Shkuarja në amshim të profesorit të madh Fikret Karčić

859

“Këto fjali po i shkruaj me dhimbje dhe pikëllim të madh për të ndjerin prof. dr Fikret Karčić. Publiku ynë shkencor dhe akademik, i Bosnje-Hercegovinës dhe Evropës, ka humbur ekspertin më të mirë në fushën e shkencave juridike dhe sheriato-juridike, si dhe studimeve krahasuese juridike dhe historisë së të drejtës. Prof. dr Fikret Karčić ishte i shkëlqyer në këto dhe disiplina të ngjashme.

Që kur ishte si nxënës i Medresesë së Gazi Husrev-beut fliste arabisht dhe anglisht. Kujtojmë se si atëherë, në Fakultetin Filozofik në Sarajevë, para profesorit Sulejman Grozdanić, ai e kaloi shkëlqyeshëm provimin e gjuhës arabe për udhërrëfyesin ekspert për vizitorët shkencorë arabë në Ballkanin Perëndimor dhe Jugosllavi.

Prof. dr Fikret Karčić u diplomua me notat më të larta nga studimet për drejtësi në universitetet e Sarajevës dhe Beogradit, nga studimet universitare deri në studimet postdiplomike të magjistraturës dhe doktoraturës. Përveç në Fakultetin Teologjik Islam, Fakultetin e Shkencave Islame dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës, prof. dr Fikret Karčić ka dhënë mësim në disa universitete nga Malajzia deri në Evropë e Amerikë, është pritur me kënaqësi dhe është mirëpritur si profesor universitar i drejtësisë dhe si poliglot, i ka mbajtur rrjedhshëm ligjëratat në anglisht, arabisht dhe turqisht. Ka marrë pjesë në simpoziume eminente botërore për të Drejtën e sheriatit dhe reformën e tij në shoqëritë moderne gati pesëdhjetë herë. Disa institucione të larta qeveritare në Evropë kanë kërkuar ndihmën shkencore të prof. dr Fikret Karčić në aspektin e qasjeve moderne në studimin e të Drejtës së sheriatit.

Fakulteti i Teologjisë Islame, gjegjësisht Fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë do t’i mbetet në borxh të përhershëm Prof. dr Fikret Karčićit për themelet moderne të studimeve fetaro-juridike. Gjithashtu, nuk duhet harruar asnjëherë se, nëpërmjet reputacionit të prof. dr Fikret Karčić, Fakulteti i Shkencave Islame është bërë i njohur gjerësisht në Evropë dhe në botë.

Na vjen keq për largimin e parakohshëm të prof. dr Fikret Karčić. Dhjetëra libra, studime, diskutime shkencore dhe ese të tij mbeten në boshnjakisht, anglisht, turqisht, gjermanisht, arabisht… – të gjitha për t’i studiuar të rinjtë. Me dhimbje të thellë, por edhe me krenari dua të them këtë: “Prof. dr Fikret Karčić për shumë prej nesh ishte (shpesh i paarritshëm!) shëmbëlltyrë në shkencë, studim dhe sjellje në jetë. Sidomos në seriozitetin me të cilin ai iu afrua në punët dhe detyrat e tij mësimore, akademike dhe pedagogjike.

Mbetet për t’u mbajtur mend guximi dhe rregullsia e tij njerëzore dhe profesoriale. Për shumë prej nesh, ajo mund dhe duhet të jetë ende një pikë orientimi.

Mëshirë pastë shpirti i tij i bukur.”

Enes Karić

(Me propozim të akademikut Enes Karić, përkthyer nga studenti i të ndjerit: Azmir Jusufi)