Shkup, mbahet ceremonia qendrore me rastin e fushatës “Java e Jetimit”

1106

Nën organizimin e Shoqatës Humanitare Kalliri i Mirësisë dhe me mbështetje të Fondacionit Humanitar IHH nga Turqia, sot në Shkup u organizua ceremonia qendrore me rastin e fushatës “Java e Jetimit”.

Në ceremoni, ku jetimët lexuan poezi dhe kënduan ilahi, morën pjesë anëtari i bordit drejtues të IHH-së, Osman Atalay, drejtori i Fondacionit Maarif të Turqisë për Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu, kryetari i shoqatës Kalliri i Mirësisë, Rufat Sherifi, përfaqësues të IHH-së, shumë jetimë nga vendet e Ballkanit, të afërm të tyre dhe përfaqësues të shoqatave që kujdesen për jetimët.

Në një prononcim për AA, Atalay tha se IHH ofron ndihmë në fushën arsimore, sociale dhe kulturore për rreth 95.000 jetimë në 53 vende të botës.

Atalay vuri theksin në rëndësinë e mbrojtjes dhe mbështetjes së fëmijëve jetimë.

“Ne i japim shumë rëndësi të qenit pranë tyre, teksa i përgatisim për të vazhduar jetën. Është detyrë e të gjithë ne t’i mbështesim në veçanti për të ardhmen, e posaçërisht është detyrë e organizatave të shoqërisë civile. Kjo është arsyeja pse ne sot gjendemi këtu”, theksoi Atalay.

Ai tha se në kuadër të “Javës së Jetimit”, tubohen jetimë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe rajoni i Sanxhakut.

“Këta fëmijë shëtitën këtu për tri ditë. I vizituan vendet turistike në Maqedoninë e Veriut, u zbavitën dhe u takuan me njëri-tjetrin, në veçanti me shokë nga vendet e tjera të Ballkanit. Kjo është një gjë e mirë”, deklaroi Atalay, duke shtuar se programet e tilla duhet të vazhdojnë çdo vit.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës Kalliri i Mirësisë, Sherifi, tha se programi “Java e Jetimit” këtë vit organizohet për herë të shtatë me radhë, ndërsa shtoi se IHH është sponsori gjeneral i këtij aktiviteti.

Sipas tij, qëllimi i kësaj fushate është që jetimët të bashkohen, të njihen, të komunikojnë dhe të socializohen mes vete.

“Po ashtu, insiston që edhe popullatën dhe shoqërinë tonë ta sensibilizojë për nevojat, kërkesat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen fëmijët jetimë. Nga ana tjetër, insisiton edhe t’i shfaqë aftësitë dhe kreativitetet e jetimëve”, tha Sherifi.

Ai njoftoi se këtë vit, organizata ka siguruar laptopë për 220 jetimë, ndërsa shtoi se synimi i këtyre dhuratave është të jepet kontribut më i madh në arsimimin e fëmijëve, të forcohet komunikimi i tyre me botën dhe të përfitojnë nga mundësitë e internetit.

Ndryshe, në kuadër të “Javës së Jetimit” midis datave 10 dhe 13 tetor, fëmijët patën mundësi të marrin pjesë në aktivitete të shumta kulturore, arsimore dhe zbavitëse dhe të socializohen.