Muhaxhirët që udhëtojnë për te All-llahu Fuqiplotë

1331

Mehas Alija

“Vërtetë ata që besuan dhe mërguan, e u përpoqën në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është falës i madh dhe mëshirëplotë.” (El-Bekare, 218)

Të dashur vëllezër e motra, sot është dita e dytë e muajit Muharrem të vitit të ri hixhri, 1441. Por, vallë, çfarë në të vërtetë paraqet Hixhreti?

Sipas të gjitha mundësive që jepen për të zgjeruar kuptimin e Hixhretit, ne mund të themi se, kryesisht, Hixhra bart në vete dy kuptime thelbësore: Hixhret prej ndonjë vendi, dhe hixhret nga ndonjë gjendje.

Kuptimi i parë i hixhretit është largimi prej një vendi në një vend tjetër, për shkak të pamundësisë për të jetuar në atë vend dhe për t’i zbatuar detyrimet fetare. Ky është hixhreti që bëri i dashuri ynë, Muhammedi a.s., me shokët e tij, As’habët e nderuar, nga Mekeja e bekuar në Medinen e ndritshme, për ç’gjë është premtuar shpërblim i madh nga Allahu xh.sh. Ky lloj hixhreti u ndërpre me çlirimin e Mekes, në vitin e 8-të sipas hixhretit dhe se Muhammedi a.s., pati deklaruar: “Pas çlirimit të Mekes, nuk ka më hixhret.”

Hixhret në këtë kuptim nuk ka më, por a ka fund ndonjëherë migrimi i njerëzve? Në këtë kontekst, Muhammedi a.s. ka thënë: “Nuk do të ndalet hixhreti / migrimi derisa nuk ndalet teubeja (pendimi), kurse pendimi nuk do të ndalet derisa të lind dielli nga perëndimi.”

Në këtë aspekt të hixhretit, rreshtohen, thuajse të gjitha migrimet e pejgamberëve të mëparshëm, madje duke filluar edhe nga vetë njeriu dhe pejgamberi i parë, Ademi a.s., i cili e bëri edhe hixhretin, ndoshta më tragjikin dhe më të mundimshmin, largimin e tij prej Xhenneti në tokën e kësaj bote.

Hixhret bëri edhe Nuhi a.s., i cili me anijen e tij udhëtoi për gjashtë muaj rreshtë në drejtim të gjetjes së një vendi të ri për ta adhuruar Allahun më denjësisht. Kështu vepruan edhe shumë pejgamberë të tjërë sikur që ishin Ibrahimi a.s., Musai a.s., Isai a.s., dhe të tjerë.

Kuptimi i dytë i hixhretit ishte: largim prej një gjendjeje në një gjendje tjetër dhe ky është kuptimi për cilin Pejgamberi a.s., kishte aluduar kur kishte thënë se: “Musliman është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë, kurse muhaxhir është ai i cili e braktis atë që e ka ndaluar Allahu i Madhërishëm.” Ky hixhret nënkupton largimin e njeriut nga gjendja e mëkatit dhe shkujdesjes ndaj Allahut drejt gjendjes së përkushtimit dhe bidjes fetare, duke u afruar më pranë Allahut dhe respektit ndaj vendimeve të lartësuara të Tij.

Nëse do të zgjeroheshim edhe pak në këtë kuptim të dytë, mund të themi se: Nëse hixhreti i parë, ai i Ademit a.s., ishte në drejtimin “xhennet – dynja”, atëherë të gjitha hixhretet e tjera duhet të jenë “dynja – xhennet.”  Kjo na mëson se hixhreti nuk bartë vetëm kuptim formal dhe sipërfaqësor, porse është i thellë dhe shumëdimensional. Hixhreti është formula qensore e vazhdimësisë dhe përpjeksjes sonë në drejtim të përmirësimit të kualitetit të jetës dhe botkuptimeve tona. Hixhreti ynë është braktisja e tërësishme e asaj që është e dëmshme dhe e pavlefshme për ne. Secili namaz i cili na pastron dhe na bënë më të mirë është hixhret për ne. Çdo sadaka e cili e mund kopracinë dhe na bënë të jemi të kënaqur me të, është hixhret për ne. Çdo buzëqeshje e jona me njëri tjetrin, që bëhet lidhje midis nesh, është hixhret për ne. Çdo sekundë e jetës sonë është hixhret nëse ne mundohemi të pozicionohemi në anën e së mirës dhe të largohemi nga çdo gjë e dëmshme dhe e neveritshme.

Në vend të përfundimit, në këtë fillimvit të ri, të gjithë duhet të themi, sikur që tha dikur, shumë vite më parë, Ibrahimi a.s.: Unë jam muhaxhir drejt Zotit tim – وَقَالَ إِنِّي مُهَاجِرٌ إِلَىٰ رَبِّي“ (Ankebut, 26.) Le të vetëdijësohemi, pra, të gjithë se vitet dhe jeta po kalon shpejt dhe se përgjegjësia është e madhe kur është në pyetje moskujdesi ndaj gjendjeve të rënda mëkatare. Çdo vit i ri hixhri duhet të sjellë brenda nesh një gjendje të re shpirtërore dhe një freskti të ëmbël në praktimin e mësimeve të fesë sonë të bukur islame.

Besimtari është muhaxhir përherë, deri atëherë, kur të arrijë te vendi, nga i cili, babai ynë i parë, bëri të parin hixhret.