Mesazhet e israsë dhe miraxhit

5930

Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve, i Cili i shpërblen robërit e Tij sipas shkallës së imanit të tyre. Salavati dhe selami, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), i cili e fitoi shkallën më të lartë të imanit, dhe kështu e fitoi shpërblimin më të lartë, që është Israja dhe Miraxhi.

Vëllezër të dashur!

Nesër në mbrëmje (e shtunë, 21 mars 2020), me lejen e Allahut, hyn nata e dytë nga katër netët e mëdha – Nata e Israsë dhe Miraxhit, nata kur Muhamedi (savs) së pari udhëtoi nga Qabeja deri në Kuds (Israja), ku i priu namazit me të gjithë pejgamberët, dhe pastaj u ngjit në sferat më të larta qiellore, si musafir i Zotit të tij (Miraxhi), kur e kaloi kufirin e Sidretul-muntehas, të cilin kurrë askush nga robërit e Allahut nuk e kishte kaluar, pastaj iu afrua aq shumë Zotit të tij sa që gati mund ‘ta prekte’, bisedoi me Të, e pa xhenetin dhe xhehenemin, dhe mori me vete në Tokë pesë namazet ditore dhe ia solli umetit të tij si mëshirë dhe obligim.

Sipas këtyre ngjarjeve, edhe një sure e Kuranit quhet el-Isra, e cila fillon me këtë ajet:

سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَىٰ بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِّنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا ۚ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ ﴿١

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij, i Cili robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit).”

Ky ajet fillon me fjalët ”Subhanel-ledhi”. Këto janë fjalë që në arabisht përdoren për të shprehur çudi. Me këto fjalë, Allahu i Plotfuqishëm porosit: “Kjo ngjarje është e çuditshme”. Dhe, meqenëse ajo është e pakuptueshme dhe e pakapshme për ju, atëherë ju besoni dhe thoni: “Falënderimi qoftë për Atë i Cili mund të bëjë gjithçka!”

Prandaj, kjo ngjarje është muxhize (ngjarje e çuditshme, e mbinatyrshme), dhe atë e besojnë të gjithë ata që mendojnë si Ebu Bekri, Omeri dhe sahabët tjerë (r.a.), të cilët nuk e konsideruan të vërtetë vetëm atë që është e natyrshme dhe që mund të kuptohet me mendje. Nga ana tjetër, ka njerëz, të cilët nuk besojnë në këtë ngjarje, sepse mendja e tyre nuk e kupton. Këta njerëz janë si Ebu Lehebi, Ebu Xhehli dhe njerëzit primitiv të ngjashëm me ta, të cilët nuk mund t’i kuptonin mesazhet e Kuranit, sepse Kurani ju shpall atyre njerëzve të cilët kanë mendje, që të marrin mësim.

Në vazhdim të ajetit thuhet: ”I Cili robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës”. Ka njerëz që besojnë se Pejgamberi (savs) vetëm e ëndërroi Isranë dhe Miraxhin, domethënë, që ai udhëtoi vetëm me shpirt. Pejgamberi (savs) e mohoi këtë duke thënë: “Unë jam transferuar natën.” Këtë gjithashtu e mohon edhe Allahu i Lartësuar kur thotë: “E kaloi robin (abd) e Vet”, sepse fjala abd, në arabisht do të thotë ‘njeri’ i cili ka trup dhe shpirt, jo vetëm shpirt.

Ajo që është edhe më interesante në këto fjalë është se Allahu i Lartësuar e transferoi robin (abd) e Tij, jo Muhamedin (savs). Kjo tregon se ngjarjet e Israsë dhe Miraxhit janë të hapura për të gjithë robërit e Allahut, jo vetëm për Pejgamberin (savs), por që ne mund ta përjetojmë atë vetëm shpirtërisht, sepse ne nuk mund ta arrijmë pozitën e Muhamedit (savs), tek Allahu i Plotfuqishëm.

Si mund të shkojmë ne në Isra dhe Miraxh?

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Namazi është Miraxhi i besimtarëve.” Kjo do të thotë, se ne mund të shkojmë në Isra dhe Miraxh vetëm derisa falemi. Pse na nevojitet neve udhëtimi në Isra dhe Miraxh? Në mënyrë që, sikurse Pejgamberi (savs) ta fitojmë mbështetjen dhe mëshirën e Allahut, dhe ta heqim barrën e shpirtit tonë, të cilin çdo ditë e rëndojnë telashet dhe mundimet.

Pejgamberi (savs), na ka informuar se kur njeriu qëndron në namaz, poshtë këmbëve të tij  paraqitet një nur (dritë), i cili konektohet (lidhet) drejtpërdrejt me Qaben, përmes së cilës Allahu i Madhëruar e zbret mëshirën e Tij në tërë planetin. Kështu, njeriu sapo të merr tekbirin e parë, për një moment, e bën udhëtimin e tij të Israsë dhe gjendet para Qabes, nga e cila gjatë procesit të namazit e thith çdo atom të mëshirës, ​​të cilin arrin ta merr me modestinë dhe përqendrimin e tij.

Ndërsa kur fillon ta lexojë suren el-Fatiha, atëherë ai fillon të ngjitet në Miraxh. Fatiha ka 7 ajete, aq sa është numri i qiejve (dimensioneve). Derisa njeriu e lexon Fatihan, me secilin ajet ai ngjitet në qiellin tjetër, ndërsa kur ta përfundojë Fatihan, atëherë e kapërcen Sidretul-muntehan dhe e gjen veten para Zotit të tij, ku ka mundësi t’i drejtohet (me sure të zgjedhur në kijam, me dhikër në ruku dhe sexhde, me et-tehijat në ulje, me lutje në sexhde ose pas salavatit) dhe të thotë çka ka në shpirtin e tij.

Miraxhi, gjithashtu, arrihet përmes modestisë dhe përqendrimit. Dhe ky namaz, në fakt,  është namazi i rregullt, i cili njeriut i sjell paqe te njeriu, i cili njeriun e ndalon të bëjë vepra të këqija, dhe nga i cili në Ditën e Gjykimit do të varet rregullsia e të gjitha veprave tjera të njeriut.

Prandaj, vëllezër të dashur,

Sa herë që ndjeni se jeni në situatë të vështirë psikike, të ngarkuar me probleme, kthehuni te burimi juaj – te namazi, shkoni në Isra dhe ngrihuni në miraxh te Zoti juaj, dhe do të çliroheni nga të gjitha vështirësitë.

Në fund, le ta lexojmë sa më shpesh, të paktën 3 herë në mëngjes dhe 3 herë në mbrëmje, lutjes vijuese: “Me emrin e Zotit, nga përmendja e të Cilit asgjë në qiej e në tokë nuk mund të bëjë të keqe! Ai është Dëgjues dhe i Gjithëditur.”

I lutem Allahut të dashur, që të na japë vullnetin për namaz, që ta falim atë rregullisht dhe sinqerisht, dhe kështu të na shpëtojë nga të gjitha fatkeqësitë dhe veprat e liga të njerëzve hipokritë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)