Vogëlushi sirian në kampin e përbaltur: Të kisha biçikletë, do ta ngisja brenda në çadër

696

Um Subuh, nënë e dy fëmijëve nga Idlibi e cila vitin e kaluar e humbi bashkëshortin e saj nga sulmet ajrore pasi ai ishte liruar nga burgjet e regjimit të Bashar al-Assadit, ku kishte qëndruar për gjashtë vite të plota, ankohet se nuk mund të sigurojë ngrohje për fëmijët e saj në çadrën ku aktualisht strehohen për shkak të agresionit në vendlindje.

Vazhdon tragjedia e qindra mijëra civilëve të cilët kanë migruar në linjën kufitare me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë, regjimit të Assadit dhe terroristëve të mbështetur nga Irani.

Familjet që ikin nga vdekja këtë herë luftojnë me motin e ftohtë, shirat dhe baltën në rajonin ku strehohen.

Ata mundohen të vazhdojnë jetesën në çadrat e improvizuara që i kanë vendosur në qytezën Sarmada të Idlibit.

Për të siguruar një mjedis të ngrohtë për fëmijët e tyre, familjet djegin kartona, artikuj prej plastike dhe pantofla që i mbledhin nga plehrat.

Refugjatët shpresojnë përfundimin sa më shpejt të sulmeve, ndërsa jetojnë me ëndrrën se një ditë do të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Nënë, më ngroh, më mbulo”

Um Subuh nga Idlibi tha për AA se bashkëshorti i saj i privuar nga liria nga regjimi i Assadit para gjashtë vitesh, ka humbur jetën nga një sulm i avionit luftarak rus vitin e kaluar.

Ajo tregon se pas vdekjes së bashkëshortit ka migruar, duke potencuar se jetojnë në një çadër të ndjeshme ndaj motit të ftohtë bashkë me djalin pesëvjeçar Subuh dhe foshnjën njëmuajshe e gjysmë Mehe.

Um Subuh thotë se nuk kanë sobë në çadrën ku jetojnë dhe për këtë arsye me fëmijë e tyre qëndrojnë deri në orët e vona të natës në çadrat e të afërmve të tyre.

“Jeta këtu është shumë e vështirë. Çadrat natën janë shumë të ftohta. Natën, kur djali im ka të ftohtë, më thotë ‘nënë, më ngroh, më mbulo’. Qëndrojmë në çadrat e xhaxhallarëve të mi ku mbajnë sanën e dhenve”, u shreh Um Subuh.

Ndërkaq, djali pesëvjeçar, Subuh Kaud, tha po ashtu se nuk kanë sobë në çadrën ku jetojnë.

“Dua biçikletë. Jashtë është baltë, prandaj, nëse do të kem biçikletë, nuk do të luaj jashtë. Do të luaj brenda çadrës”, tha ai.

“Të flesh në një vend të nxehtë është vetëm ëndërr për ne”

Një tjetër refugjat, Ebu Abdullah, i cili bashkë me familjen e tij ka ikur në Maarrat al-Numan nga sulmet e regjimit dhe mbështetësve të tij në Hama, e më pas në linjën kufitare, përjeton ditë të vështira.

“Për të mbrojtur familjen time nga i ftohti, në një legen metalik po djegim pantofla dhe najlon. Çadra mbushet me tym. Dera është gjithmonë e hapur që të dalë tymi. Fëmijët e prekur nga tymi në mëngjes zgjohen me kollë me sekrecione. Nuk mund të arrijmë deri te shitësi i bukës për shkak të rrugës me baltë. Kemi mall për ujë” 615-544-0699 , shpjegoi ai.

Situata në Idlib

Gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.

Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit të kaluar në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.

Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.

Rusia, regjimi dhe terroristët që i mbështesin që shënjestrojnë Idlibin, vetëm që nga fillimi i vitit 2019 kanë shkaktuar migrimin e rreth 1.300.000 civilëve në afërsi të kufirit me Turqinë.