ju jeni të pabindur ndaj Pejgamberit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, nëse praktika e ibadetit dallohen nga xhemati ku gjendesh ty. Pa dyshim, ju jeni të pabindur ndaj Pejgamberit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, nëse largohesh nga xhemati para se imami ta përfundojë namazin…
Rëndësia e këtij uniteti të xhematit dhe sa ajo reflekton në unitetin tonë në përgjithësi, tregohet nga fakti se dijetarët tanë kërkojnë që ta praktikojmë medhhebin dhe ibadetin e xhematit ku jetojmë.
Muslimanët janë Ummeti më i mirë, thotë All-llahu i Madhëruar. Ne jemi më të mirët, po qe se urdhërojmë për të mirë, largojmë nga e keqja dhe e besojmë fort në Krijuesin. Ne sot për fat të keq jemi një Ummet pa forcë. Forcën e humbëm duke u përçarë dhe duke u përplasur mes veti.
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, duke dashur ta largojë çdo mundësi mosmarrëveshjeje, ta largojë çdo mundësi të konfliktit, këmbëngul në unitetin e xhematit dhe njëjtësinë gjatë kryerjes së ibadeteve. “Imami është caktuar që ta ndiqni, prandaj mos dalloni prej tij”, është mesazhi i Pejgamberit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, me të cilin vendos largimin e çfarëdo qoftë përçarjeje.
I lutemi Zotit që të gjithë të gjithë muslimanët ta kuptojnë këtë hadith seriozisht, në mënyrë që ata kurrë të mos përçahen. Amin!
Përshtati: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]