Rreziku nga grindjet rreth çështjeve magjinale të fesë

700

Muhamed el-Gazali

Unë kam qenë dëshmitar i një grindjeje të ashpër midis dy grupeve të njerëzve:

(1) njëri grup mendonte se ai që falet pas imamit duhet të shqiptojë ‘AMIN’ me zë të ulët, kurse (2) grupi tjetër mendonte se duhet ta bëjnë me zë të lartë.

Ata në fund sugjeruan që unë të gjykoja mes tyre.

Unë u përgjigja: Thënia e fjalës ‘AMIN’ është lutje, kurse më e rëndësishmja është që përmes saj të arrihet përulësia dhe shpresa për falje. Nuk ka rëndësi nëse pulsi fillon të punojë më shumë dhe zëri ngrihet apo ulet nëse njeriu ndjen përulje ndaj Krijuesit të Cilit i drejtohet.

Një nga dëgjuesit me sy të ndritshëm tha: – Ne nuk kuptuam asgjë!

Unë i thashë: – Po, ju nuk jeni në gjendje ta kuptoni. Ju dëshironi ta dëgjoni një përgjigje që do ta kënaqë shejtanin inatçi, i cili me fryrjen e tij i hedh vaj zjarrit në këtë grindje të ashpër, dhe bën që ju me armiqësi t’ia ktheni shpinën njëri-tjetrit.

Nëse është e nevojshme, nga pikëpamja e së drejtës islame, që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, atëherë dijeni se shqiptimi i fjalës ‘AMIN’ me zë të ulët, i përket njërit medhheb, ndërsa shqiptimi me zë të lartë i përket medhhebit tjetër. Të dy medhhebet e kanë bazën e tyre dhe për të dy do të ketë shpërblim, me vullnetin e Zotit.

Kur ata u larguan, unë u ndjeva më lehtë që u larguan. Por, në të njëjtën kohë, unë ndjeva se këta njerëz kishin shumë nevojë për një edukues me përvojë, i cili do t’i nxirrte ata nga largësia e vrazhdë e shpirtit të ibadetit dhe edukimit moral të namazit, në nivele më të larta të njohjes së mësimit islam.

Shembulli i këtij konflikti të mendimeve të fikhut është vetëm një nga dhjetëra të tjerë, të cilët sjellin fatkeqësi të rëndë dhe mbjellin konfuzion, e dobësojnë moralin dhe i shkëpusin lidhjet e tyre, dhe mu ato, forcimin e të cilave e urdhëron Allahu.

Këto grindje rreth çështjeve margjinale të fesë janë sikurse bakteret, për të cilat mësojmë nga librat e mjekësisë, të cilët thonë: ‘Mikrobi’ i një sëmundjeje të caktuar, i zmadhuar për 1000 herë! Ky zmadhim mund të kuptohet, por, çfarë qëllimi ka ekzagjerimi i mendimeve të dijetarëve të caktuar, duke i paraqitur ato si të vërteta të mëdha të fesë?

Rezultatet e kuptimeve të tilla kanë qenë fatale për komunitetin tonë, pasi që kjo fryrje me paramendim ka mbuluar shumë hapësira dhe ka preokupuar shumë njerëz, ndërsa ka qenë shumë më i nevojshëm morali, pa të cilin nuk ka prosperitet për një popull.

Dhe, në vend se shumica të merret me vlera siç janë: ndershmëria, besnikëria, përgjegjësia, turpi …, ajo është marrë me atë që, sipas tyre, është më e vlefshme dhe për të cilën do të merr shpërblim më të madh te Zoti.

Megjithatë, kjo është thjesht vetëm imagjinatë e shkretë, sepse, kur nuk ka moral, ka hipokrizi, çrregullim dhe, në fund, zhdukje e mbarë njerëzimit.

Mendoj se nxitja e fanatizmit të medhhebeve është një plan i hartuar me dinakëri, me të cilin dëshirohet të thyhet tehu i kritikëve të politikës shtetërore, dhe, me të, të përsëriten gabimet, të cilat dikur, shtetin islam e kanë çuar në shkatërrim.

Duket se ai plan ende është duke u zbatuar!!!

Përkthim: Miftar Ajdini

(islampress)