Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Hutbeja e sotme titullohet: Sfidat e lidhjeve shoqërore
Të dashur vëllezër!
Allahu i Plotfuqishë na paralajmëron në Kuranin fisnik, duke na thënë: “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Jâ sîn, 65)
Që nga krijimi i njeriut të parë e deri më sot, mënyra më e rëndësishme e komunikimit mes njerëzve ishte të folurit. Kjo është arsyeja pse dijetarët islamë i kushtuan vëmendje të veçantë gjuhës. Ata e inkurajuan dhikrin dhe fjalët e bukura, me të cilat fitohet mëshira dhe shpërblimi i Allahut, por dhe dashuria e njerëzve, por gjithashtu edhe paralajmëruan për pasojat e këqija të gjuhës, nëse ajo përdoret për qëllime të këqija. Në këtë kuptim, ata shumë shpesh e përmendnin hadithin në të cilin Pejgamberi (savs), thotë: “Vërtet njeriu mund ta shqiptojë një fjalë të cilës nuk i kushton rëndësi, me të cilën e shkakton zemërimin e Allahut, dhe pastaj hidhet në zjarr!” (Buhariu)
Mirëpo, në këto kohë të rrjedhave të përshpejtuara, vërejmë se situata në aspektin e komunikimit po ndryshon vazhdimisht, dhe se ajo ka ndryshuar në mënyrë drastike në krahasim me periudhën e jetës së Pejgamberit tonë (savs). Me zhvillimin e teknologjisë moderne dhe vendosjen e rrjeteve sociale, komunikimi i sotëm më së shumti ka kaluar nga gjuha te gishtat, andaj sot disa njerëz flasin më shumë me gishta sesa me gjuhë.
Ky revolucion në komunikim është gjithashtu edhe shenjë e afrimit të kohës, për të cilën flet Pejgamberi ynë (savs). Përkatësisht, vendet e largëta janë afruar dhe janë thyer barrierat, kështu që sot njeriu mund ta dëgjojë dhe ta shohë bashkëbiseduesin e tij, edhe pse ai është me mijëra kilometra larg. Derisa për takime të tilla dikur janë nevojitur ditë, javë e edhe muaj, sot mjafton vetëm një sekondë. Kjo, me të vërtetë një begati e madhe, të cilën duhet shfrytëzuar. Natyrisht, ajo mund të mos shfrytëzohet, siç mund edhe të abuzohet.
Për këtë arsye, e ftoj veten time dhe juve, që t’i përdorim racionalisht telefonat, kompjuterët dhe laptopët tanë, në mënyrë që ato t’i bëjmë mjete për të mbajtur kontakte me familjen, me të afërmit dhe miqtë, mjete për ta promovuar të mirën, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për ta përhapur të vërtetën, mjete për përvetësimit të njohurive, aftësive dhe informacionit të dobishëm.
Ndërsa, kurrsesi të mos i bëjmë ato mjete për humbje kohe, përkatësisht, për diskutime të kota, për thashetheme apo për përhapje të gënjeshtrave. Sepse ju e dini shumë mirë, se kur informacioni shkon në internet, ai udhëton në të gjithë botën për një çast dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda dhe të pallogaritshme. Më parë, informacionet arrinin vetëm tek një numër të vogël njerëzish. Mirëpo, sot ato arrijnë pothuajse tek çdo person, kurse sot në botë ka tetë miliardë njerëz.
Problemi nuk është pse njerëzit do t’i marrin dhe përhapin informacionet, por pse ata edhe do t’i ndjekin ato. Kjo, natyrisht, mund të jetë mirë nëse ju dërgojmë njerëzve informacione të dobishme dhe të vërteta, por edhe më keq do të jetë nëse ju dërgojmë informacione të dëmshme dhe të rreme.
Për këtë paralajmëron Pejgamberi (savs), duke thënë: “Kush thërret në të mirë, ai do të ketë shpërblim të njëjtë me shpërblimin e të gjithë atyre që do ta pasojnë dhe kjo nuk do t’i pakësojë aspak shpërblimet e tyre. Ndërsa kush thërret në të keqe, ai do të ketë mëkat të njëjtë me mëkatin e të gjithë atyre që do ta pasojnë dhe kjo nuk do t’i pakësojë aspak mëkatet e tyre.” (Muslimi)
Rreziku tjetër, i cili fshihet në përdorimin e rrjeteve sociale, reflektohet në faktin, se njerëzit sot i japin shumë rëndësi që të shihen apo të vërehen. Në atë rrugë, ata nuk zgjedhin as mjete, as rrugë, as nuk ju intereson fare fakti që e vënë veten në siklet. E vetmja gjë që ka rëndësi për ta është numri i njerëzve që do t’i shohin dhe do t’i pëlqejnë postimet, fotot ose videot e tyre. Dhe, lëre që e shqetësojnë veten, por ata i shqetësojnë edhe të tjerët. Ajo mund të jetë qesharake për ta, por është shumë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve të tjerë. Por është e rrezikshme edhe për vetë ata, para së gjithash, sepse do të përgjigjen për këtë turp para Allahut të dashur në Ditën e Gjykimit. Sepse NDERI është një nga pesë vlerat e mbrojtura në Islam, dhe ajo që është haram në botën reale është haram edhe në internet.
Lidhur me këtë, dua të theksoj edhe një problem tjetër që është i pranishëm në komunikimin mes njerëzve, veçanërisht në rrjetet sociale, e ai është prezantimi i rremë ose përdorimi i profileve të rreme. Me fjalë të tjera, duke bërë jetë të dyfishtë. Shumë njerëz brenda tyre mbajnë dy personalitete, gjë që në fakt flet për çrregullimin e tyre psikologjik. Ata para disa njerëzve thonë një gjë, kurse para të tjerëve thonë një gjë krejtësisht ndryshe. Në jetën reale ata janë njerëz të respektueshëm, të ndershëm dhe të dëlirë, kurse në botën virtuale janë të shthurur, të pamoralshëm dhe të çoroditur. Atë që nuk guxojnë ta thonë apo publikojnë me emrin e tyre, ata e thonë apo e shkruajnë me profile të rreme.
Prandaj, unë e paralajmëroj veten time dhe juve! Ne do të japim përgjegjësi për çdo fjalë, pavarësisht se a e kemi folur apo e kemi shkruar, dhe pavarësisht se a e kemi postuar me emrin e tonë apo me pseudonim, apo ndoshta me profil të rremë.
Gjithçka regjistrohet, shkruhet dhe mbahet mend. Por, mjafton që të na sheh Zoti i botëve.
Ai na porosit dhe na paralajmëron: “Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Surja Kâf, 18)
E lus Allahun e dashur që të na japë mendje dhe urtësi, që t’i përdorim begatitë e Tij në mënyrën e duhur dhe për qëllime tëmira dhe të dobishme.
O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
O Zot, na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e kanë përcjellë dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet, në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini