Dashuria ndaj Ebu Hanifes është shprehje e ndjekjes së Sunetit

1446

Padyshim, Ebu Hanife është njëri prej dijetarëve më të mëdhenj të Islamit dhe themelues i njërës prej katër shkollave eminente të së drejtës së sheriatit, të cilat sot ndiqen nga qindra miliona musliman të kohës sonë.

Në këtë tekst, dëshiroj të ndalem në kritikat të cilat shumë herët janë  thënë ndaj tij. Nuk do të ndalem në  shpifjet dhe akuzat e pabaza.

Si edhe dijetarët tjerë të mëdhenj edhe Ebu Hanife ka qenë objekt i shumë intrigave dhe  shpifjeve të mëdha. Në këtë kontekst, Abdullah ibn Davud El-Kurejbi ka thënë: “Kritikuesit e Ebu Hanifes janë dy llojesh: të parët të cilët aspak nuk e kanë njohur dhe të dytët të cilët e kanë xhelozuar për shkak të kualiteteve të pakontestueshme intelektuale.  Sipas mendimit tim, të pa dijshmit  janë më të mirë se këto dy grupe”

Shumica e bashkësisë akademike asnjëherë nuk është marrë me akuzat e vogla. P.sh. kur Ibn ‘Aisha dëgjoi disa njerëz se si flasin: “Ne nuk dëshirojmë të marrim asgjë nga Ebu Hanife, qoftë edhe hadith, ai u tha: “Nëse do ta kishit takuar dhe ta njihnit nuk do të flisnit në këtë mënyrë.” Në një situatë të ngjashme Ebu Muavije Muhamed b.Hazm ed-Darir ka thënë: “Dashuria ndaj Ebu Hanifes është shprehje e ndjekjes së Sunetit.” Kjo është vetëm një nga deklaratat e njerëzve, të cilët e kanë mbrojtur Ebu Hanifen dhe autoritetin e tij nga shpifjet të cilat për fat të keq janë prezente edhe në kohën tonë. Me këto deklarata dijetarët eminent kanë zhvilluar vlerat njerëzore dhe sjelljen e drejtë ndaj dijetarëve bashkëkohorë dhe atyre të mëparshëm. Nuk ka vend për jo tolerancë dhe arrogancë tek kërkuesit e diturisë.

Në të vërtetë, kur shikojmë në kontekst të akuzave që vijnë nga bashkëkohanikët e Ebu Hanifes, shohim se ato janë nxitur nga situata aktuale, dhe janë dhënë pa ndonjë mendim të veçantë. Këto janë lloje të deklaratave për të cilat më vonë njerëzit pendohen, në një përpjekje për minuar reputacionin e dijetarëve të mëdhenj.

Sa i përket deklaratave të cilat  Ebu Hanifen e portretizojnë si bidatçi apo heretik, janë thënë në kohën kur mësimet dhe metodologjia e tij nuk ishin formuar në një shkollë të veçantë (medhheb) dhe kur ekzistonin paragjykime reale për kuptimin dhe komentimin e gabuar të qëndrimeve teologjike të tij. Në përgjithësi këto deklarata vinin nga teolog të rinj dhe pa përvojë të cilët zakonisht kanë qëndrim negativ ndaj gjithçkaje me të cilën përballen së pari herë. Ata, zakonisht në gjëra të tilla reagojnë si ndaj diçkaje që është në kundërshtim e Sunetin apo që paraqet sulm direkt nda ligjit të Zotit. Pas këtyre reagimeve fillestare, mendimet më vonë kanë tendencë të sqarohen dhe pastrohen. Kjo është siç thotë edhe Allahu i Madhërishëm:  “Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli e sipas madhësisë së tyre rrjedhin përroska, kurse vala bart mbi vete shkumë të fryrë lart. Shkuma e ngjashme është edhe ajo kur shkrihet (metali) në zjarr për të përfituar ndonjë stoli ose ndonjë mjet. Kështu, All- llahu sqaron shembullin e të së vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë. Kësisoj All-llahu i sjell shembujt. (Rad, 17). Deklaratat e pabaza për Ebu Hanifen, kanë rënë në harresë, ndërsa e vërteta për Ebu Hanifen si një dijetarë brilijantë musliman dhe një gjeni i madh ka mbetur edhe sot e kësaj dite, për çka dëshmojnë miliona ndjekës të tij në të gjitha pjesët e botës. Lusim Allahun e Madhërishëm të lëshoj mëshirën e tij mbi të dhe ne siç na mëson edhe Allahu të lexojmë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh he mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtetë i Butë dhe Mëshirëplotë!” ( El-Hashr, 10.).

Kritikat shkencore

Tani do të ndalemi në kritikat shkencore, të cilat i adresohen këtij kolosi islam. Këto kritika janë si më poshtë:

1.  A e ka favorizuar Ebu Hanife analogjinë (kijasin) para hadithit të vërtetë?

Përgjigjja më e mirë për këtë kritikë janë deklaratat e regjistruara të Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij, në të cilat ata tregojnë respekt të thellë ndaj hadithit të të Dërguarit të Allahut dhe e vënë para analogjisë (Kijasit).  P.sh. Hasan b. Salih b. Hajj  ka thënë: Nu’man b. Thabit ka qenë i mençur, i matur dhe posedonte një dituri të thellë, nëse njëherë vërtetonte hadithin e Muhamedit a. ai nuk e lente për asgjë tjetër në botë: Është e njohur deklarata e tij  ku thotë: “Gjithçka që na vjen nga i Dërguari i Allahut me zinxhirë të vërtetë, pa rezerva e pranojmë. Më vonë kjo u bë praktikë e medhhebit hanefij që Kurani, Suneti dhe tradita e sahabëve ishte para të gjitha argumenteve tjera. Nëse ato ishin të përmbajtur ndaj ndonjë hadithi, kjo ishte për shkak të supozimit se hadithi në fjalë ose ishte deroguar me ndonjë hadith tjetër ose zinxhiri i atij hadithi ishte më i dobët se ndonjë hadith tjetër që tregon diçka tjetër.

2.  A ka qenë Imam Ebu Hanife i dobët në shkencën e hadithi?

Perceptimi për Ebu Hanifen si muhadith ndryshon në masë të madhe: derisa disa e konsiderojnë si autoritet në hadith, transmetimet e të cilit pranohen pa hezitim siç është rasti me disa ekspert të shkencës së hadithit, mes të cilëve janë Jahja b.Mein, Ali ibn Medini dhe Shu’be ibn Haxhaxh, ndërsa për disa të tjerë ai  është transmetues i dobët i haditheve transmetimet e të cilit duhet ti marrim me rezervë. Këto thonë se Ebu Hanife ka bërë gabime të shumta dhe nuk duhet të marrim transmetimet. Imam Dhehebiu jep shpjegimin vijues për këtë: Ky imam më shumë është fokusuar në përmbajtjen e Kuranit dhe Sunetit dhe aspektin e tyre normativ se sa në vërtetimin preciz të hadithit dhe zinxhirin e transmetuesve.  Raste të tilla mund të hasen edhe tek të gjithë dijetarët të cilët janë marrë me hadith mirëpo nuk kanë qenë ekspert  në këtë degë të sheriatit. Këta, në përgjithësi kanë qenë ekspert më të dobët në transmetimin e haditheve. Kjo është arsyeja se disa ekspert në zinxhirin e transmetimit të Kuranit janë konsideruar më të dobët në transmetimin e hadithit siç është rasti me Hafsin dhe Kalunin. I njëjtë është rasti edhe me disa fekih sikur Ibn Ebi Lejle  dhe Othman El-Betij, apo me disa asket si Ferkadi, El-Subkij si dhe shumë gramaticient.

Kjo nuk e mohon të qenit e tyre si autoritet, por fjala është për profilin e tyre të vogël në një shkencë të caktuar. Në bazë të reputacionit të tyre e dimë shumë mirë se kanë qenë persona të cilët asnjëherë nuk do të transmetonin ndonjë gënjeshtër. (Duhet të potencojmë se shumica e dijetarëve musliman Ebu Hanifen e konsiderojnë si Imam në shkencën e hadithit. Për këtë më së miri dëshmon edhe Musnedi i Imam Ebu Hanifes, i cili është edhe në gjuhën shqipe, vërejtje e përkthyesit).

3.  A e ka mbështetur idenë e Irxhaas (veçimin e veprave nga imani?

Edhe krahas  pranimit të dijetarëve se Ebu Hanife ka qenë dijetarë i madh dhe njohës i lartë i sheriatit  islam , se ka qenë i devotshëm dhe i painteresuar për pozitat shtetërore që iu afruan, shumë dijetarë e kanë kritikuar për qëndrimet e tij në thelbin e besimit. Njëri prej tyre ka thënë: Veprat e një personi, sipas Ebu Hanifes nuk hyjnë në definicionin e termit “iman” (besimi).  Mbi këtë bazë imam Ebu Hanife është identifikuar si “Murxhi”. Megjithatë, “irxhaja” e tij ka qenë e karakterit të butë (mesatarë).

Irxha’, e cila do të thotë “ndarje” ishte qëndrim ekstremist që donë të thotë se mëkatet nuk mund ta dëmtojnë besimin në asnjë kuptim. Sipas këtij kuptimi veprat e këqija të besimtarëve në botën tjetër janë  sikur veprat e mira të pabesimtarëve. Ashtu siç nuk do të kenë asnjë dobi pabesimtarët në botën tjetër nga veprat e mira, njëjtë edhe besimtarët nuk do të kenë asnjë dëm nga veprat e tyre të këqija.

Është e qartë se ata që mbajnë këtë doktrinë, ndërsa bëhet fjalë për persona jo relevenat, veprat e njeriut nuk i kanë konsideruar si pjesë e Imanit. Edhe pse Ebu Hanife në kuptimin teorik është pajtuar me këtë qëndrim, ai në thelb e refuzon doktrinën e Irxhaas. Në fakt Ebu Hanife ka konsideruar se mëkatari e meriton dënimin e Allahut dhe fati i tij në Ditën e Gjykimit varet tërësisht nga vullneti i Zotit. Kjo tregon se Ebu Hanife nuk ka qenë mbështetës i Irxhas” në formën e drejtë të kuptimit të saj.

Ebu Hanife nuk ka qenë i vetmi dijetarë  që imanin e definon ashtu siç dihet se e ka definuar. Janë të shumët edhe dijetarët e hadithit që kanë një qëndrim të tillë, mes tyre ka edhe prej atyre që mbështeten në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit. Ibn Abdul Berr për këtë thotë: “Ebu Hanife është akuzuar si murxhi. Ka edhe dijetarë tjerë që janë lidhur me irxhan, mirëpo për asnjë nuk është shpifur ashtu siç është shpifur për Ebu Hanifen. Kjo është shfrytëzuar për të ngjallur dyshime në statusin e tij si dijetarë dhe imam. Ebu Hanife është dijetari që është xhelozuar më së shumti dhe shumë akuza i janë  atribuuar në mënyrë të rrejshme”  brezi

Autorë : Selman El-Avde

Përshtati: Arsim Dauti

(Islampress)