Amira Hafner Al Jabaji
Atë që e pa dhe e dëgjoi publiku i emisionit “Arena”, të SRF-it, më 21.01.2021, sa i përket iniciativës së mbulimit, një gjë e tillë ishte e pritur. Një Saida Keller-Messahli që bërtet gjithnjë e më tepër dhe kundërshton disa herë vetveten, e cila si një buldozer i dalë nga kontrolli bën rrafsh me tokën gjithçka që i del përpara si argument. Se ajo nuk është e moderuar, kjo është më se e qartë. Ajo ka lëshuar rrugën e arsyes dhe të argumenteve dhe në vitet e fundit ajo vetëm se po radikalizohet më shumë. Përhapjen e ideologjive të saja e ndihmojnë edhe shtëpi të mëdha të mediumeve zvicerane. Televizioni SRF e fton në vazhdimësi muslimanen ekstreme dhe i mundëson përhapjen e parullave për urrejtje, supozime paushalle dhe deklarata të pa argumentuara. Ajo nuk duket se ka gatishmëri të debatojë në formë të kultivuar, të argumentuar dhe me tonalitet dinjitoz. Bie në sy se ajo ftohet në programet e SRF mbi mesatarisht, në proporcion me tjerët. Me vite ajo jep mesazhet e saja, që si duket i shkojnë për shtati audiencës. Akuzat, brutaliteti gjuhësor dhe shembja e kulturës së debatit: ajo që diku tjetër identifikohet si helm për demokracinë dhe mirëqenien shoqërore, tek ne bëhet e pranueshme.
Arena luan kartën e polemikës dhe pajtohet me faktin që shumë personalitete relevante muslimane në Zvicër, të cilët angazhohen tashmë me dekada për mirëkuptimin ndërfetar dhe kanë pikëpamje tejet të diferencuar mbi çështjen e mbulimit, kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre. Disa të tjerë as që janë ftuar në program. Te gjeneratat e reja muslimane, të cilët janë mirë të shkolluar, bile edhe në grada akademike, dëgjojmë se besimi dhe vullneti i mirë ndaj SRF-së ka humbur që nga raportimi mbi iniciativën kundër minares në vitin 2009. Mirëpo, organizatat muslimane, në kohën e iniciativës No-Billag (kunder TV-së shteterorë), nuk qëndruan indiferente. Ato u deklaruan publikisht se mbështesin SRF/SRG. Por programe tjera të SRF, e jo ato nga departamenti i TV News (Lajmeve), duket të kishin qenë vendimtare për këte. Mirepo ato që ndikojnë, gjë që në koncesion është formuluar si “orientime të besuara në shtet dhe shoqëri” si dhe si angazhim për “promovim të mirëkuptimit dhe shkëmbimit midis kulturave, feve dhe grupeve në shoqëri”, janë programet me shikueshmëri të madhe, si Arena, CLUB dhe lajmet e SRF-it. Mos prezenca gjithnjë e më shumtë e muslimanëve në diskursin mediatik, duhet të na shqetësojë të gjithëve, ngase kjo ka pasoja për tërë shoqërinë. Kjo dukuri i shmang gjeneratat e reja dhe të afta muslimane që të angazhohen publikisht, ngase ata nuk ndjehen më të sigurt në ruajtjen e integritetit dhe paprekshmërisë (pacenueshmërisë) së dinjitetit të tyre. Ajo i jep shtytje ndërtimit të mendimit të njëanshëm dhe ndihmon largimin (izolimin) e tyre, nga i cili mund të burojë procesi i radikalizimit.
Do të jetë cinike kur, për një dukuri, në një TV Show të radhës do të shohim “aktivisten për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, Saida Keller – Mesahli, të na shpjegojë se cilat ajete (versete) kuranore janë përgjegjëse për të.
1 shkurt 2021
Përktheu nga gjermanishtja:
Bekim Alimi