Fetahu: BFI do të ketë qëndrim të barabartë për të gjitha mediat

703

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, sot mbajti takimin e parë me gazetarët pas emërimit të tij në këtë detyrë, raporton Anadolu Agency (AA).

Fetahu, duke potencuar se takimi i sotëm nuk është thjesht një takim që mbahet për shkak të mirësjelljes, por përkundrazi, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut sinqerisht çmon rrolin e mediave në shoqëri.

“Institucioni ynë ndien obligim fetarë, moral dhe ligjor që t’i respektojë rregullat e transparencës dhe në çdo moment dhe në çdo rast t’u mundësojë informacione burimore përfaqësuesve të mediave”, theksoi Fetahu.

Duke u mbështetur në transparencë të plotë, siç tha Fetahu, ky institucion gjithmonë ka pasur dhe do të ketë një qëndrim të barabartë ndaj të gjitha mediave, vendase apo të huaja.

Duke theksuar se jetojmë në një vend multikulturor dhe multietnik, Fetahu tha se kjo është një dhuratë nga Zoti, jo një e metë.

Ai gjithashtu nënvizoi se për BFI-në, gjuha të cilën e fol gazetari, si dhe përkatësia e tij kombëtare dhe fetare, nuk do të jenë prioritet.

“Ne gjithashtu dëshirojmë që të dëgjohet zëri ynë për çdo padrejtësi, fenomen negativ ose proces që ne mendojmë se dëmton plotësisht jetën tonë”, tha Fetahu.

I pyetur nga gazetarët lidhur me koronavirusin e ri (COVID-19), Fetahu tha se sëmundja është e vërtetë sepse të gjitha autoritetet kompetente në gjithë botën kanë konfirmuar se sëmundja ekziston dhe është shumë e rrezikshme.

“Ne si Bashkësi Fetare Islame kemi hyrë në luftën kundër kësaj sëmundje me fjalët “Frikë jo, por kujdes të madh kundër kësaj sëmundjeje”, tha Fetahu, ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së, duke u bërë thirrje qytetarëve që të jenë edhe më seriozë dhe t’i përmbahen masave të përcaktuara nga autoritetet kompetente.

Kujtojmë se më 27 maj, Rijaseti i BFI-së në Maqedoninë e Veriut mbajti një seancë të jashtëzakonshme në të cilën vendosi të shkarkojë ish-kryetarin Sulejman Rexhepi, dhe caktoi Myftiun e Gostivarit, Hafiz Shaqir Fetahun, si ushtrues të detyrës së kryetarit për të përgatitur kushtet për zgjedhejn e kryetarit të ri.