Ramazani paraqet një mundësi, nxitoni drejt Xhennetit

819

Është e nevojshme që besimtari, si në agjërim ashtu edhe në jetën e përditshme të tij të ngadhnjejë, sepse Ramazani, sikurse edhe jeta paraqet lojë, ndërsa Allahu i Madhërishëm na jep mundësi si ta përdorim forcën dhe energjinë në këtë lojë të madhe.

Burimi: islambosna

Në çdo profesion dhe punë, ekziston sezoni në të cilin njeriu punon më aktivisht dhe përpiqet të bëjë sa më shumë që të jetë e mundur. Për shembull fermerët, më së shumti e shfrytëzojnë pranverën, nëse nuk përfitojnë nga mbjellja pranverore, do të dështojë i gjithë viti. I tillë është rasti me studentët, afatet e provimeve janë disa herë në vit, dhe vetëm studentët e zellshëm dhe të vetëdijshëm do t’i shfrytëzojnë afatet e provimeve në mënyrën më të mirë.

Ramazani është stina dhe mundësia më e frytshme e çdo besimtari, çdo Ramazan, çdo ditë, çdo orë e Ramazanit është vetëm një rast në jetë, nëse besimtari e humb atë rast nga neglizhenca, nuk do t’i kthehet më. Ramazani është si jeta, sikur hëna e re që na kujton, lindjen e hënës, hënën e plotë dhe mandej dalë ngadalë, pak nga pak, ditë pas dite, na kujton largimin nga kjo botë. Agjëruesi i sinqertë shpreson në Bajramin. Besimtari i cili ka jetuar midis frikës dhe shpresës, mirësive dhe sprovave, lotëve dhe buzëqeshjeve, mund të shpresojë dhe ta presë agimin e Bajramit të mbushur përplot gëzim.

Është e nevojshme që besimtari, si në agjërim ashtu edhe në jetën e përditshme të tij të ngadhnjejë, sepse Ramazani, sikurse edhe jeta paraqet lojë, ndërsa Allahu i Madhërishëm na jep mundësi si ta përdorim forcën dhe energjinë në këtë lojë të madhe. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” [EL-XHUMU‘A, 10]

Në ajetin e tjetër thotë:

“Thuaj: ‘Udhëtoni nëpër botë e shihni çfarë dënimi kanë marrë ata që përgënjeshtronin të dërguarit.’” [EL-EN‘ÂM, 11]  

Ka shumë ajete kur’anore në të cilat Allahu i Plotfuqishëm lejon, madje kërkon prej besimtarëve të ndërmarrin diçka, sikur udhëtimi – sīrū; shpërndarja – fenteshirū dhe të ngjashme. Por, në ajetet në të cilat ai flet për rrugën drejt Allahut, i Plotfuqishmi përdor terma të tjerë:

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” [ÂL ‘IMRÂN, 133]

Në ajetin tjetër thotë:

“Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.” [EL-HADÎD, 21]

Dhe si kulminacion, Allahu i Plotfuqishëm në formën më të theksuar, thotë:

“Andaj, ikni prej dënimit drejt shpërblimit të Allahut, se unë vërtet që jam dërguar te ju prej Tij, si paralajmërues i qartë!” [EDH-DHÂRIJÂT, 50]

Prandaj, duke i ndjekur udhëzimet e Tij, në jetë, dhe veçanërisht gjatë muajit Ramazan, muajin e faljes, dhe çlirimit nga zjarri, besimtari duhet të ngutet ta shpeshtojë dhikrin, të lexojë Kur’an, të falë namaz të natës, të jep sadaka…

Në radhë të e parë e përmendim dhikrin sepse ajo është pronë e fukarave dhe miskinëve, të angazhuar me punë për ekzistencë, sepse edhe kur nuk mund të falim namaz nate, dhe kur nuk mund të lexojmë Kur’an dhe të shpërndajmë sadaka, mund të bëjmë dhikër, me shpirt dhe mendje ta kujtojmë Allahun dhe mirësitë e Tij.


Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]