Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!”- dhe ajo bëhet. (Kuran, 2.Bekare, 117)
Elementi më thelbësor që dallon racën njerëzore prej gjallesave të tjera është gjuha dhe komunikimi që realizohet përmes saj.
Padyshim, sot shkenca njeh edhe gjallesa të tjera që arrijnë të komunikojnë përmes tingujve (p.sh. arinjtë, delfinët dhe bletët), por ky komunikim është shumë i kufizuar dhe i përqendruar në tre-katër kuptime bazë. Në të kundërt, gjuha njerëzore është krijuese, përmes tingujve arrin të ndërtojë fjalë e fjali, të shprehë kuptime dhe ndjenja, e bazuar mbi rregulla (gramatikore), secili individ është përdoruesi dhe krijuesi i saj (ndryshe nga kafshët e mësipërme që kanë të njëjtin artikulim dhe kuptim të përcaktuar gjenetikisht), duke bërë të mundur që përvojën e tij ta transmetojë jo vetëm në shoqërinë që jeton, por edhe në brezat pasardhës; është unike, sepse arrin të shprehë ide e nocione abstrakte, cilësi, pra e pashoqe në çdo lloj komunikimi të të gjitha gjallesave.
Një aftësi e tillë (gjuha dhe të folurit), pa të cilën shoqëria njerëzore nuk do të kishte kuptim, ka tërhequr gjithnjë vëmendjen për origjinën e saj. Që prej antikitetit të hershëm dhe deri më sot dijetarët janë përpjekur të gjejnë një shpjegim sesi soji njerëzor arriti të kishte një dhunti të tillë. U duk se me teorinë e evolucionit të specieve të Ç. Darvinit, edhe gjuha gjeti shpjegimin e origjinës së saj. “Unë nuk dyshoj aspak se origjina e gjuhës njerëzore është e lidhur me imitimin dhe modifikimin e tingujve të ndryshëm të zogjve dhe kafshëve tjera duke i shtuar këtu edhe klithmat e veta instiktive të njeriut, ndihmuar shpeshherë edhe me shenja e gjeste” – ishte shpjegimi i shkencëtarit të njohur britanik më 1871 (The Descent of Man), përkufizim që u mor si i mirëqenë për afro një shekull. Në kuptimin evolutiv, gjuha ishte zhvilluar si aftësitë e tjera të njeriut(si p.sh. përdorimi shumë funksional i dorës), përmes seleksionimit natyror që ka vepruar mbi speciet e gjalla prej qindra mijëra vjetësh.
Por, në gjysmën e shekullit XX, një teori e tillë filloi të lëkundej fort, aq sa shkenca e sotme e sheh si një prej varianteve më pak të besueshme. Madje, filozofi dhe gjuhëtari më i njohur i gjysmës së dytë të shek. XX, Noam Çomski (The Architecture of Language, Oxford University Press,2000), e sheh gjuhën dhe aftësinë e të folurit të njeriut si një dukuri të pazakontë, ” .. ka ndodhur një prej mutacioneve më të papritura, ndoshta pas një vërshimi rrezesh kozmike kanë riorganizuar trurin tonë dhe kanë ngulitur në të qendrat e të folurit, ndryshe nga ai i pari”. Ndoshta, për të mos lënë që të keqkuptohej, që këtë fjali të mos ia merrnin fjalë për fjalë, ai shton se kjo mund të jetë shumë më pranë realitetit sesa me përrallat që rrëfejnë për zhvillimin sipas teorisë së evolucionit, duke përfshirë këtu edhe gjuhën. Pas studimeve të shumta u pa që gjuha është “një aftësi” që njeriu nuk ia paska arritur ta fitojë si rezultat i kontakteve me tingujt dhe klithmat, as si rezultat i jetesës në grup, por se njeriu lindka me një aftësi të tillë, me një “gramatikë universale”, që më pas njerëzit e zhvillojnë sipas rrethanave sociale në të cilat jetojnë, dhe gjuhëve të tyre amtare. Por, sipas disa studiuesve të tjerë, gjuha dhe të folurit, aftësia e njeriut për të folur vjen ngaqë njeriu nuk është gjallesa që jeton në kope, por në shoqëri me organizim ritual dhe simbolik. Si pjesë e zhvillimit të kulturës simbolike që ka njerëzimi u zhvillua edhe gjuha (T.W. Deacon, The symbolic species: the co-evolution of language and the brain. New York, 1997). Fjalët ashtu si shenjat e shkruara, apo dhe gjestet janë simbole veprimesh dhe konceptesh, mendojnë këta të fundit.
Siç shihet, në ditët e sotme, kur studimet gjuhësore, antropologjike, biologjike janë shtuar dhe thelluar shumë, vështirë të gjendet një çështje tjetër që të ketë kaq shumë mendime dhe hipoteza të ndryshme. Përpjekjet për të gjetur shpjegimin e zanafillës së të folurit të njeriut, brenda caqeve të zhvillimit biologjik të specieve, apo në mënyrë rastësore, si shkak i disa rrethanave të caktuara të endjes së njeriut primitiv, gjithnjë kanë dështuar për të qenë bindëse. Kështu që shpjegimi i origjinës së gjuhës quhet si problemi më i vështirë shkencor për t’u zgjidhur (Morten H. Christiansen and Simon Kirby, Language evolution: the hardest problem in science? Oxford University Press. 2003).
Por, ajo çfarë vjen befasuese, është se për problemin më të vështirë të shkencës mund të gjesh një përgjigje në Kur’an, Përmes verseteve kur’anore mund të ndërtosh dhe shpjegosh evolucionin gjuhësor duke ecur në përputhje me qëndrimet që rreshtuam më sipër, madje duke i bashkuar ato, dhe duke mos pasur kundërthënie me rezultatet e sotme të gjuhësisë, antropologjisë dhe neurotikës
Gjithnjë e më shumë, që nga sosyrianët e deri tek gjenerativistët e kanë parë gjuhën si një dhunti, si një dhuratë që e ka vetëm njeriu. Si mund të shpjegohet ndryshe aftësia e njeriut për të folur, përveçse si qenia më e përzgjedhur, në ndryshim me gjallesat e tjera, siç shprehet në Kur’an: -Në të vërtetë, Ne krijuam njeriun në trajtën më të përkryer. (Tin, 4); -ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte. (Alak, 5)
A mund të jetë gjuha një dhuratë hyjnore që njeriu e ka vetëm prej Krijuesit të tij?
– Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve .. (Bekare, 31); – “O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit dhe Tokës. (Bekare, 33); -Ademi mësoi disa fjalë nga Zoti i tij, kështu që ai ia pranoi pendimin. (Bekare, 37)
Përmes këtyre ajeteve, mund të shpjegohet dhe të qëndrojë edhe teoria e natyrës rituale dhe simbolike të shoqërisë njerëzore, produkt i së cilës është dhe gjuha. Zoti i mësoi njeriut emrat, në një mënyrë, edhe simbolet. Madje i jepet përgjigje gjithashtu tezës për kulturën simbolike ritual e të cilën ka që në gjenezë shoqëria njerëzore prej nga u zhvillua gjuha dhe më pas shkrimi:
-Lexo se Zoti yt është më bujari! Ai që mësoi njeriun të shkruaj. (Alak, 3,4).
(A nuk është e çuditshme sesi të gjitha shoqëritë njerëzore kanë pasur elemente të shkrimit, nga piktogramet e deri tek shkrimi i fjalëve, edhe tek ato më “primitivet”?). Pra, Krijuesi i njeriut i dha atij aftësinë e njohjes, dijes dhe fjalës. A nuk është vetë fjala një element i Krijuesit:
– Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!”- dhe ajo bëhet. (Al Imran, 47).,
Zhvillimi i gjuhës, ashtu si natyra e shenjës, është arbitrar, thotë Sosyri, ai nuk i nënshtrohet vullnetit të individit, madje ndryshimi është i paperceptueshëm, pasi gjuha është gjithmonë në ekuilibër. Pra, një gjuhë jeton, zhvillohet e ndryshon dhe nuk është një krijim artificial i një grupi njerëzish. Madje për gjuhë të krijuara (në mënyrë artificiale) si esperantoja, rezulton që krijojnë probleme të mëdha për të qenë gjuhë amtare (gjuhë e parë që mëson një fëmijë). Megjithëse esperanto është një imitim i gjuhëve latine, me një gramatikë të thjeshtuar, dhe me fjalë të marra nga gjuhët tjera (pra, në fund të fundit, më shumë një imitim sesa një krijim i veçantë), fëmijët tek të cilët prindërit kanë dashur t’i mësojnë esperanton si gjuhë amtare kanë ndeshur probleme të mëdha në komunikim gjatë rritjes së tyre (The phenomenon of overregularization in Esperanto-speaking children, Renato Corsetti, Maria Antonietta Pinto and Maria Tolomeo, Universita di Roma La Sapienza, 2012). Prandaj, duke qenë një gjuhë artificiale, ajo nuk i ka ato aftësi që i ka gjuha amtare për të shprehur të gjitha ndjenjat e holla të shpirtit të njeriut. Pra, asaj pothuaj i mungon aftësia dhe pasuria i ka gjuha “biologjike”. Mungesa e këtyre vetive bëjnë që ajo të mbetet dhe, siç duket ka mbetur, vetëm një eksperiment, pa arritur të konkurrojë gjuhët e Krijuesit, të cilat, mesa duket kanë edhe detyrën tjetër, të përcjellin si duhet mesazhin e Tij.
-Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit). Allahu e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Ibrahim, 4)
Dhe në vazhdën e këtij hulumtimi të zhvillimit të gjuhëve, në Kur’an edhe gjen shpjegimin përsa i përket dallimit, ndarjes së gjuhëve, gjë që shpjegohet si një vullnet hyjnor. Por, jo si një mallkim (Kulla e Babelit), por si një pasuri (a nuk i ka shpallur OKB, gjuhët si pasuria më e madhe kulturore e njerëzimit), duke bërë që çdo gjuhë të jetë me po aq vlerë sa çdo gjuhë tjetër:
– Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Padyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. (Rum, 22)
Këtu do të shtoja mendimin e një imami të ditur dhe të njohur të shek. lX-X, Ibn Hamzi (R. Arnaldez, Grammaire et theologie chez Ibn Hamz de Cordue, Paris, 1981), që thotë se gjuhët e shumta jo vetëm që shprehin madhështinë e Krijuesit, por edhe kufizimin e njeriut. Secila gjuhë, që flitet dhe është folur, është pjesë e mozaikut të madh që përbën gjuhën hyjnore, “ato janë lulet e mrekullueshme, të larmishme, në lulishten e madhe”. Prandaj në secilën gjuhë, njerëzit mund të gjejnë shpirtin, profumin dhe gjurmët e gjuhës hyjnore.
Pas këtyre, verseteve kur’anore që lidhen me origjinën e gjuhës, përveçse mbetesh i pafjalë, s’të mbetet veçse të kujtosh thënien e dijetarëve muslimanë të shek. VII-XI, se shkenca pa besimin është si anija pa busull në det.
Dr. Erzen Koperaj
(Islamgjakova)