Pejgamberi a.s. ishte njeriu më bujar në Ramazan

889

Abdullah bin Abasi, nipi i Pejgamberit salallahu alejhi ve selem tregon dhe thotë:”Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ishte njeriu më dorëdhënë. Ndërsa në ramazan, për çdo natë kur takohej me Xhibrilin për përsëritje të Kuranit ishte akoma edhe më dorëdhënë…”

Këtë hadith e shënon Buhariu në Sahih, hadithi numër 5.

Muhadithi i madh i hanefive, imam Ajniu në librin e tij 25 vëllimësh me titull “Umdetu’l-Karij” shënon se prej këtij hadithi nxirren këto mësime:

1. Ky hadith motivon për bujari dhe bamirësi të vazhdueshme, madje (motivon) për një dozë pak më të shtuar (të bujarisë) gjatë ramazanit si dhe gjatë takimeve me njerëz të mirë (salihinë).

2. Nxit në vizitën e njerëzve me vlera dhe atyre të mirëve (salihinë), ndejën me ta si dhe mbajtjen e lidhjeve dhe shpeshtimin e këtyre vizitave, kuptohet nëse kjo gjë nuk i pengon mikpritësit.

3. Në ramazan preferohet (mustehab) të shtohet edhe më shumë leximi i Kuranit.

4. Në ramazan preferohet (mustehab) studimi i Kuranit si dhe studimi i diturive tjera fetare…

5. Leximi i Kuranit është më me vlerë se tespihët dhe dhikret tjera. Kjo, ngase po të ishte dhikri më i vlefshëm sesa vetë leximi i Kuranit ose baraz me të, atëherë Pejgamberi dhe Xhibrili do të kishin bërë dhikër vazhdimisht ose herë pas here edhe pse takimet e tyre ishin të shpeshta…

Umdetu’l-Karij, vol. I, fq. 76-77, hadithi 5.

Hazir Selmani