Kur’ani fisnik zbulon disa gjëra të përbashkëta, ose më mirë thënë aleancën e pandershme ndërmjet tre llojeve të njerëzve të prishur, gjegjësisht të degjeneruar.
I pari është sundimtari tiran, i cili e shpalli veten si zot dhe që u bë i famshëm në tokën e Allahut, i skllavëroi dhe i sundoi njerëzit, kurse ky lloj tipi përfaqësohet nga Faraoni.
I dyti është politikani karrierist dhe egoist, i cili me përvojën dhe aftësitë e tij intelektuale i shërben sundimtarit tiran, për ta forcuar pushtetin e tij dhe për ta bindur popullin për nënshtrim ndaj sundimtarit, e ky përfaqësohet nga Hamani.
I treti është kapitalisti ose biznesmeni, i cili përfiton nga sundimi tiranik, kështu që e mbështet atë me një pjesë të kapitalit të tij për të fituar më shumë para nga djersa dhe gjaku i shoqërisë, ndërsa ky tipi i tretë përfaqësohet nga Karuni.
Kur’ani e përmend këtë treshe të rrezikshme që ndërlidhet me mëkatin, padrejtësinë dhe dhunën, pastaj me kundërshtimin që i bënë thirrjes së Musait a.s., për të besuar vetëm në një Zot të vetëm, derisa nuk e morën dënimin e rëndë dhe poshtërimin që nga kjo botë.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Ne e kemi pas dërguar Musain me argumente e fakte të qarta te Faraoni dhe te Hamani e Karuni, e ata i thanë: “Magjistar e gënjeshtar!” (Gafir, 23-24); “Edhe Karunin, Faraonin dhe Hamanin. Atyre Musai u solli fakte por ata treguan mendjemadhësi, ndaj nuk mundën t’i shpëtojnë dënimit.” (Ankebut, 39).
Është e çuditshme që Karuni ishte nga populli i Musait, alejhi selam, dhe jo nga populli i faraonit, por përkundër kësaj, ai shtypi popullin e vet dhe iu bashkua armikut të popullit, faraonit.
Nga ana tjetër, faraoni e pranoi atë, e që është një dëshmi e qartë se interesat materiale janë ato që i bashkuan, pavarësisht se ishin të ndryshëm në origjinë dhe kombësi.
Autor: Dr. Jusuf El-Kardavi
Përktheu: hfz. Mehas Alija
(Islampress)