Palestinezja e verbër e ka memorizuar Kur’anin dhe ka fituar diplomë me zinxhirë nga Pejgamberi a.s.

1400

Familja e palestinezit Suhejl Ebu Shahme nga Rripi i Gazës, është e njohur për garimin në mësimin përmendsh dhe memorizimin e Kuranit, kështu që me të drejtë e ka marrë epitetin “Familja e Kuranit”.

Kohët e fundit, vajza e verbër e Ebu Shahmës është bërë hafize e Kuranit dhe ka marrë diplomë ose ixhazetname me zinxhirë (sened) të pandërprerë në lexim, i cili shkon deri te i Dërguari i Allahut (savs), dhe kjo është vajza e tij e tretë që e ka mësuar Kuranin përmendsh.

I shkruar me alfabetin Braj, dielli i Kuranit e ndriçoi zemrën e Shemsës së re (emri që do të thotë Diell), dhe shikimi i saj me zemër, u bë shumë më i fortë se shikimi i syrit, kështu që me vendosmëri dhe këmbëngulje të papërshkrueshme, Shemsa bint Suhejl Ebu Shahme, në moshën 12 vjeçare e mësoi Kuranin përmendsh, kurse në moshën 17 vjeçare e mori ixhazetnamen (diplomën) në lexim me zinxhirë (sened) të pandërprerë deri te Pejgamberi (savs).

Shemsa përjetoi vështirësi dhe sfida të mëdha në rrugën e fitimit të ixhazetnames së përmendur. Në rrugën e saj të nderuar, përveç babait të saj, asaj më së shumti i ndihmoi muhafizi i saj, shejh Muhamed el-Kirinavi, para të cilit ajo e mësoi tërë Kuranin përmendsh dhe e mori ixhazetnamen në lexim, me sened të pandërprerë deri te Pejgamberi (savs).

Duke folur për vendimin e saj për ta mësuar Kuranin përmendsh, si dhe për suksesin dhe përpjekjen e jashtëzakonshme, Shemsa thotë: “Shkollën fillore e mbarova në SHF “Drita dhe Shpresa” për të verbër, ndërsa shkollën e mesme e ndoqa në Aka, në një shkollë e cila nuk ishte ekskluzivisht për persona të verbër.

Fillova ta mësoja përmendsh Librin e Allahut qysh në moshë të re me ndihmën e babait tim. Kështu i mësova rregullat e texhvidit, teorikisht dhe praktikisht. Në moshën 7 vjeçare i mësova pesë xhuza të Kuranit, në xhaminë afër shtëpisë sonë, kurse në moshën 12 vjeçare e mësova tërë Kuranin përmendsh.

Kam pasur shumë vështirësi, së bashku me babanë tim, gjatë mësimit dhe memorizimit  të Kuranit, veçanërisht pasi që në atë kohë nuk kishte Kuran me alfabetin Braj.

Babai im ma mësoi mësimin përmendësh të Kuranit me metodën e mësimit me zë të lartë dhe përsëritjes. Ka ndodhur që të qëndronim me orë të tëra, duke e dëgjuar shejhun Muhamed Menshavi, i cili e lexonte Kuranin, kurse fëmijët e përsërisnin pas tij.

Dëshira ime është që të bëhem një nga lexueset e Kuranit të cilët e lexojnë dhe praktikojnë Kuranin në jetë, dhe të jem e dobishme për fenë time dhe për vendin tim.

Dëshiroj të theksoj se invaliditeti nuk është pengesë, dhe unë krenohem me invaliditetin tim, sepse ai më ka bërë person me vendosmëri të madhe dhe me vullnet, që mund t’i lëvizë kodrat.

Ky është mesazhi im për njerëzit me invaliditet, që të besojnë në Zotin, pastaj në veten e tyre, në familjen e tyre dhe në njerëzit përreth tyre, në mënyrë që t’i përmbushin dëshirat dhe ambiciet e tyre. (Islampress.ch)

Përkthim: Miftar Ajdini