Ballafaqimi me sprovat

1983

Ka njerëz të cilët do ta pranonin udhëzimin dhe rrugën e drejtë të cilën ua ofron Allahu i Madhërishëm, por u frikësohen sprovave që do tu ndodhin atyre në këtë rrugë, kështu që duke mos kuptuar ata ia shkatërrojnë vetvetes jetën në këtë botë dhe në botën tjetër. Ata të cilët i frikësohen vetëm Allahut, ata nuk kanë frikë se çfarë do të thonë prindërit, të afërmit, fqinjët, dhe çfarë do të thotë dikush tjetër, nëse i binden Krijuesit të tyre dhe nëse ecin rrugës së drejtë. Sepse ata e dinë se as prindërit, as të afërmit, as fqinjët, ose dikush tjetër nuk do të jetë në gjendje t’i mbrojë nga Allahu i Madhërishëm dhe nga dënimi i Tij në Ditën e gjykimit për mosbindjen dhe mosdëgjimin e tyre ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij (savs). Sepse prindërit, të afërmit dhe ata për shkak të cilëve janë të pabindur ndaj Allahut, do të kujdesen vetëm për veten e tyre dhe nuk do t’i njohin ata në Ditën e gjykimit. Andaj, Allahu i Madhërishëm i informon njerëzit duke thënë:

“E kur të vijë ushtima shurdhuese – Atë ditë kur njeriu ik nga vëllai i vet, – Edhe nga nëna edhe nga babai i vet, – Edhe nga shoqja e vet dhe djemtë e vet, – Atë ditë secilit njeri do t’i mjaftojë çështja e vet.” (Abese, 33-37)

Dhe tani, ti o robi Allahut shiko, a ia vlen ta shkatërrosh jetën tënde në këtë botë dhe në botën tjetër, për dikë që nuk do të vë re ty në Ditën e llogaridhënies, e lëre më që do të jetë në gjendje të mbrojë nga Allahu i Madhërishëm dhe dënimi i Tij?

Allahu i Madhërishëm e ka ditur kur i ka krijuar shpirtrat, se cili prej tyre do të shkojë në xhenet dhe cili në xhehenem, andaj thotë:

“Ne kemi krijuar shumë njerëz dhe exhin për xhehenem. Ata kanë zemër – por me to nuk kuptojnë, ata kanë sy – por me ta nuk shohin, ata kanë veshë – por me ta nuk dëgjojnë, ata janë sikur kafshët, madje edhe më të humbur – ata janë indiferentë.” (El-A’raf, 179)

Njerëzit në këtë botë janë për t’u sprovuar, andaj Allahu i Madhërishëm thotë: “Gjithë çka ka në tokë Ne e kemi krijuar si zbukurim për të, që t’i sprovojmë cili prej tyre bën vepra më të mira.” (el-Kehf, 7)

Në ajetin tjetër Allahu i Madhërishëm thotë: “I cili ka krijuar vdekjen dhe jetën që t’iu provojë se cili prej jush bën vepra më të mira. Ai është i fortë, Ai fal.” (el-Mulk, 2)

Është e pashmangshme që besimtari në rrugën kah Allahu, të kalojë pa sprova, sepse ky është vullneti dhe caktimi i Allahut të Plotfuqishëm, i Cili bën çka do dhe i Cili është i pavarur nga të gjitha krijesat e Tij. Duke folur rreth faktit se edhe ata që kanë qenë para nesh janë sprovuar, Allahu i Madhërishëm thotë:

“A keni menduar se do të hyni në xhenet pa u goditur edhe juve sikur që i goditi ata të cilët janë sprovuar para jush? Ata i goditi skamja dhe dëmet, duke u tronditur aq sa edhe Pejgamberi edhe ata që besonin me të patën thënë: “Kur më ndihma e Allahut?” Qe, ndihma e Allahut njëmend është afër.” (el-Bekare, 214)

Vetëm shikoni se çfarë pyet Allahu i Plotfuqishëm. A po mendon ta shijosh xhenetin dhe të hysh në të dhe të shpëtosh pa u sprovuar? Shiko se si janë sprovuar ata para nesh, janë shqetësuar nga sëmundjet dhe varfëria. Dhe çka të shqetëson ty? Dëshiron të hysh në xhenet, por nuk dëshiron të përballosh vuajtje? Nuk ka rrugë tjetër nëse e do xhenetin përveç se të kapesh fortë me sprovat, dhe me guxim e vendosmëri t’i kapërcesh të gjitha pengesat që të dalin në rrugën e xhenetit, sepse xheneti është një mall i shtrenjtë.

Allahu i Madhërishëm thotë: – Allahu i ka blerë nga besimtarët shpirtrat dhe pasuritë e tyre me xhenet. (et-Tevbe, 111)

Allahu i Madhërishëm besimtarëve u premton sprova, sepse vullneti i Tij është i tillë dhe Ai bën çka do, andaj thotë: “Ne gjithsesi do t’ju sprovojmë me diçka nga frika dhe uria, edhe me humbje të pasurisë dhe të jetës e të frutave. Dhe ti përgëzoji durimtarët.” (el-Bekare, 155)

Prandaj, nuk ka asnjë besimtar i cili ka ecur rrugës së drejtë e që nuk është sprovuar. E pra, edhe vetë Pejgamberi (savs), ka qenë i sprovuar më tepër se çdo besimtar tjetër. Andaj, nëse dikush do të ishte kursyer nga sprovat, ky do të ishte Muhamedi (a.s.), e ku jemi ne në krahasim me të?

Allahu i Madhërishëm u drejtohet atyre të cilët e quajnë veten besimtarë dhe që thonë se besojnë, andaj thotë:  “A mendojnë njerëzit se do të lejohen të thonë “ne besojmë” e të mos vihen në sprovë? “ (el-Ankebut, 2)

Pra, Allahu i informon se ata që veten e quajnë besimtarë, i ka vënë në sprovë dhe përse i ka vënë në sprovë, andaj thotë:

“Ne i kemi vënë në sprovë edhe ata përpara tyre, se Allahu me të vërtetë i di ata që flasin të vërtetën dhe ata që gënjejnë.”  (el-Ankebut, 3)

Pse janë sprovat? Për shkak të gënjeshtarëve (hipokritëve), sepse po të mos ishin sprovat të gjithë njerëzit do të thoshin se janë besimtarë. Allahu i Madhërishëm i ndanë njerëzit e sinqertë nga të pandershmit (gënjeshtarët), sepse vetëm të sinqertët (ata që vërtetë besojnë në Allahun, në atë që ka shpallur dhe në atë që bën thirrje)  do të ballafaqohen me sprovat, ndërsa ata që nuk janë të ndershëm (të cilët gënjejnë vetveten dhe të tjerët) nuk do të kenë fuqi të ballafaqohen me sprovat, të cilat Allahu i Madhërishëm u jep si provim i besimit në Të dhe në rregullat që Ai shpall.

Dhe për fund, do ta theksojmë recetën për falje të sigurtë të Allahut, e cila konsiston në tri gjëra:

1. Pendimi nga ajo që duhet penduar;

2. Besimi dhe bërja e veprave të mira;

3. Vazhdimi deri në fund në rrugën e drejtë.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Unë, me siguri, jam falës i madh për atë, i cili, pendohet dhe beson e bën vepra të mira, mandej e vazhdon rrugën e drejtë.” (Ta-Ha, 82)

Andaj e lusim Allahun e Plotfuqishëm që të na bëjë prej të sinqertëve të cilët do t’i dëshmojnë Allahut se besojnë në ato që Ai i shpall dhe ato në të cilat Ai bën thirrje! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini