Cilat janë meritat tona?

409

Brezat e parë të muslimanëve e zhvilluan shkencën duke i përkthyer veprat e lashta filozofike ‎dhe duke shkruar vepra origjinale. ‎

Ata e sollën matematikën dhe me të zeron, sistemin decimal, numrat arabë, të cilët edhe sot ‎quhen ashtu. ‎

Ata e themeluan edhe algjebrën e cila u emërua sipas të famshmit El-Xhebrij. ‎

Ata gjithashtu e bënë hartën e parë të botës dhe kalkuluan shkallën e parë të planetit Tokë. ‎

Ata e hulumtuan filozofinë e lashtë përmes Suhraverdit, Ibn Tufejlit, Ibn Rushdit, Ibn Sinas …

‎Ata Evropës së errët ia treguan higjienën, i mësuan si të lahen, çka është sapuni dhe ‎parfumi. ‎

Ata ia arritën të parët ta studiojnë anatominë e njeriut dhe i vendosen themelet e mjekësisë ‎me veprën e famshme El-Qanun fit-tibb, të autorit të njohur Ibn Sina, ose Avicena. ‎

Ata e kishin dinastinë më të madhe, sundimin e Osmanëve … Por ata ishin, patën, bënë dhe ‎demonstruan. “Ai popull ishte dhe u zhdukë; ata i pret ajo që e merituan… “ (…) “dhe ju ‎nuk do të pyeteni për atë që kanë bërë ata.” “… edhe juve ju pret ajo që keni merituar…” ‎

Sot ne jemi brezat e muslimanëve, edhe pse të fesë me numër më të madh të pjesëtarëve;‎

Jemi ata që vrasin, shtypin, shkatërrojnë dhe persekutojnë në Irak, Palestinë, Siri, Jemen, ‎Myanmar…‎

Jemi të frustruar, por të pafuqishëm, shikojmë çdo ditë skena mizore dhe të pakëndshme në ‎Halep, ku vrasin civilë të pafajshëm dhe fëmijë, i shtypin të burgosurit, i shkatërrojnë vlerat ‎kulturore të Shamit të famshëm, i shkatërrojnë të arriturat e qytetërimit të atyre që ishin para ‎nesh.‎

Jemi të etiketuar me terrorizëm dhe dhunë, edhe pse e praktikojmë fenë më të pastër dhe më ‎paqësore. ‎

Jemi muslimanë matematikisht dhe informatikisht gjysmë analfabet dhe të frikësuar për të ‎luajtur me decimalet tona arabe. ‎

Jemi muslimanë të cilët pothuajse nuk e dinë kuptimin e algjebrës, e lëre më ta përdorin atë. ‎

Jemi muslimanë të cilët i frikësohen filozofisë dhe mençurisë së saj, madje edhe ata që ‎merren me të, i quajmë qafirë. ‎

Jemi muslimanë të cilët ende diskutojmë për lejueshmërinë e dhurimit të organeve, derisa ‎japonezët duke përdorur i robotët kryejnë operacione kirurgjikale nëpër botë. ‎

Vallë, ku e kemi bërë gabimin, që kemi përjetuar dekadencë në krahasim me paraardhësit ‎tanë? ‎

Si përgjigje, pak të papritur, por për hir të ilustrimit, dua t’ua kujtoj epin e famshëm për Sizifin. ‎Në të vërtetë, Sizifi ishte i njohur për personifikimin e punës së kotë. Ai u dënua që ta shtyjë ‎një gur të madh përgjatë një shpati malor për ta vënë atë në majë. Por, saherë që i afrohej ‎majës, guri i ikte dhe përsëri i kthehej në fund të kodrës. Sizifi përpiqej përsëri nga fillimi, por ‎pa sukses… ‎

Atëherë, nëse e shikojmë tablonë realiste të Umetit tonë sot, të gjithë parametrat tregojnë se ‎ne, e kemi trashëguar prezantimin e punës së kotë. Ne kot shpresojmë për ‘ndihmën e ‎mbinatyrshme’, edhepse edhe vetë jemi të vetëdijshëm se as mbinatyrshmëria nuk vjen ‎pa aktivitet.‎

Le ta kujtojmë ngjarjen e famshme me beduin, i cili hyri te Pejgamberi (savs), dhe nuk e lidhi ‎devenë, duke thënë: “Unë mbështetem në Allahun, Ai do ta ruajë atë!”, për çka Pejgamberi ‎‎(savs), iu përgjigj: “Ti lidhe devenë tënde, dhe pastaj mbështetu në Allahun se do ta ‎ruajë.” Për më tepër, Kurani i Shenjtë në shumë vende krahas besimit (amenu) në të njëjtën ‎kohë bën thirrje edhe për veprim (amilu).

‎Gjithashtu, Allahu i Plotfuqishëm, në shumë shembuj, përmes tregimeve kuranore mbi ‎pejgamberët, si njerëzit më të zgjedhur në Tokë, na fton të aktivizim dhe veprim.‎

‎“Shko ti dhe vëllai yt me argumentet e Mia!” (Taha, 42)‎

‎“Hedhe shkopin tënd!” (el-A’raf, 117)‎

‎“Merre atë (gjarprin) dhe mos u frikëso!” (Taha, 21)‎

‎“Bjeri gurit me shkopin tënd!” (el-Bekare, 60)‎

‎“Puno ti pancirë (këmisha të hekurit) të gjerë!” (Sebe, 11)‎

Këto janë vetëm disa nga imperativët që u janë urdhëruar pejgamberëve, të cilët ishin të ‎mbrojtur nga Allahu, por përkundër kësaj, prej tyre u kërkua puna dhe aktiviteti, dhe më pastaj ‎u erdhi ndihma e Allahut. ‎

Është e qartë se Allahu ka mundur t’i heq të gjitha magjitë e armiqve të Musait (a.s.), por Ai e ‎ftoi që tu kundërvihet atyre duke e hedhur shkopin, i cili u shndërrua në gjarpër. Ka mundur ‎Allahu t’ia japë burimin e ujit Musait menjëherë, por e ftoi atë që të godasë me shkop. Ka ‎mundur t’i tregojë Ibrahimit menjëherë, se si jepet jeta, por e ftoi atë që të marrë pjesë në atë ‎skenë. “… Edhe juve do t’ju presë ajo që do ta meritoni…”

‎Le ta themi shkurt, aktivizimi dhe veprimi për ne sot janë prioritetet kryesore për ruajtjen e ‎identitetit, traditës dhe fesë, kurse unë marr guxim të them, edhe jetës. ‎

https://www.preporod.com//‎

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)