Foreign Policy: Lindja e Mesme po kalon një moment vendimtar

1304

Mungesa e mbrojtjes së SHBA-së për naftën Saudite, do të thotë, që Shtetet e Bashkuara nuk janë më të interesuara për Lindjen e Mesme, shkruan Steven Cook për ‘Foreign Policy’.

Politika e SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore në Lindjen e Mesme ka qenë e determinuar me tri gjëra:

(1) me sigurimin e qarkullimit të lirë të naftës në Lindjen e Mesme,

(2) me mbrojtjen e Izraelit dhe

(3) me eliminimin e çdo shteti ose grupi jo-shtetëror, që i kërcënon seriozisht interesat e SHBA-së në Lindjen e Mesme, shpjegon ai.

Për këtë arsye, ky moment pas sulmit në ARAMCO, është shumë i rëndësishëm, sepse mënyra se si do të reagojnë SHBA-të ndaj këtij sulmi, do të jep përgjigje nëse e konsiderojnë elitat amerikane furnizimin me energji nga Lindja e Mesme ende si interes themelor kombëtar, apo, siç besojnë shumë analistë, SHBA-të po fillojnë të tërhiqen nga Lindja e Mesme.

Pasiqë për sulmet në objektet e naftës saudite është akuzuar Huthi, shkruan Cook, shumë shpejt midis analistëve politikë u zhvillua një debat në lidhje me përgjegjësinë Saudite për vuajtjet e Jemenasve, për atë sesa është ndikimi i Iranit në lëvizjen Huthi, si dhe kundër kujt, në realitet, po luftojnë Sauditët atje.

Disa analistë mendojnë se Pompeo e ka tepruar duke e fajësuar Iranin për sulmet. Ka më shumë të ngjarë, mendon Cook, që Irani është përgjegjës indirekt për sulmin, sepse regjimi i Teheranit ka një histori të gjatë, që i shmanget goditjeve të drejtpërdrejta ndaj armiqve të tij, duke i shfrytëzuar kukullat e tij, të përfaqësuara në grupet shiite vendase, të cilat regjimi i Teheranit i furnizon me para dhe armë, kurse si kompensim për këtë, ata bëjnë punë të ndyra për Iranin në të gjithë rajonin. Të tjerë, megjithatë, pajtohen me akuzën e Pompeos, veçanërisht pasi që rezultatet e para të hetimit treguan, se për sulmin janë përdorur raketat kryqëzore.

Qëndrimi amerikan ndaj naftës në dritën e shfaqjes së energjisë alternative

Ka mundësi që për SHBA-të nafta të bëhet më pak e rëndësishme, për shkak të shfaqjes së energjisë alternative dhe makinave elektrike, pohon Cook, por megjithatë, eksploatimi i naftës së Lindjes së Mesme, do të mbetet një nga interesat themelore amerikane, pasi mirëqenia amerikane dhe botërore, do të mbetet kryesisht e varur nga nafta. Prandaj dhe është shumë e çuditshme, që reagimi i administratës së Trumpit ndaj sulmeve në objektet e naftës saudite, është kaq i ftohtë dhe i rezervuar.

Zhvillimet në Gjirin Arabik i kanë konfirmuar Iranit, se mund t’i eskalojë marrëdhëniet në rajon pa u ndëshkuar. Garda Revolucionare gjatë pranverës dhe verës filloi sulme ndaj cisternave, më pas rrëzoi një dron spiun amerikan, duke penguar vazhdimisht kalimin e cisternave nëpër ngushticën e Hormuzit. Reagimi i administratës së Trumpit për të gjitha këto ishte shumë i dobët. Uashingtoni si një nga sanksionet, ka vendosur një masë që ndalon hyrjen në SHBA dhe bllokimin e pronave në SHBA, të zyrtarëve iranianë, të cilët në fakt, as nuk udhëtojnë në SHBA dhe as nuk kanë prona atje.

Irani dhe të gjithë kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, kanë çdo arsye të besojnë se Trumpi nuk është serioz në lidhje me kërcënimet e tij. Sikur Trumpi të reagonte me një sulm ndëshkues, pasi që Irani e rrëzoi aeroplanin amerikan, regjimi iranian do të kishte menduar dy herë, para se të vendoste t’i sulmonte objektet e naftës saudite, raporton Cook.

Secila politikë mbart me vete rreziqe të caktuara, por nëse Irani qëndron prapa sulmit ndaj objekteve të naftës saudite, kjo do të thotë se regjimi i Teheranit, e ka vënë në pikëpyetje krejt bazën logjike të investimeve amerikane në Lindjen e Mesme gjatë 70 viteve të fundit. Nëse Trumpi nuk përgjigjet ushtarakisht, Shtetet e Bashkuara duhet t’i paketojnë gjërat e tyre dhe të kthehen në shtëpi, përfundon Cook.

Përkthim: Miftar Ajdini