Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut e konsideron tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të BFI-së, themelimin e të ashtuquajturës Bashkësia Islame Selefiste Dar el-Hadith, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë e deklaroi Evzal Sinani, shefi i kabinetit të kryetari të BFI-së, Shaqir Fetahu, në një konferencë për media në selinë e BFI-së në Shkup.
Ai njoftoi vendimet e Rijasetit, që janë marrë në mbledhjen e rregullt rreth regjistrimit të të ashtuquajturës Bashkësia Islame Selefiste Dar el-Hadith.
Sinani tha se me indinjatë të thellë reagojnë kundër Gjykatës Themelore Shkupi 2 e cila ka regjistruar të ashtuquajturën bashkësi fetare, vendim që mban vulën e gjykatëses, Suzana Donçevska.
“Ky akt është i turpshëm dhe shumë i dëmshëm për unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe si i tillë është tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të BFI-së”, u shpreh Sinani.
“Aktin e gjykatëses Donçevska e llogarisim tendencioz dhe me të ajo ka shkelur jo vetëm ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, por ka shkelur edhe praktikën juridike që për themelimin e çdo bashkësie të re fetare të merret mendim i 5 bashkësive kushtetutare fetare”, tha Sinani duke theksuar se ligji nuk lejon regjistrimin e dy bashkësive që mbajnë të njëjtin emër, kanë të njëjtat burime dhe kryejnë të njëjtat praktika fetare.
“Kjo bashkësi është pjellë e strukturave dashakeqe në vend”
Ai tërhoqi vëmendjen se BFI-ja prej momentit të parë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe duke e gjykuar ashpër këtë vendim ka njoftuar të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe faktorin kombëtar në vend.
Sinani apeloi tek të gjithë besimtarët në Maqedoninë e Veriut dhe bashkatdhetarët “që të mos të bien në grackën e bashkësisë së themeluar nga Donçevska”.
“Me bindje të paluhatshme ju tregojmë se kjo bashkësi është pjellë e strukturave dashakeqe në vend, për ta dëmtuar thellë unitetin e muslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe për të targetuar drejt për së drejti BFI-në. BFI njofton të gjithë se ky akt është i dëmshëm për shoqërinë tonë. Prandaj në mënyrë kategorike dhe të pakompromistë do të vazhdojë të mbrojë unitetin dhe dinjitetin e besimtarëve të vendit”, theksoi ai.
Në pyetjen e gazetarëve lidhur me temën, Sinani tha se BFI-ja e konteston vendimin, duke treguar se kanë marrë të gjitha procedurat e nevojshme juridike, duke dorëzuar edhe ankesën e tyre deri tek Gjyqi i Apelit për shfuqizimin e vendimit për regjistrimin e kësaj bashkësie islame më 2 shkurt.