Çka duhet të bëj, që t’i afrohem Xhennetit, e t’i largohem Xhehennemit?!

1456

Vëllezër të dashur, xhemat i respektuar!

Tirmidhiu në Sunenin e tij regjistron se Pejgamberi (savs) ka thënë:

“Unë jam i dashuri i Allahut, nuk po lavdërohem, unë jam bartës i Flamurit të falënderimit në Ditën e gjykimit, nën të cilin do të qëndrojë Ademi (a.s.) dhe të gjithë pejgamberët, nuk po lavdërohem, unë jam i pari që do të bëj shefat dhe i pari të cilit do t’i pranohet ndërmjetësimi te Zoti i botëve, nuk po lavdërohem, unë jam i pari i cili do t’i hapë dyert e xhenetit dhe me mua do të jenë pasuesit e mi të varfër, nuk po lavdërohem, unë jam më i zgjedhuri nga të gjithë njerëzit në Tokë, nuk po lavdërohem.”

Muhamedi (savs), është dërguar si mëshirë për botët. Me këtë mëshirë, botët janë nderuar në muajin rebiul-evvel. Ne tash gjendemi në këtë muaj, nga akshami i ditës së hënë. Ky muaj, është muaji i lindjes së Pejgamberit (savs) dhe rasti që ta kujtojmë këtë begati të pamatshme, të cilën Allahu i Plotfuqishëm ia dhuroi njerëzimit. Me atë që solli Pejgamberi (savs) ne duhet ta fisnikërojmë vetveten, duhet ta bëjmë më të lumtur jetën në Tokë, si dhe të përgatitemi, që bashkë me të të jemi prej atyre që do të banojnë në xhenet.

Ai erdhi si bartës i Flamurit të falënderimit ( لِوَاءُ الْحَمْدِ ). Përveç që e bartë Flamurin e falënderimit, ai neve edhe na mëson se si të qëndrojmë nën atë flamur, dhe vetveten ta regjistrojmë në grupin e atyre që do të jenë falënderues ndaj Zotit të botëve. Ai na ka thënë: “Për të qenë falënderues (i kënaqur) me gjërat e dynjasë, me pasurinë, me pronat, me arritjet – shikoni ata që janë më poshtë se ju, pra, kur të bini në dëshpërim, shikoni përreth vetes dhe do të shihni se ka njerëz të cilët e kanë edhe më vështirë, dhe nga kjo do të nxirrni kënaqësi. Ndërsa në gjërat e fesë, (Pejgamberi savs na mëson) gjithmonë shikoni ata që janë përpara, ata që janë më të mirë se ju, duke garuar me ta, në gjurmën e mesazhit kuranor, i cili urdhëron: “Garoni në të mira!”

Rebiul-eveli është muaji në të cilin do ta shënojmë ditën e lindjes së Pejgamberit (savs). Ky shënim i ditëlindjes së Pejgamberit (savs) ka për qëllim që ajo me të cilën ai ka ardhë ta shënojë jetën tonë. Të gjitha pakënaqësitë mes nesh, të gjitha dëshpërimet dhe pakënaqësitë janë kryesisht, për shkak të mirave kalimtare të kësaj bote. Pejgamberi (savs) na këshillon: “Kur je i pakënaqur me atë që ke, p.sh. shko në spitalin e qytetit – në repartin e Onkologjisë, dhe do të kthehesh në shtëpi i lumtur.” Me fjalë të tjera, Pejgamberi (savs) thotë, gjithmonë në gjërat e dynjasë shikoni ata që janë më poshtë, ata që kanë më pak, që janë në gjendje më të vështirë, në mënyrë që të qëndroni nën Flamurin e falënderimit, të cilin do ta barti unë, kurse në gjërat e fesë, këtu garoni me ata që janë më të mirë se ju, sepse besimtari, pasuesi i vërtetë i Pejgamberit (savs), ai është i fiksuar me nevojën që çdokund dhe gjithmonë të garojë në të mirë.

Vëllezër të dashur!

Në këtë muaj, rebiul-evvel, Allahu i Plotfuqishëm e ka nderuar njerëzimin me një njeri, shefati (ndërmjetësimi) i të cilit në Ditën e gjykimit do të jetë i pranuar, në këtë nuk ka dyshim. Allahu i Plotfuqishëm, Pejgamberin (savs) me këtë nder që quhet shefat, e ka nderuar në Miraxh. Kjo është dhurata e Miraxhit për të dhe për pasuesit e tij.

Allahu i Plotfuqishëm na porosit: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i falë të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.” (ez-Zumer, 53) Sikur thotë: Ju që keni bërë mëkat ndaj vetes, e mëkati është zullum ndaj vetvetes. “Me të vërtetë, të bërit shok Allahut, është zullum i madh.” (Lukman, 13)

Çka duhet të marrim ne nga shënimi i ditëlindjes së Pejgamberit (savs), nga ditët e bekuara të muajit rebiul-evvel?! Duhet të marrim mësim, mesazh, i cili do ta shënojë jetën tonë, do të na bëjë neve meritor për shefaatin e Pejgamberit (savs). Pejgamberi (savs) ka thënë: “Të gjithë njerëzit janë mëkatarë, kurse më të mirët ndër ta janë ata që pendohen.” Të cilët janë të vetëdijshëm për mëkatin e tyre dhe për të pendohen. Ata ndryshohen, hapat e tyre i drejtojnë kah ata që janë nën Flamurin e falënderimit, kah grupi i cili do të jetë meritor për shefaatin e Pejgamberit (savs).

Do të ishte mirë për ne, që në këtë muaj rebiul-evvel, posaçërisht ta kujtojmë dhe ta aktualizojmë hadithin, në të cilin Pejgamberi (savs) flet për arsyen e ardhjes së tij, dhe thotë se kam ardhur që ta edukoj njeriun, që ta përsosi moralin tek njerëzit. Do të ishte mirë që të flasim me vetveten dhe t’i lokalizojmë mëkatet tona, mangësitë, të metat, lëshimet, dhe të ndryshojmë. Pastaj, të ndryshojmë, ta bëjmë një lëvizje të vogël kah shoqëria e cila do të jetë në grup me Pejgamberin (savs). Atëherë kur do t’i lejohet që ai i pari – siç thuhet në mënyrë metaforik- ta kapë dorëzën e derës së xhenetit, dhe me të do të jenë pasuesit e tij besnikë.

Pejgamberi (savs) ka ardhur për të na mësuar neve se si të jemi me të, kur ai do ta udhëheqë atë grup në xhenet, se si të jemi në atë grup.

Muadh ibn Xhebeli (r.a.) e ka pyetur Pejgamberin (savs): O i Dërguari i Allahut, më mëso, më thuaj, çka duhet të bëjë që t’i afrohem xhenetit, e të largohem nga xhehenemi?

A na intereson edhe neve ajo që i interesoi Muadh ibn Xhebelit? Gjithsesi, po! Është e shënuar saktë dhe në mënyrë precize, se çka është përgjigjur Pejgamberi (savs). Ai i ka thënë: “Beso në Allahun dhe mos i shoqëro asgjë, fale namazin, agjëro ramazanin, jepe zekatin, dhe nëse i ke kushtet dhe je në gjendje kryeje haxhillëkun.”

Këto janë shartet e fesë sonë, kushtet, kushtet për tu radhitur në atë grup.

Shehadetin mund ta shqiptojmë të gjithë, ka pasur mundësi edhe mixha i Pejgamberit Ebu Talibi,, por nuk e ka bërë. A do të jetë ai në grupin e Pejgamberit (savs)? Jo, nuk do të jetë! Pavarësisht se është Ebu Talibi, pavarësisht, se është mixha i Pejgamberit (savs), nuk do të hyjë, sepse nuk e ka plotësuar kushtin e parë, shehadetin!

Jemi të obliguar të falemi! A dëshiron të jesh në grupin i cili me Pejgamberin (savs) do të niset për tek dyert e xhenetit. Pejgamberi (savs) thotë, unë jam i pari dhe me mua pasuesit e mi, unë nuk po lavdërohem, kjo është e vërtetë. Namazi është kusht, dhe besimtarët – pasuesit e Pejgamberit (savs) e dinë se kurrë nuk ka arsye për muslimanin e mençur dhe moshërritur për ta lënë namazin, as në udhëtim, as në sëmundje, as ndonjë herë tjetër.

Edhe agjërimi, edhe zekati, edhe haxhillëku.

Pastaj Pejgamberi (savs) e ka pyetur Muadhin: “A dëshiron që të të udhëzoj ty për në derën e çdo të mire, në derën e xhenetit, të cilën do ta hapë unë i pari? Po, dua, o i Dërguari i Allahut! Edhe neve, nëse na pyet, do të thoshim të njëjtën gjë.

Atëherë, Pejgamberi (savs) tha: “Agjërimi është mburojë, sadaka i shlyen mëkatet sikurse uji që e shuan zjarrin, edhe namazi i natës.”

Sikur që Pejgamberi (savs) kur thotë, unë jam i pari për këtë, unë jam i pari për atë, nuk lavdërohet – edhe besimtari nuk lavdërohet me të mirën që bën, gjë që është manifestim themelor i veprave të cilat e çojnë në çdo të mirë. Kjo është cilësia e njeriut i cili me hapa të sigurtë ecë kah dera e çdo të mire. Edhe agjërimi, edhe sadaka, edhe namazi i natës janë vepra, të cilat veti themelore e kanë fshehtësinë. Agjërimi është ibadet i fshehtë, askush nuk mund ta di se a agjëron ti. Sadaka është më e mirë kur është e fshehur, kur nuk reklamon se ke dhënë.  Namazi i natës nuk është që atë ta bësh ngjarje në netët e ramazanit, kurse pas ramazanit të mos shkosh as në sabah! Namazin e natës Pejgamberi (savs) e ka falur në shtëpi, në dhomën e tij. Hz. Aishja thotë se e kam shikuar – aq shumë ka falur namaz nate sa që këmbët i janë ënjtur, dhe nuk është lavdëruar me të.

Besimtari kryen vepra për shkak se dëshiron ta shpëtojë veten, kurse me mënyrën e vet të  jetesës të kontribuojë për lumturinë e njerëzve në Tokë, sepse ky është Islami.

Pastaj, Pejgamberi (savs) e pyeti Muadhin: “O Muadh, a ke dëshirë të të tregoj unë ty se çka është çështja kryesore në jetë (رَأْسُ الْأَمْرِ), çka është themeli dhe çka është kulmi?” Po, dua! “Islami është kryesori.” (Vëllezër: unë besoj se ne e dimë që Islami është mënyrë gjithëpërfshirëse e jetës, e rregullon çdo segment, çdo sferë të jetës sonë në dynja; ka rregull si të hyhet në shtëpi, ka rregull si të flihet, si të hahet, ka rregull si të shkohet në tualet… për çdo gjë ka rregull).

Pastaj, Pejgamberi (savs), ka vazhduar: “Islami e mbizotëron çdo gjë, atë nuk e mbizotëron asgjë.” Nuk ka mënyrë të jetesës, as sistem më të mirë për njeriun, më të rregulluar dhe më të natyrshëm sesa Islami. (…)

A mund të mendoni ju se ne nuk jemi të aftë! Sot në botë ka 1 miliard e 700 milionë muslimanë, dhe ne nuk jemi të aftë t’i tregojmë njerëzimit me mënyrën tonë të jetës, se çka është Islami!

Ne tash në rebiul-evvel flasim, kurse ata që na shikojnë, të cilët i shohin vuajtjet e umetit, ata thonë: “Pasi qenka Islami ashtu i mirë, pse ju nuk jeni mirë !?”

Kjo është kështu, për shkak se ne vetëm e shënojmë ditëlindjen e Pejgamberit (savs), kurse atë që na e ka sjellë, ne e injorojmë, e anashkalojmë, nuk e jetojmë, kurse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Të gjithë pasuesit e mi do të hyjnë në xhenet, përveç atyre që këtë e refuzojnë!” Sahabët i thanë: O i Dërguari i Allahut, kush e refuzon hyrjen në xhenet, a ka dikush? “Po”, tha: “Kush më pason mua, kush e respekton atë që kam sjellë unë, ai do të hyjë në xhenet, ndëesa kush refuzon, ai refuzon të hyjë në xhenet!”

Pejgamberi (savs), dialogun me Muadh ibn Xhebelin e përfundon me pyetjen: “A e din ti, o Muadh, një vepër e cila mund t’i shkatërrojë të gjitha veprat e mira të njeriut, a don ta dish se cila është?” Thuaje, o i Dërguari i Allahut! Pejgamberi (savs) tha: “Gjuha, si asgjë tjetër!”

Andaj, pasiqë ne jemi duke jetuar në kohë të intrigave, do të ishte mirë, që nga ky rebiul-evvel të dalim të vetëdijshëm për hadithin e Pejgamberit (savs): “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë vetëm atë që është mirë, ose le të heshtë!”

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na ndihmojë! Amin!  

Përkthim me përshtatje:[1] Miftar Ajdini

[Islampress.ch]


[1] ) https://akos.ba/sta-treba-da-radim-da-bih-se-priblizio-dzennetu-a-udaljio-od-vatre/