Kush ishte Hoxha Efendija i Tetovës, Mulla Mahmud ef. Asllani?

1500

“Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit a.s.). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.” (Sure Fatir: 32)

Dje, në pasditen e së hënës, më 21.06.2021, ka ndërruar jetë mualimi i njohur nga Tetova, Mulla Mahmud ef. Asllani, i cili me dekada ta tëra ka përgatitur qindra hafizë të Kuranit, dhe jo vetëm kaq, por te ai kanë ndjekur mësimin-besimin edhe me mijëra të tjerë talebe, që kanë përfunduar hatmenë sherifë tek ai.

Por, kush ishte Hoxha Efendija i Tetovës?

Mulla Mahmud ef. Asllani u lind më 15.03.1932 në fshatin Çiflik të Tetovës. Mësimet e para fetare do t’i merr në mektebin e fshatit, te Mulla Beqir efendiu. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fshehurazi ka vijuar mësimet në fshatin Merovë te Mulla Tahiri, ku tre vite do të udhëtojë në Merovë, për të mësuar rregullat elementare të sarfit dhe nahvit.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, në vitin 1954, do të punësohet si imam në fshatin Novo Sellë ku do të shërbejë 9 vite. Ndërkohë, do të arrijë ta merr edhe provimin për imam, ku kryetar i komisionit do të jetë, Haxhi Bedri ef. Hamidi-kryetar i atëhershëm i Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

Pasi i mbushi 40 vjet, gjegjësisht në vitin 1972, do të punësohet në Xhaminë e Larme (Pashës) dhe deri në fund të jetës do të shërbejë në këtë xhami si muallim dhe muhafiz. Vlen të përmendet se puna e tij ka hasur në vështirësi dhe pengesa, të cilave mualimi në fjalë u ka bërë ballë me dinjitet, derisa ato u bënë realitet.

Hafizët të cilët kanë mësuar te ai arrinë numrin 200. Shumica e hafizëve që kanë përfunduar te ai kanë vazhduar në Medresenë “Isa Beu” dhe në Medresenë Furkan të Sirisë dhe pas përfundimit të medresesë kanë vazhduar studimet në vende të ndryshme siç janë: Shkup, Kosovë, Bosnjë, Turqi, Siri, Jordani, Egjipt, Arabinë Saudite, Kuvait, Irak etj..

Një numër bukur i madh i tyre kanë diplomuar në universitetet e ndryshme islame. Disa prej tyre edhe kanë magjistruar dhe doktoruar. Shumica prej tyre aktualisht punojnë si profesor në universitete, imam, mualim, myezin dhe në shërbime tjera fetare në Tetovë dhe rrethinë, dhe jashta saj (Kosovë, Turqi etj.).

Në vitin 2012, Organizata botërore për mësimin e Kur’anit përmendësh, me seli në Xhidde të Arabisë Saudite, e shpalli hoxhën nga Tetova si “mualim më të mirë në botë”.

Pas kthimit nga Arabia Saudite me çmimin e fituar, mulla Mahmud ef. Asllani konsiderohej si simbol i suksesit të Xhamisë së Larme në Tetovë, pasi thuhet se në duart e tij hifzin e kanë kryer afër 200 hafizë, ndërsa leximin e Kur’anit e kanë mësuar me mijëra nxënës.

Pas një sëmundje të shkurtër, ai vdes më 21.06.2021.

All-llahu e mëshiroftë shpirtin e tij dhe e gradoftë me Xhennetin Firdeus! Amin!

(Islampress.ch)