Një njeri shkoi te një njeri i urtë dhe iu ankua për varfërinë e tij. Njeriu i urtë e pyeti: “A do të ma shisje shikimin tënd për 100 mijë monedha ari?” Njeriu i tha jo. I urti vazhdoi: “A do të ma shisje dëgjimin tënd për 100 mijë monedha ari?” Njeriu i tha përsëri jo. Pastaj njeriu i urtë vazhdoi ta pyes për duart, këmbët, shëndetin mendor dhe të gjitha pjesët e tjera të trupit. Të gjitha përgjigjet ishin negative. I urti më pas i tha se atë njeri e vlerëson në disa miliona monedha ari.
I urti i thotë: “Ti ke borxh të madh mbi supe, sepse kjo pasuri e madhe që e posedon të bën borxhli. A ke menduar ndonjëherë të jesh mirënjohës?! Në vend të kësaj, ty madje ankohesh dhe dëshiron më tepër. Vërtet Allahu është falës dhe bujar”.
Njeriu i cili nuk shqetësohet, i cili është i sigurt në shtëpinë e tij, është i shëndetshëm dhe e gëzon jetën, posedon ushqim dhe pije të mjaftueshme… Vërtetë kënaqësitë e thjeshta të përditshme e kanë ëmbëlsinë e tyre sikur koha e kaluar me bashkëshorten ose fëmijët, apo ngrënia e racioneve më të thjeshta. Atmosfera e lumtur vjen nga relaksimi, ndjenja e sigurisë, shëndeti i mirë dhe i bën kënaqësitë edhe më të mëdha.
Përkundër kësaj, nëse dikush posedon ushqim dhe pije me bollëk, por jeton në frikë, nervozizëm dhe stres të vazhdueshëm, pasuria e atij njeriu ka vlerë të paktë reale. E njëjta gjë mund të thuhet për njeriun i cili është prekur nga ndonjë sëmundje e rëndë fizike ose mendore.
Prandaj i Dërguari salAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Kush prej jush agon i sigurt, i shëndetshëm dhe posedon ushqim për atë ditë, sikur të ishte e gjithë bota e tij. (Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe)
Bekim i madh është të posedosh ushqim, veshmbathje dhe strehë për t’i plotësuar nevojat e tua. S’ka asgjë të keqe edhe nëse dëshiron të kesh më shumë se kaq, për sa kohë që përpiqesh të fitosh në mënyrë të lejuar, sepse Allahu i shpërndan mirësitë e Tij midis krijesave të Tij ashtu siç dëshiron Ai. Disa njerëz është shumë më mirë të jenë të pasur. Nëse Allahu atyre u dhuron pasuri, ata një pjesë e shpenzojnë për të varfërit dhe nevojtarët. Përveç kësaj, ata janë të përulur para Allahut dhe e pranojnë se gjithçka ua dhuroi Ai.
Kurrë nuk duhet të harrojmë se Allahu na ka dhënë shëndetin, mendjen, ushqimin dhe pijen, fëmijët tanë, pamjen tonë të bukur, forcën tonë, vitalitetin tonë në rini tonë dhe mendjen e shëndoshë. Shumë prej nesh këto gjëra i konsiderojnë si të garantuara dhe nuk i njohin si dhurata të Allahut, përpos atyre, zemrat e të cilëve jetojnë me besim dhe janë mirënjohës për bekimet dhe gjërat e përditshme. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu është i kënaqur me robin e Tij i cili i shpreh mirënjohje dhe falënderim pas ngrënies dhe pirjes.” (Muslimi)
Gjatë madhërimit të Allahut, ne e shprehim mirënjohjen tonë ndaj Tij për të gjitha bekimet. Nuk është gjë e vogël të jesh i shëndetshëm dhe i fortë, apo të jetosh i sigurt me ushqim dhe pije të mjaftueshme, me çati mbi kokë, veshmbathje dhe mjetet e nevojshme për një jetë normale!
“Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kishim nën pushtet dhe ne, me siguri, do të kthehemi te Zoti ynë!”
Ujin që e pimë, ajrin që e thithim, veshët me të cilët dëgjojmë, sytë me të cilët shohim, arsyen me të cilën gjykojmë, zemrat me të cilat ndjejmë, të gjitha këta janë dhunti të Allahut, pa marrë parasysh nëse i kuptojmë apo jo.
Duhet të jemi të vetëdijshëm për këto fakte, ta falënderojmë Allahun dhe ta evitojmë mosmirënjohjen. Atëherë kur të jemi mirënjohës, ato shtohen akoma më tepër. Kur jemi mosmirënjohës, ato bekime largohen prej neve. Allahu i Madhërishëm na thotë: “…dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!” [ed-Duha, 11]
Gjëja më e mirë me të cilën mund të na bekojë Allahu është zemra mirënjohëse.
Vërtetë ne jemi pafundësisht të nderuar në qoftë se kemi stabilitet në jetët tona, harmoni në shtëpitë tona, dhe paqe në zemrat tona!
Autor: Selman el-Auda
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]