Përshkrimi i muslimanëve produktiv në Kur’an

287

Sot dëshiroj të ndalemi në ajetin Kur’anor:

“Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar mirësitë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj rritet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemëroj mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh”  (El- Fet’h, 29).

Allahu i Madhërishëm jep dy përshkrime për shokët e Muhamedit a.s. Përshkrimi i parë gjendet në Teurat (Tora), ku përshkruan përkushtimin e tyre në lutje: “I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar mirësitë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes.”

Përshkrimi i dytë gjendet në Inxhil (Ungjill), ku përshkruhen si “një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj rritet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit”.

Pyetja e parë që mund të parashtrohet është: “Pse Allahu i Madhërishëm i ka përshkruar sahabët  në mënyra të ndryshme në dy libra të ndryshëm?”  Dijetarët që kanë medituar për këtë ajet thonë se, hebrenjtë nuk i jan ë bindur Ligjit të Allahut në mënyrë të vazhdueshme (kanë pasur dije, mirëpo nuk e kanë shfrytëzuar) Allahu i Madhërishëm ka dashur t’ua tregoj shembullin e popullit që do të vij dhe  i cili do t’i bindet Allahut dhe ligjeve të Tij, që këtu buron ky përshkrim i bukur për sahabët dhe lutjet e tyre.

Nga ana tjetër të krishterët në mënyrë ekstreme ishin dhënë pas fesë; bënin shumë gjëra që prej tyre nuk kërkohej, siç është shembulli i murgjve dhe murgeshave, si dhe mosinteresimi i kënaqësive të kësaj bote. Mu për këtë Allahu i Madhërishëm ka dashur t’u tregoj shembullin e popullit i cili do të jetë i devotshëm mirëpo, edhe produktiv në të njëjtën kohë.  Ngjashëm me bimën e cila qëndron e pavarur, sahabët nuk mbështeteshin në furnizimin e tjetër kujt dhe ishin të dobishëm e i  mahnitnin ata që i kishin përreth.

Kur këto dy përshkrime kombinohen, fitohet formula e saktë se si duhet të jetë një musliman produktiv: një njeri i cili i kryen obligimet e veta në kohë, që është shumë i dhënë pas lutjes, devotshmërisë dhe fesë në përgjithësi. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ai është një person i cili është prezent në sfera të ndryshme të jetës, një person që kërkon mirësitë e Zotit të tij, person që është produktiv dhe si i tillë përhap mirësitë dhe dobitë e punës së tij atyre që i ka rreth vetes ashtu sikur edhe bimët e bukura dhe të forta.

Të jem pak më i ashpër: sot kemi musliman që janë shumë të dhënë pas fesë, për mashalla. Tërë ditën i kemi në xhami, agjërojnë gjatë ditës dhe kështu me radhë. Megjithatë, dobia e tyre është individuale dhe nuk shkon përtej kësaj, sepse nuk janë produktiv dhe të dobishëm për njerëzit tjerë. Atë çka bëjnë këta musliman nuk është  keq, mirëpo njeriu do të duhej ta rregulloj jetën e tij ashtu që do të ishte i dobishëm edhe për bashkësinë ku jeton, i dobishëm për punën, të kërkoj kënaqësinë e Allahut dhe t’i përkushtohet një stili të balancuar të jetës.

Në të njëjtën kohë, kemi musliman të cilët për fat të keq nuk i kryejnë obligimet fetare, mirëpo, janë shumë produktiv në gjërat e kësaj bote. Kanë karrierë të suksesshme, janë punëtorë të zellshëm që inkuadrohen në shumë projekte shoqërore, por,  nëse do të analizonit jetën e tyre do të vërenit lëshime të shumta, si lënia e namazeve, mosagjërimi i ramazanit, mosbartja e hixhabit, etj.

Mund të pyeteni: si ka mundësi që mos t’i kemi të dyja?” Pse nuk mund të kemi musliman produktiv të cilët janë të përkushtuar në çështjet fetare dhe të cilët në të njëjtën kohë janë shumë të suksesshëm në gjërat e kësaj bote? Pse nuk mund t’i tregojmë botës një shembull unikal të muslimanëve, të cilët jetojnë ashtu siç Allahu i Madhërishëm i ka përshkruar sahabët e pejgamberit a.s në Librat e Tij të shenjta?

Ajeti i lartpërmendur i përshkruan shokët e Muhamedit a.s. të cilët ishin shembull i përkryer për gjeneratat para tyre dhe atyre që do  të vijnë. Duke ndjekur shembullin e tyre, edhe ne mund të bëhemi, nëse do Zoti,  musliman produktiv. Si ithtarë të fesë së Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij,  qëllimi ynë duhet të jetë që të mishërojmë mësimet e lartpërmendura në jetën tonë të përditshme

Përshtati: Arsim Dauti