Medreseja e Madhe e Gjakovës, vatër historike e arsimit e cila për shekuj ka shërbyer si gurrë e diturisë në rajon, edhe sot vazhdon rrugëtimin e saj të dijes si institut për memorizimin e Kuranit i cili që nga rëndërtimi pas luftës së fundit në Kosovë ka nxjerrë dhjetëra hafëzë.
Objekti i medresesë që u ndërtua në shekullin e 18-të nga myderrizi Vejsel Efendiu me prejardhje nga Shkodra e Shqipërisë, ka shërbyer gati tre shekuj si vatër diturie, derisa në vitin 1912 u shndërrua në stallë kuajsh nga ushtria malazeze, për t’u rihapur disa vite më vonë e për t’u rimbyllur nga regjimi komunist në vitin 1948 me arsyetimin se “shkolla ka mungesë të higjienës”.
Në luftën e fundit në Kosovë (1998-1999), ajo u dogj nga forcat paramilitare serbe tërësisht, përpos murit të jashtëm dhe një pjese të vogël të themelit të vjetër në të cilin mund të vihet re gjysmëhëna dhe ylli të punuara në gurë.
Nga paslufta deri në vitin 2005, ajo u rindërtua në format e mëhershme identike nga Shoqata Ndërkombëtare Humanitare dhe Kulturore Stambolli në Kosovë, me sponsorizim nga Fondacioni Aziz Mahmut Hüdai nga Turqia dhe në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës, ndërsa që nga viti 2005 deri më tash ka nxjerrë 50 hafëzë të diplomuar.
Kjo medrese, e cila tashmë funksionon si Instituti i Hifzit “Medreseja e Madhe”, thuhet se ka qenë shkolla e parë në rajonin e Dukagjinit ku paralelisht me Kuranin janë mësuar lëndë të ndryshme shkencore në gjuhën shqipe.
Medreseja në Gjakovë aktualisht strehon 30 nxënës në objektet e saj, që përfshijnë dy klasa për mësimnxënie, konviktin me shtatë dhoma për fjetje, çardakun me një dhomë për mysafirë, kuzhinën për ngrënie, xhaminë, dhomat e edukatorëve dhe atë të drejtorit, si dhe hapësirat për lojë e argëtim.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), drejtori i këtij instituti, Gençer Dervari, tha se nxënësit që në këtë medrese janë nga klasa e pestë deri në të tetën, mësojnë dhe banojnë falas në këtë institucion. Dervari thotë se dita e nxënësve që jetojnë në këtë medrese nis me namazin e sabahut dhe shkuarjen e tyre në shkollë publike.
“Mundohemi që të jenë paralel edhe shkolla edhe memorizimi i Kuranit. Nuk pengojmë assesi shkuarjen në shkollë, assesi nuk pengojmë që nxënësit të mësojnë mësimet e shkollës. Dhe nga ora 14:30 deri në 18:00, është planprogrami ynë i medresesë ‘Ta mësojmë Kuranin’, ndërsa mbrëmja është përgatitje për të nesërmen, qoftë për Kuran, qoftë për në shkollë, dhe nga ora 22:00 i vëmë në gjumë”, thotë Dervari.
Dervari tregon se pas përfundimit të periudhës në këtë institut, rrugët e nxënësve janë të ndryshme, megjithëse, siç shprehet, suksesi është shumë shpesh e përbashkëta e tyre.
“Planprogrami ynë është që pasi nxënësit të përfundojnë këtë gradë, të shkojnë në medresenë e mesme ‘Alaudin’, e pastaj në fakultet. Dikush ka dëshirë të shkojë në Turqi, dikush në vendet arabe dhe vazhdon e bëhet teolog”, tha Dervari.
– “Nga medreseja dolën emra të rëndësishëm”
Profesori dhe historiani nga Gjakova, Muhamet Iljazi, shtëpia e të cilit gjendet shumë afër medresesë dhe i cili njihet si pasardhës i themeluesit të saj, Vejsel Efendiut, thotë se nga kjo medrese kanë dalë emra të rëndësishëm për Kosovën si Haxhi Zeka, Haxhi Zekë Bërdyna, Ymer Prizreni e të tjerë.
“Familja jonë, të parët që i përmenda, Jahja Efendiu dhe djali i tij (Vejsel Efendiu), kanë ardhur nga Shkodra. Pas tyre janë renditur të gjithë. Jemi tash ajo pema e origjinës prej nga kemi ardhur. Janë diku trembëdhjetë gjenerata deri më tash. Prej kësaj familjes sime, këtu kanë qenë 15 hafëzë dhe shtatë myderrizë, domethënë shtatë drejtorë, që nga i pari që ka ardhur këtu e deri tek babai im deri më 1948-ën, kur e kanë mbyllur komunistët. Domethënë, gjithë kjo plejadë, kanë dhënë këtu dituri”, thotë Iljazi për AA.
– Me vullnet dhe përkushtim, deri në memorizimin e Kuranit
Ndër 30 nxënës të cilët aktualisht jetojnë dhe mësojnë në Medresenë e Madhe të Gjakovës, të cilët vijnë edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Medvegja, Presheva dhe Bujanoci, është edhe Suel Zejnullahu nga rajoni i Opojës së Prizrenit.
Ai ka ardhur para tre vitesh në Institutin e Hifzit, ndërsa shprehet optimist se do të arrijë së shpejti të përfundojë memorizimin e plotë të Kuranit.
“Vullneti dhe dëshira për ta mësuar Kuranin është më e madhe. Ky rrugëtim nuk është edhe aq i lehtë, sepse duhet të kemi shumë vullnet. Unë synoj që të bëhem hafëz në vitin tjetër inshallah, pastaj të vazhdoj në mësimet e medresesë dhe të bëhem hoxhë”, thotë Zejnullahu.
Në vitin e parë në këtë institut, sipas planprogramit, fillohet me mësimin e shkronjave të Kuranit dhe përgatitje për memorizimin e librit të shenjtë. Në vitin e dytë dhe të tretë vazhdohet dhe përfundohet mësimi i Kuranit përmendësh. Shkollimi dhe banimi i nxënësve në këtë medrese, e cila është në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), sigurohet nga Shoqata Ndërkombëtare Humanitare dhe Kulturore Stambolli dhe është falas për të gjithë nxënësit e shkollës fillore.