Ne muslimanët e Hungarisë dëshirojmë që Bashkësia Islame e Bosnjes të na merr nën mbrojtjen e saj

1295
Bolek Zoltán,Magyar Iszlám Közösség

Definitivisht, unë kam ardhë në përfundimin se në çdo kohë Boshnjakët ishin jashtëzakonisht besnikë ndaj Hungarisë, në të cilën ata jetuan. Madje, mund të them, se ata ishin jashtëzakonisht atdhetarë të mirë, të cilët e mbronin integritetin territorial të këtij vendi. Kam shkruar shumë studime për këtë në gjuhën hungareze, sepse këto janë tema jashtëzakonisht të rëndësishme. Aktualisht jam i përkushtuar në mësimin e gjuhës boshnjake, për ta përfunduar hulumtimin tim për doktoraturë.

Intervistoi: Admir LISICA

Pozita e muslimanëve në Hungari ka pësuar ndryshime të rëndësishme pas fillimit të krizës së emigrantëve, kur partitë e krahut të djathtë dhe organizatat e ndërlidhura filluan një fushatë kundër emigrantëve muslimanë. Presidenti i Bashkësisë Islame të Hungarisë, Zoltan Bolek, thotë se ky komunitet pakicë ka ndjerë presione të ndryshme pas këtyre ngjarjeve, por ai gjithashtu thekson, se kjo nuk i ka dekurajuar ata në përpjekjet e tyre për ta forcuar Bashkësinë Islame të Hungarisë. Në një intervistë për ‘Stav’, Boleku flet për komunitetin musliman në Hungari, pozitën e tyre, por edhe për boshnjakët, të cilët janë objekt i hulumtimit të tij të doktoraturës.

STAV: Ju jeni presidenti i Bashkësisë Islame në Hungari, e cila vitet e fundit është përballur me problemin e islamofobisë. A jeni të kënaqur me pozitën e komunitetit musliman në këtë shtet?

BOLEK: Mund të them se jam pjesërisht i kënaqur, dhe për këtë ka disa arsye. Në fakt, Bashkësia Islame e Hungarisë që nga fillimi i veprimtarive të saj në vitin 1988, kishte probleme të rëndësishme me regjistrimin e saj, pasi që ajo duhej të trajtohej sipas ligjit të atëhershëm të kishës, që kishte të bënte me bashkësitë fetare. Ligji i ri që rregullon të drejtat e “bashkësive të kishave”, ka hyrë në fuqi në vitin 2012. Sa u përket rrethanave të tjera, të gjithë e dinë se nga viti 2015, filloi kriza e emigrantëve, e cila ndikoi dukshëm në qëndrimin ndaj muslimanëve në Hungari. Që atëherë, ka filluar një fushatë fyese anti-islamike, e cila nuk na ka anashkaluar, paraardhësit e të cilëve kanë jetuar në Hungari qindra vjet më parë. Për shembull, kishte pyetje “kur ne (muslimanët hungarezë) do të kthehemi në shtëpi.” Përgjigja jonë ishte se kjo është shtëpia jonë, sepse kemi lindur këtu si të gjithë paraardhësit tanë shumë vite më parë.

STAV: Sa është i madh komuniteti musliman në Hungari, si dhe në çfarë mase është kjo përqindje e hungarezëve që janë konvertuar në besim?

BOLEK: Pyetje shumë e rëndësishme. Përafërsisht, aktualisht në Hungari jetojnë midis 40 dhe 50 mijë muslimanë, të cilët, natyrisht, janë me prejardhje të ndryshme etnike. Në këtë numër të theksuar, afro 10.000 janë hungarezë të lindur, të cilët janë konvertuar në Islam gjatë jetës së tyre. Është e pritur, shumica e këtyre muslimanëve janë me origjinë nga një prej vendeve arabe, por duhet të theksohet se me siguri ka edhe rreth 3.000 muslimanë nga Republika e Turqisë. Kur bëhet fjalë për muslimanët nga Ballkani, siç është e pritur, shumica e tyre janë Boshnjakë dhe Shqiptarë, numri i të cilëve vlerësohet se është rreth 3.000. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se një numër i madh i muslimanëve, të cilët vijnë nga vendet e tjera, nuk e kanë të zgjidhur çështjen e shtetësisë, gjë që atyre ju shkakton problem.

STAV: Para disa vitesh jeni takuar me një delegacion të Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës. Në atë takim, ju keni bërë kërkesë për t’u bashkuar nën një çati të shtëpisë së muslimanëve në Bosnjë dhe Hercegovinë. A ka pasur ndonjë përparim në këtë çështje?

BOLEK: Duhet të theksoj se ne kemi marrëdhënie aktive me Bashkësinë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës. Sidoqoftë, për fat të keq, kërkesa jonë për t’u bashkuar me këtë bashkësi, që e kemi bërë disa vjet më parë në atë takim, nuk është pranuar ende. Ne e bëmë atë kërkesë sepse dëshirojmë të bashkohemi me Muftininë e Sarajevës, gjë që do të na lehtësonte aktivitetet tona në të ardhmen. Shpresojmë se në të ardhmen do të pranohemi.

STAV: Në periudhën e mëparshme, keni shkruar disa studime të rëndësishme për historinë e boshnjakëve që kanë jetuar në Hungari gjatë Luftës së Parë Botërore. Cilat janë mendimet tuaja për këtë temë disi të harruar?

BOLEK: Integrimi i boshnjakëve, ushtarët boshnjakë gjatë periudhës austro-hungareze, rrjedha e tyre e jetës gjatë Luftës së Parë Botërore – janë temat që unë i eksploroj. Gjithashtu, jam marrë edhe me jetën e tyre pas përfundimit të luftës së përmendur.

Definitivisht, unë kam ardhë në përfundimin se në çdo kohë Boshnjakët ishin jashtëzakonisht besnikë ndaj Hungarisë, në të cilën ata jetuan. Madje, mund të them, se ata ishin jashtëzakonisht atdhetarë të mirë, të cilët e mbronin integritetin territorial të këtij vendi. Kam shkruar shumë studime për këtë në gjuhën hungareze, sepse këto janë tema jashtëzakonisht të rëndësishme. Aktualisht jam i përkushtuar në mësimin e gjuhës boshnjake, për ta përfunduar hulumtimin tim për doktoraturë.

Lidhjet tona politike, kulturore dhe historike na bëjnë tejet të lidhur, gjë që është një avantazh i rëndësishëm. Nga ana tjetër, ajo që duhet ta theksojmë më shumë është lidhja ekonomike midis dy vendeve, ku duhet të bashkëpunojnë më shumë. Pikërisht aty unë e shoh potencialin e bashkëpunimit në të ardhmen, sepse aspekti ekonomik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo vend, e po ashtu edhe për Hungarinë dhe BeH.

STAV: Si e vlerësoni pozitën aktuale të muslimanëve në Evropë?

BOLEK: Muslimanët autoktonë evropianë dhe emigrantët muslimanë, sot po përballen me të njëjtat sfida. Për këtë arsye mësimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të kemi imamë, të cilët janë të ditur dhe i njohin zakonet lokale të vendit ku ata jetojnë. Bashkëpunimi midis muslimanëve është shumë i rëndësishëm, por gjithashtu edhe zhvillimi i dialogut me komunitete të ndryshme fetare. Dobësia e muslimanëve në Evropë është për shkak se nuk ka unitet midis tyre, kurse ne e dimë se qëndrimet dhe reflektimet unike janë jashtëzakonisht të rëndësishme brenda një grupimi të veçantë.

Burimi: Stav.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)