Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Vëllezër të respektuar!
Tema e hutbes së sotme është: ‘Shtëpia e besimtarit. ‘
Nëpërmjet kësaj teme shumë të rëndësishme – in sha Allah – dëshiroj që të inkurajohemi të gjithë ne, që të marrim vendim të prerë, që shtëpitë tona t’i bëjmë vërtetë shtëpi të besimtarëve, që të jenë shtëpi të paqes, devotshmërisë, rahmetit, dashurisë, rahatisë, besimit dhe përparimit.
Një nga begatitë e Allahut të Plotfuqishëm për njerëzit, janë edhe shtëpitë e tyre, siç thuhet në pjesën e parë të ajetit 80, të sures el-Nahl:
وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمْ مِنْ بُيُوتِكُمْ سَكَنًا…
„Allahu ju bëri shtëpitë tuaja vendbanim (që të qetësoheni).”
Begatia e rahatisë dhe kënaqësinë mendore në shtëpitë dhe banesat tona, është një nga begatitë më të mëdha, për të cilat një numër i madh prej nesh as nuk janë të vetëdijshëm, prandaj le të mendojmë për ata që nuk e kanë atë, me të cilën neve Allahu i Plotfuqishëm na ka nderuar!
Vëllezër të dashur;
Shtëpia e besimtarit është një lloj i medresesë, fakultetit dhe universitetit dhe prej tyre do të dalin anëtarët e dobishëm të bashkësisë së ngushtë dhe të gjerë shoqërore. Aty edukohen bijtë dhe bijat më të mirë dhe të dëgjueshëm, hafizat, predikuesit, imamët, liderët, dijetarët, gjyqtarët, mjekët, politikanët, ministrat, drejtorët, komandantët, ushtarët, policët, biznesmenët, punëtorët, mjeshtrit, shoferët, rojet, fermerët, barinjtë, gratë e ndershme muslimane, nënat, amviset, edukatoret, profesoreshat dhe doktoreshat.
Vëllezër, a janë shtëpitë tona vende të rahatisë, apo mos e bëftë Allahu, vende të shqetësimit dhe pakënaqësisë? A është e mjaftueshme ta ndërtojmë një shtëpi komfor dhe të mburremi me madhësinë dhe bukurinë e saj, e të mos e bëjmë atë vërtetë shtëpi të besimtarit?
Prandaj shtrohet pyetja:
Si ta ndërtojmë një shtëpi, në të cilën do të ndjehemi rahat, shtëpi në të cilën mangësitë e saj materiale do të ndjehen të padukshme dhe të parëndësishme karshi vlerave shpirtërore me të cilat ne me anëtarët tanë të familjes do të ndjehemi të lumtur?
Si t’i kapërcejmë pengesat, të cilat gjenden në mes të anëtarëve të familjes?
Si t’i bëjmë që muret ndarëse në shtëpitë tona të jenë vetëm të natyrës fizike, kurse në komunikimin tonë të përbashkët këto mure të mos ekzistojnë?
Dhe si ta ndërtojmë një atmosfere të respektit dhe besimit reciprok?
Që shtëpitë ose banesat tona të jenë vende të qetësisë dhe lumturisë, duhet t’i ndërtojmë ose t’i blejmë ekskluzivisht me pasuri hallall, t’i pajisim apo mobilojmë, përsëri, vetëm nga mjetet e fituara hallall, si dhe para se të vendosim për të ndërtuar apo për të blerë një shtëpi apo banesë, duhet të kujdesemi për vendndodhjen e saj dhe për fqinjët e ardhshëm, si dhe gjithashtu, duhet të mendojmë që ajo të jetë sa më afër xhamisë, shkollës dhe ambulancës.
Hapi tjetër i rëndësishëm në jetën tonë është zgjedhja e bashkëshortit/es, dhe gjatë këtij vendimi të rëndësishëm të jetës, duhet ta kemi parasysh hadithin e Pejgamberit (savs): [1]
Transmeton Abdullah ibn Omeri (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Mos u martoni me gratë për bukurinë e tyre, ndoshta bukuria e tyre shëmtohet, as mos u martoni me to për shkak të pasurisë së tyre, ndoshta pasuritë e tyre shkatërrohen, por martohuni me to për shkak të fesë së tyre. Vërtet,një robëreshë e zezë besimtare është më e mirë!” (Ibn Maxhe)
Vëllezër të respektuar;
Sa muslimanë dhe muslimane sot, gjatë martesës kujdesen për atë që bashkëshorti apo bashkëshortja e ardhshme në vend të parë të jetë besimtar apo besimtare?
Islami i inkurajon besimtarët që ta ndërtojnë dhe zbukurojnë shtëpinë e tyre me falje të namazit, me lexim të Kuranit dhe me dhikër, me muhabet me besimtarët të cilët e vizitojnë atë dhe ai i viziton ata, me këshilla të bukura për anëtarët e familjes, fqinjët dhe miqtë.
Në hadithin vijues thuhet: [2]
Transmeton Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu, dhe i shtëpisë në të cilën nuk përmendet Allahu, është sikurse shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Muslimi)
Vëllezër të dashur;
Sa shumë shtëpi muslimane sot, janë të vdekura dhe të shurdhra, sepse në to nuk përmendet emri i Allahut të Plotfuqishëm!
Sa shumë shtëpi dhe banesa muslimane sot, janë shndërruar në banesa të xhinëve dhe shejtanëve!
Sa shumë shtëpi muslimane sot, pa vetëdije dhe njohuri për këtë, kanë si qiraxhinj ushtri të shejtanëve;
të cilët së bashku me familjarët hanë ushqim haram,
të cilët hanë ushqim shtesë nga enët e palara,
të cilët kënaqen në shtëpitë dhe banesat e braktisura dhe të pa pastruara,
të cilët bashkë me ta dëgjojnë muzikë, i përcjellin koncertet, shou emisionet, zgjedhjen e misit dhe misterit, shikojnë seriale dhe filma të turpshëm,
të cilët me ta votojnë për të ashtuquajturit yje,
të cilët me fëmijët e tyre shfletojnë nëpër internet,
të cilët me ta vejnë kozmetikë, i bëjnë thonjtë me llak ose i rregullojnë, vendosin pirsingje në hundë, në buzë, në vetulla dhe në stomak, i shkulin vetullat dhe e zbulojnë trupin – dhe shejtanët pa asnjë detyrim për të paguar qiranë kënaqen dhe shumohen!
Nga shtëpitë e tilla largohen melekët, përveç atyre melekëve të cilët me besnikëri regjistrojnë se çka ndodh në to, në mënyrë që banorëve të tyre në Ditën e Gjykimit, tu jepen librat e tyre dhe tu thuhet:
إِقْرَأْ كِتَابَكَ كَفَى بِنَفْسِكَ الْيَوْمَ عَلَيْكَ حَسِيبًا
“Lexoje librin tënd, mjafton që ti sot vetë për vetveten të japësh llogari!” (el-Isra’, 14)
Banorët e shtëpive të tilla janë të dëshpëruar, të tërbuar, të pa gjumë, të uritur, të etur, të pakënaqur dhe me plotë zemërim dhe urrejtje.
Shtëpia e besimtarit është e pastër nga fotografitë në mure, nga statujat dhe qentë, dhe nëpër të nuk ecin njerëzit e palarë (xhunub), në përputhje me hadithin e Pejgamberit (savs): [3]
Transmeton Ali ibn Ebi Talibi (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Melekët nuk hyjnë në një shtëpi ku ka pikturë, qen ose njerëz xhunub (të palarë).” (Nesaiu)
Në shtëpinë e besimtarit nuk ka vend për zakonet jo-islamike dhe për imitimin e të tjerëve, të cilën gjë e konfirmon hadithi në vijim: [4]
Transmeton Abdullah ibn Omeri (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kushdo që e imiton një popull, ai është i tyre.” (Ebu Davudi)
Vëllezër të respektuar;
Le t’i gjallërojmë shtëpitë tona me lexim të Kuranit, me namaz nafile, me përmbajtje islame, me bindje dhe respekt ndaj prindërve tanë nëse janë të gjallë, kurse me lutje për ta nëse kanë vdekur, me edukim islam të fëmijëve tanë, me këshilla të përditshme për anëtarët e familjes sonë, duke ua kujtuar se kush janë dhe pse janë në këtë botë, duke u kujdesur për xhematin në xhami, duke i dërguar fëmijët në mekteb, duke i ruajtur lidhjet familjare, duke u kujdesur për fqinjët, duke u ndihmuar të varfërve dhe jetimëve, dhe duke u brengosur vazhdimisht se çka kemi përgatitur ne dhe anëtarët tanë të familjes për botën tjetër!
O Allah, na forco neve në rrugën e Islamit!
Na bëj neve prej atyre, shtëpitë e të cilëve janë të besimtarëve, në të cilat do të edukohen besimtarët, të cilët do t’i frikësohen vetëm Allahut të Plotfuqishëm!
O Zot! Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë!
Mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tanë, të cilët na e sollën dritën fesë islame!
Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri ata udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të Fesë dhe të Atdheun dhe bëri gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën tjetër!
O Allah! Na i fal mëkatet tona, na i fshih turpet tona dhe na i prano veprat tona të mira!
Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini
Hatib: Nezim ef Haliloviq Muderris; Akos.ba;
[1] ) عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عُمَرَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: “لَا تَزَوَّجُوا النِّسَاءَ لِحُسْنِهِنَّ فَعَسَى حُسْنُهُنَّ أَنْ يُرْدِيَهُنَّ وَلَا تَزَوَّجُوهُنَّ لِأَمْوَالِهِنَّ فَعَسَى أَمْوَالُهُنَّ أَنْ يُطْغِيَهُنَّ وَلَكِنْ تَزَوَّجُوهُنَّ عَلَى الدِّينِ وَلَأَمَةٌ سَوْدَاءُ ذَاتُ دِينٍ أَفْضَلُ” (ابن ماجة)
[2] ) عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أَنَّ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: “مَثَلُ الْبَيْتِ الَّذِي يُذْكَرُ اللَّهُ فِيهِ وَالْبَيْتِ الَّذِي لَا يُذْكَرُ اللَّهُ فِيهِ كَمَثَلِ الْحَيِّ وَالْمَيِّتِ.”(مسلم)
[3] ) عَنْ عَلِيِّ بْنِ أَبِي طَالِبٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: “لَا تَدْخُلُ الْمَلَائِكَةُ بَيْتًا فِيهِ صُورَةٌ وَلَا كَلْبٌ وَلَا جُنُبٌ.” (النسائي)
[4] ) عَنْ عَبْدِ اللَّهِ ابْنِ عُمَرَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ:” مَنْ تَشَبَّهَ بِقَوْمٍ فَهُوَ مِنْهُمْ.” (أبو داود)