Pak janë ata që i kujtojnë dy krijesa, që u bënë shkak që ai të vij në këtë botë me këtë pamje kaq të bukur. Ato krijesa janë nëna dhe babai yt. Askush tjetër përveç tyre nuk do ta meritojnë këtë emër. Ata janë njerëzit, që kanë sakrifikuar për ty më shumë se kushdo tjetër.
Njëri prej tyre është nëna jote.
Ajo vuajti kur të nxori në dritë. A mos vallë mbaruan vuajtjet e saj me lindjen tënde? Jo, vallahi asnjëherë. Kur fëmija qan, qan edhe nëna bashkë me të, e kur fëmija gëzohet, edhe nëna gëzohet bashkë me të. Sa e sa net kanë kaluar e ajo nuk ka vënë gjumë në sy, vetëm e vetëm që fëmija i saj të flejë i qetë. Kjo është nëna. Kjo është krijesa për të cilën Pejgamberi (savs) ka thënë: “Xheneti është nën këmbët e nënës.”
Prindi tjetër është babai yt.
Del në mëngjes dhe kthehet në mbrëmje. Për hatër të fëmijës, sakrifikohet çdo ditë, dhe punon çdo lloj pune fizike vetëm qe ta ushqejë fëmijën e tij. Këta janë dy krijesa, për të cilët kemi përgjegjësi para Allahut të Plotfuqishëm në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Sa e sa herë u themi fjalë të rënda prindërve tonë, pa pasur aspak kujdes se si u themi e kujt ja themi, e nuk e dimë se ajo fjalë është si guri, është si hekur në zemrën e prindit dhe vetëm ata e dinë se sa e rendë ishte ajo fjalë. Sa e sa herë nuk e kontrollojmë shikimin tonë. I shikojmë prindërit tonë ashpër, sikur ata të kishin ndonjë borxh ndaj nesh dhe jo ne ndaj tyre. Sa e sa herë e prishim sjelljen tonë ndaj tyre, ua thyejmë zemrën këtyre njerëzve, duke harruar se aty ku thyhet zemra e tyre, aty vjen zemërimi i Allahut të Plotfuqishëm.
Ndërsa aty ku mbushet me gëzim zemra e prindit, aty vjen begatia e Allahut të Plotfuqishëm. Për fat të keq prindërit sot kanë dal jashtë liste. Në listën tonë i kemi fëmijët tonë, shoqërinë tonë, por vetëm pak kujdesemi për prindërit tonë. Është pikërisht ky shkaku që nuk ka bereqet në shtëpitë tona, në tregtinë tonë, në pasurinë tonë, nuk ka harmoni në familjet tona. Vallahi, respekti ndaj prindërve ndikon edhe te puna jonë.
Tregohet për një qift të ri, i cili kishte një fëmijë. Fëmijën e mbante nëna e burrit (vjehrra). Njëherë burri deshi t’i bënte një dhuratë gruas së tij dhe ia blen një unazë shumë të shtrenjtë. Nëna ishte në krahun tjetër me fëmijën e tyre. Nënës i pëlqeu një unazë e thjeshtë. Kishte kohë që nuk kishte vënë unazë në gishtin e saj, prandaj e mori atë unazë dhe e vuri në gisht.
Kur burri nxori paratë për të paguar, shitësi i thotë që duhet të paguajë edhe unazën që e kishte marrë nëna e tij. Atëherë ky djalë kthehet dhe i thotë nënës: “Plakat nuk mbajnë flori-dukat (unazë)!!”
Nëna u hidhërua, e hoqi unazën dhe doli nga dyqani duke qarë, por gruaja i thotë burrit të saj: “Nuk bëre mirë që i fole kështu. Kush do të na mbajë fëmijën tonë tani e tutje.”
Katastrofë si burri si gruaja. Kur ky njeri shkoi t’i kërkojë falje nënës së tij, ajo ia thotë vetëm një fjalë: “Nuk dua asgjë prej teje, ta beftë fëmija, ta bëftë fëmija ma zi e ma keq se ti mua.” Kjo ishte duaja e kësaj nëne dhe nuk e nxori për kollaj këtë lutje, por e tha atë fjalë në momentin kur iu thye zemra e nënës.
Vallahi, kjo është lutje e rëndë dhe mjerë për ata njerëz, mbi kokat e të cilëve bie ky lloj duaje. E lusim Allahun të na mëshirojë e të na falë.
(E huazuar, autori i panjohur)
Përzgjodhi: Miftar Ajdini