Disa fjalë në lidhje me Gazën!

730

/Muslimanëve të Gazës nuk po u vjen ndihma, sepse as hazreti Omeri më nuk është
në Medine, as Ebu Ubejde dhe Halid bin Velidi nuk janë në Sham/

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Disa fjalë në lidhje me Gazën!

Jo shumë larg Gazës, në tokën palestineze, ndodhet trupi i sahabiut të nderuar dhe komandantit ushtarak Ebu Ubejde bin Xherrah (Allahu qoftë i kënaqur me të), i njohur me pseudonimin “i besuari i Umetit“, të cilin pseudonim ia dha i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

Kurse pranë tij (në afërsi të tij), janë varrosur afër tridhjetë mijë muslimanë, duke përfshirë një numër të madh të sahabëve, në mesin e të cilëve: Muadh bin Xhebeli dhe djali i tij Abdurrahmani, Shurahbil bin Hassane, Jezid bin Ebi Sufjani, Fadl bin Abbasi, Suhejl bin Amri, Ebu Xhendel bin Suhejli dhe shumë të tjerë, të cilët vdiqën si pasojë e murtajes së njohur në historinë e Islamit si “Murtaja e Amevas“, e cila ndodhi në vitin 639 (18 H.), e cila e mori emrin e fshatit Amevas në Palestinë, që gjendet midis Ramles dhe Bejtul-Makdisit (Jerusalem).

Ebu Ubejde bin Xherrah (r.a.) ishte një nga muslimanët e parë dhe një nga dhjetë sahabët të cilëve iu premtua Xheneti derisa ishin gjallë. Mori pjesë në të gjitha betejat me të Dërguarin e Allahut (savs), dhe ishte një nga udhëheqësit e çlirimit të Shamit. Hazreti Omeri (r.a.) e emëroi komandant në betejën e Jermukut, në vitin e pesëmbëdhjetë të hixhretit, por ai komandën ia la Halid bin Velidit dhe vetë mori pjesë në atë betejë së bashku me të. Pas përfundimit të betejës dhe fitores brilante të muslimanëve mbi ushtritë bizantine, Ebu Ubejde e mori zyrtarisht komandën e ushtrisë muslimane, derisa vdiq nga murtaja.

Hazreti Omeri u përpoq ta bindë Ebu Ubejden që të largohej nga Shami dhe të vinte në Medine për të qenë këshilltari i tij. Mirëpo, Ebu Ubejde e kuptoi se halifi Omer donte që ai të largohej nga Shami që të mos prekej nga murtaja, prandaj i shkroi një letër duke e informuar se donte të qëndronte me ushtrinë e tij, dhe donte ta ndante të mirën dhe të keqen me ta. Ky shembull është i mjaftueshëm për të kuptuar pse sahabët triumfuan ndaj armiqve të tyre dhe pse ne e humbim kokën para armikut tonë.

Në një transmetim tjetër, përmendet se halifi Omer bin Hattabi deshi ta inspektonte ushtrinë e vendosur në Sham, kështu që kur arriti në Sham, qëndroi në çadrën e Ebu Ubejde bin Xherrahut, komandantit të përgjithshëm të ushtrisë.

Ebu Ubejde, së bashku me komandantët e tjerë, e pritën atë dhe meqë ishte koha e drekës, i thanë: “O prijës i besimtarëve, a dëshiron që të të sjellim ushqim të përgatitur për ushtrinë apo ushqim të përgatitur për komandantin e përgjithshëm?”

Hazreti Omeri tha: “M’i sillni të dy ushqimet!”

Ata së pari, ia sollën ushqimin për ushtrinë, i cili përbëhej nga mishi, lëngu i mishit dhe perimet.

Hazreti Omeri pyeti: “A është ky ushqim për ushtrinë?”

Ata i thanë: “Po, i prijës i besimtarëve.”

Pastaj u tha që t’i sillnin edhe ushqim të përgatitur vetëm për komandantin, dhe ata ia sollën disa copa bukë dhe pak qumësht. Pastaj Hazreti Omeri qau duke thënë: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Ubejde! Të gjithë neve na ka ndryshuar dynjaja përveç teje!”

Paqja qoftë mbi ty o sahab i nderuar i të Dërguarit të Allahut (savs) dhe mbi sahabët dhe muslimanët e tjerë që janë varrosur në tokën e Palestinës! Ndoshta këto ditë po dëgjoni zëra që nuk i keni dëgjuar në kohën tuaj. Këta janë tingujt e armëve vdekjeprurëse që nuk kanë ekzistuar në kohën tuaj, që po përdorën kundër popullit të Palestinës në Gaza. Meqë ra fjala, Kudsi apo Jeruzalemi, i cili u çlirua pas betejës së Jermukut, nuk është më në duart e muslimanëve. Për më tepër, e gjithë Palestina nuk është më në duart e muslimanëve, përveç një pjese të vogël që ata e quajnë Rripi i Gazës. Dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, negociatat po zhvillohen vazhdimisht për dëbimin e plotë të muslimanëve nga Palestina, e për rrjedhojë edhe nga Gaza, dhe atë përmes marrëveshjes midis arabëve, sionistëve dhe kryqtarëve.

Ah, sikur ta shihnit gjithë këtë tmerr, shkretim dhe rrënim ndaj të cilit është ekspozuar kjo zonë e tokës palestineze dhe banorët e saj, të cilëve vëllezërit e tyre arabë po ua mohojnë ushqimin, ujin e pijes dhe ilaçet para joarabëve dhe jomuslimanëve. Dijeni se vëllezërit tuaj dhe tanë muslimanë në Gaza, po qëllohen nga të gjithë nga i njëjti hark.

Ju mund të mos e dini se Gaza, si gjithë Palestina, është e rrethuar nga arabët muslimanë, dhe kjo është, për fat të keq, një nga arsyet kryesore që muslimanët e Gazës nuk mund të marrin ushqim, ujë dhe ilaçe, sepse shtetet arabo-muslimane që e rrethojnë Palestinën sundohen nga tiranë dhe njerëz të pashpirt, që nuk kanë mëshirë ndaj muslimanëve dhe vuajtjeve të tyre.

Pasha Allahun, nëse kriminelët sionistë do të kishin pushtuar safarin dhe do të vrisnin dhe masakronin kafshë të pafajshme në këtë mënyrë, zemrat e atyre që gjenden në atë mjedis do të qanin para syve të tyre, dhe ata do të përpiqeshin ta parandalonin atë krim, madje edhe nëse do ta sakrifikonin jetën e tyre. Mirëpo, sundimtarët e sotëm arabë- muslimanë nuk kanë zemra, edhe nëse kanë, ato janë më të forta se çdo gur.

Ah, sikur muslimanët e Gazës të merrnin ndihmë dhe përkrahje nga vëllezërit e tyre siç ishte në kohën tuaj, gjërat do të ndryshonin rrënjësisht, por kjo mbështetje dhe ndihmë as që shihet, as nuk mund të pritet në një të ardhme të afërt, sepse në Medine nuk është më halifi Omer bin Hattabi, as në Sham nuk është i besuari i këtij umeti, Ebu Ubejde bin Xherrah dhe as komandanti i pathyeshëm ushtarak dhe muxhahidi Halid bin Velidi.

​Megjithatë, në valët e së keqes, krimit, poshtërimit dhe çdo lloj trishtimi, ka një lajm të mirë dhe inkurajues që u jep shpresë të gjithë muslimanëve të sinqertë në botë. Përkatësisht, në Gaza ka njerëz, besimi i të cilëve është i fortë si mali, dhe ata janë të vendosur në luftën e tyre kundër pushtuesit sionist dhe ndihmësve të tij, ashtu siç ishit të vendosur edhe ju në luftën tuaj, dhe ata janë betuar për vdekje që të jetojnë me dinjitet.

Forcat e rezistencës në Gaza janë elita e umetit të sotëm dhe nuk ka pse të shqetësoheni për to, sepse ju, shokët e të Dërguarit të Allahut (savs), jeni modeli i tyre! Pasi ushtritë e armikut i rrethuan dhe i sulmuan nga të gjitha anët, edhe ata thanë njësoj siç thatë ju në Betejën e Hendekut: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës dhe ndihmës i mrekullueshëm!”

O Zoti ynë, me përulësi të lutemi t’i shpëtoshë vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë.

O Zoti i mëshirshëm, bëj që të marrin fund vuajtjet e tyre, të cilat po zgjasin me dekada.

O Allah, bëj që fëmijët e Palestinës të jenë vetëm fëmijë dhe jo viktima të terrorit. Bëj që nënat t’i rrisin fëmijët e tyre të lumtur dhe jo t’i numërojnë plumbat në trupin e tyre.

O Allahu i Plotfuqishëm, bëj që hipokritët të cilët janë në gjendje të ndihmojnë, që më në fund t’i hapin sytë dhe ta bëjnë këtë.

O Sundimtar i drejtë, bëje Palestinën një oaz paqeje dhe xhenet në këtë botë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini