Agjëruesit më të mirë!

868

Agjëruesit më të mirë janë ata që më së shumti e madhërojnë Allahun gjatë ramazanit

Paraardhësit tanë të mirë kanë thënë: “Ramazani nuk zgjat shumë, është i shkurtër, andaj  dhe nuk e duron neglizhencën. Ramazani në raport me njëmbëdhjetë muajt e tjerë,është sikurse Jusufi (a.s.),në mesin e njëmbëdhjetë vëllezërve të tij. Andaj mos e mbytni, mos e hidhni në pus dhe mos e shitni për diçka të pavlefshme! Përkundrazi, bëhuni fisnikë dhe bëjani ramazanit qëndrimin të këndshëm tek ju, sepse mund të jetë i dobishëm, ose do të ndërmjetësojë për ju në Ditën e Gjykimit.”

Abdullah ibn Mesudi (r.a.), kur është pyetur: “Si e keni pritur ju (sahabët) ramazanin?” Ai ka thënë: “Askush nga ne nuk do të guxonte ta priste ramazanin, e që në zemrën e tij të kishte edhe një grimë të urrejtjes ndaj vëllait musliman.” (Ibn Rexheb, Letaiful-me’arif)

Kur është pyetur një dijetar musliman: “Çka po na këshillon me rastin e hyrjes së ramazanit?”Ai është përgjigjur: “Shumë istigfar dhe kërkim falje nga Allahu, sepse mëkatet janë pengesë për udhëzimin. Askush nuk do ta lidhë zemrën e tij me istigfar, e që të mos e pastrojë atë nga mëkatet. Istigfari është siguri dhe garanci nga ndëshkimi i Allahut, pas Pejgamberit (savs), siç thuhet në ajetin kuranor:“Allahu nuk i ndëshkon ata, derisa ti je në mesin e tyre; dhe Allahu nuk i ndëshkon, nëse ata kërkojnë falje.” (el-Enfal, 33)

Ibn Kethiri ka thënë:“Kush e posedon këtë cilësi, Allahu ia lehtëson atij rrugën deri te furnizimi, ia lehtëson punët e tij dhe ia ruan forcën.”

Duke e përshkruar ramazanin e bekuar, Ibnul-Xhevzi, ka thënë:“Nuk ka asnjë lutje që nuk do të pranohet, nuk ka asnjë vepër të mirë që nuk do të pranohet, nuk ka asnjë e mirë (mirësi)që nuk do të tubohet dhe realizohet, dhe nuk ka asnjë dëmtim që nuk do të evitohet.”

Ibnul-Kajjim el-Xhevzije ka thënë:“Agjëruesit më të mirë janë ata që më së shumti bëjnë dhikër dhe e lavdërojnë Allahun gjatë agjërimit të ramazanit.”(Vabilus-sajb)

Imam Muxhahidi ka thënë: “Kush ruhet nga dy cilësi, agjërimi i tij do të jetë i drejtë dhe i bekuar: Nga thashethemet dhe nga gënjeshtra.”

Përkthim: Miftar Ajdini