Indonezia zbulon vendndodhjen e kryeqytetit të ri

771

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo sot njoftoi se kryeqyteti i vendit do të zhvendoset në provincën Kalimantani Lindor në ishullin Borneo, raporton Anadolu Agency (AA).

Më parë, zyrtarët qeveritarë kanë vizituar dhe zhvilluar ekzaminim të plotë për qendrën e re.

“Kryeqyteti i ri ka rreziqe të kufizuara nga tërmetet, vullkanet, cunami, përmbytjet, erozionet e tokës dhe zjarret e pyjeve”, tha Widodo në pallatin e shtetit në Xhakartë.

“Kryeqyteti i ri është afër qyteteve të zhvilluara si Balikpapan dhe Samarinda”, shtoi ai.

Zhvendosja pritet të kushtojë 466 trilionë rupiah (32.79 miliardë dollarë) nga të cilat shteti do të financojë 19 për qind ndërsa pjesa tjetër nga partneriteti publiko-privat dhe investimet private.

Presidenti indonezia para Parlamentit do të paraqesë projektligjin, rezultatet e studimit të fizibilitetit, për të marrë miratimin për zhvendosjen e kryeqytetit.

Xhakarta është një nga qytetet më të populluara në botë, ku banojnë më shumë se 10 milionë njerëz. Qyteti është i ekspozuar nga përmbytjet dhe shembjet e tokës, të shkaktuara nga miliona banorë që përdorin ujërat nëntokësore.