Gënjeshtra

1734

Hfz. Mehas Alija

Njeriu është urdhëruar të flas të vërtetën dhe hakun. Atij i është ndaluar gënjeshtra.

Gënjeshtrat mund të jetë dy lloje: Gënjeshtrat që ia themi vetes dhe gënjeshtrat që ua themi të tjerëve. Në të dyja rastet i bëjmë dëm më shumë vetes se të tjerëve.

Gënjeshtra ka ndikim të madh në jetën tonë dhe të të tjerëve. Ajo shkatërron besimin dhe varros vlerat morale. Në çdo fushë të jetës, gënjeshtra bën që besimi dhe harmonia të prishen. Ajo shkakton ndarje dhe konflikte mes njerëzve dhe nuk i jep vend përparimit të vërtetë.

Asnjëherë nuk duhet të jemi të sigurt se gënjeshtra mund të marr forma të saktësisë dhe të vërtetësisë. Vetëm duhet të jemi pak më të mençur dhe e dallojmë atë shumë shpejt.

Allahu i madhërishëm nuk e ka lënë që gënjeshtra të kamuflohet aq mirë sa njerëzit ta besojnë atë deri në fund.

Vetëm shikoni se si e paraqet këtë fakt Kur’ani fisnik:

„Thanë: “O babai ynë, ne shkuam të vrapojmë e Jusufin e lamë te rrobat tona, andaj e hëngri ujku. Por ti nuk na beson, edhe pse themi të vërtetën. Dhe sollën këmishën e tij të përgjakur, me gjak të rremë. Ai tha: “Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka (tjetër nga sa thoni). Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju”. (Jusuf 17-18).

Nga ajetet kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: Çdo gënjeshtër e ka gabimin e vet dhe të metën e fshehur.

Vëllezërit e Jusufit a.s. e ngjyen këmishën me gjak, por harruan ta grisin atë. Jakubi a.s., pra babai, si një pejgamber i urtë që ishte, e kuptoi menjëherë të metën e gënjeshtrës, dhe, siç përmendet në librat e tefsirit, u tha djemve: “Sa ujk i mençur paska qenë, e paska ngrënë djalin dhe e paska lënë këmishën si kujtim!

Vëlla dhe motër e nderuar, për ta përfunduar, themi: Dije se ke gabuar, sa herë që gënjeve apo shtove ndonjë muhabet të pavërtetë. Allahu e ka thënë qartë në Kur’an: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (El-Isra, 81)

Një thënie e urtë arabe thotë: „Thuaje të vërtetën dhe mos u lodh ta mbash mend atë. Ndërsa gënjeshtrën e thënë duhet ta mbash mend gjithnjë.“

(Hutbeja e xhumasë, 26.05.2023, në xhaminë El-Hidaje)