Rrethimi i Qabes: ç’ndodhi në fundvitin ’79 në Mekë

1566

Ishte mëngjesi i datës 20 Nëntor 1979, kur Qabja (Mesxhid Al-Haram) në Mekë, vendi më i shenjtë i botës islame, u sulmua dhe u mor peng nga disidentët ekstremistë në një nga ngjarjet me spektakolare, më kontroverse dhe pa dyshim më të censuruara të historisë moderne islame.

Grupi disident, i udhëhequr nga Juhaiman al-Otajbi, deklaroi se Mehdiu kishte ardhur në formën e njërit prej liderëve të tyre, Mohammed Abdullah al-Qahtani, dhe u bëri thirrje muslimanëve që t’i bindeshin atij.

Marrja peng e Qabes tronditi botën islame edhe për faktin se me qindra pelegrinë që ndodhedhin aty për haxh u morën peng. Me qindra militantë, forca të sigurisë dhe pengje u vranë gjatë asaj beteje të ashpër për të kontrolluar vendin e shenjtë.

Zhvillimi i ngjarjeve

Në mëngjesin e datës 20 nëntor 1979, imami i Xhamisë së Madhe (Qabes) Mohammed al-Subail, po bëhej gati’u printe në namaz pesëdhjetë mijë pelegrinëve që ishin mbledhur për t’u falur.

Ishte ora 5 e mëngjesit kur ai u ndërpre nga kryengritësit, të cilët kishin qenë të armatosur poshtë rrobave të tyre. Ata i mbyllën dyert me zinxhirë dhe vranë dy policë të cilët ishtin të pajisur vetëm me shkopinj gome. Një pjesë e armatimeve ishte futur në xhami me anë të arkivoleve që të mos binin në sy.

Në foto: anëtarë të grupit të Juhaimanit pas kapjes

Mendohet se numri i rebelëve ka qenë rreth 500, duke i shtuar kësaj edhe katër deri në pesë qind të tjerë; gra dhe fëmijë që i ishin bashkuar lëvizjes së al-Otajbit.

Deri në orët e mbrëmjes pothuajse e gjithë zona përreth Qabes ishte evakuuar pasi rebelët shtinin me armë nga minaret e xhamisë. Turki bin Faisal Al-Saud (në atë kohë kreu i shërbimit serkret saudit) u caktua që të zinte pozicionet disa qindra metra larg Qabes.

Megjithatë, hapi i parë ishte që të merrej miratimi i ulemave, të cilët në atë kohë kryesoheshin nga Abdul Aziz bin Baz. Islami ndalon çdo lloj forme dhunë në Qabe, prandaj plani nuk mund të vihej në zbatim pa një verdikt fetar (fetva).

Bin Bazi e gjeti vetën në një situatë të sikletshme pasi al-Otajbi kishte qenë ish-nxënës i tij në Medinë përpara se t’i dilte kundër. Pavarësisht kësaj, dijetarët lëshuan një fetva që lejonte të përdorej forca vdekjeprurëse për ta rimarrë Qaben.

Me dhëniet e verdiktit fetar, forcat saudite nisën një sulm ballor në tre nga portat kryesore. Por sulmi u zbraps nga rebelët.

Të gjendur në këtë situatë të vështirë, sauditët thirrën në ndihmë një njësi elitare pakistaneze të quajtur “Rahbar”, e cila ishte nën komandën e Pervez Musharaf.

Në mes të ditës, trupat saudite u hodhen nga helikopteri në qendër të xhamisë, por u neutralizuan nga kryengritësit, të cilët kishin pozicione më të favorshme. Pas kësaj përpjekjeje të dështuar, komandot pakistaneze zgjodhën një taktikë që i zuri krej të papërgatitur rebelët. Ata hodhën ujë nëpër të gjithë dyshemenë e xhamisë, përshirë minaret.

Kjo i hutoi rebelët, të cilët nuk ditën si të reagonin dhe as nuk e kishin idenë se çfarë do të ndodhte më  pas. Pasi e gjithë dyshemeja e Qabes u mbush me ujë, forcat komando pakistaneze i futën energji elektrike ujit. Kjo i detyroi kryengritësit që t’i braktisnin pozicionet e tyre që të shpëtonin nga korenti.

Në ato momente, komandot pakistaneze u hodhën nga helikopteri në zona të ndryshme të xhamisë ku arritën me lehtësi të neutralizonin e të kapnin shumë prej kryengritësve.

Më datë 27 nëntor, pjesa më e madhe e xhamisë ishte rimarrë nga Garda Kombëtare Saudite dhe ushtria, pavarësisht humbjeve të mëdha gjatë sulmit.

Megjithatë, në katakombet poshtë xhamisë, disa militantë vazhdonin të bënin rezistencë. Gazi lotësjellës u përdor për t’i detyruar të dilnin. Disa nga krerët e tyre arritën të iknin. Ditë më pas pati të shtëna sporadike në pjesë të tjera të qytetit në përpjëkje për t’i kapur.

Beteja për marrjen e Qabes zgjati rreth dy javë. Zyrtarisht rreth 255 vetë humbën jetën, përfshirë pelegrinë, trupa ushtarake dhe rebelë dhe rreth 560 u plagosën, donëse disa diplomatë pohojnë se numri i të vrarëve ishte më i lartë se sa është deklaruar. Të rënët në rradhët e ushtrisë ishin 127 vetë dhe 451 të plagosur.

Çfarë ndodhi më pas?

Lideri i rebelëve, Juhaimani, së bashku me 67 meshkuj të tjerë të mbijetuar mendohet se janë gjykuar në fshehtësi e më pas janë dënuar publikisht me prerje koke në sheshet e disa qyteteve saudite. Ndërsa 23 gra dhe fëmijë që i ishin bashkuar lëvizjes u dërguan në qendra për të rinj.

Ideologjia e kryengritësve

Juhaiman al-Otajbi ishte lindur më 16 shtator të vitit 1936 në provincën e Kasimit në Arabinë Saudite. Shumë prej familjarëve të tij kishin luftuar në Revoltën e Ikhuanëve në vitin 1929 kundër mbretit Ibn Saud.

Në foto: Juhaiman al-Otaybi, kreu i rebelëve që sulmuan Qaben

Al-Otajbi ishte një predikues, ish-pjesëtar i Gardës Kombëtare Saudite dhe një ish-nxënës i dijetarit të njohur saudit Abdul Aziz bin Baz, i cili më pas do të bëhej dhe Muftiu i Madh i Saudisë.

Juhaiman dhe al-Qahtani kishin arritur të krijonin një grup të quajtur “Al-Xhama’a Al-Salafiyya Al-Muhtasiba”. Menjëherë pasi e mori drejtimin e gupit, Juhaimani iu fut aktiviteteve politike duke e zgjeruar grupin më shumë. Ai rekrutoi të rinjë nga e gjithë Arabia Saudite.

Al-Otajbi u kthye kundër mësimeve të ish-mësuesit të tij, Bin Bazit, dhe filloi të bënte thirrje për kthimin në rrugën e “vërtetë islame”. Refuzonte totalisht perëndimin. Ishte kundër edukimit të femrave dhe kërkonte largimin e jo muslimanëve nga vendi.

Ai shpalli se udhëheqja e dinastisë Al-Saud e kishte humbur legjitimitetin pasi ishte e korruptuar dhe se kishte shkatërruar kulturën saudite duke ndjekur politika agresive pro-perëndimore.

Al-Otajbi ishte njohur me Qahtanin gjatë kohës kur ishin në burg. Gjatë kësaj kohe al-Otajbi pohoi se kishte pasur një vision ku Zoti i thoshte se Qahtani ishte Mehdiu.

Objektivi i tyre i deklaruar ishte të krijonin një teokraci në pritje të fundit të botës. Shumë prej ndjekësve të tyre kishin lënë studimet ose ishin përjashtuar nga Universiteti Islamik i Medines. Ndërsa disa nga pasuesit e tjerë ishin nga Egjipti, Jemeni, Kuvajti dhe Iraku, përshirë dhe disa sudanezë.

Ata e përhapën mesazhin e tyre në disa xhami të Saudisë por pa u arrestuar, pasi qeveria fillimisht ngurronte të merrej me ta.

Disa dijetarë sauditë ia kishin tërhequr verejtjen Al-Otajbit dhe Qahtanit për bindjet e tyre, por pa u marrë shumë më ta pasi fillimisht nuk shiheshin si kërcënim.

Për shkak të donacioneve nga anëtarë të pasur, grupi arriti të armatosej dhe të trajnohej mirë. Madje, mendohet se disa gardistë simpatizantë u kishin siguruar armë, municione, maska kundragaz dhe furnizime me ushqime dhe i kishin futur në Qabe për  disa javë rresht para sulmit, në mënyrë që të mos binin në sy.

Gjithashtu, ideologjia e tyre ishte e frymëzuar edhe nga tekfirizmi i Khauarixhëve, grupit të parë që bëri kryengritje në Islam. Shumë i ngjashëm me atë që sot e njohim si “Shteti Islamik” (ISIS), i cili pretendon se ka një kalif në mesin e vet. Një pretendim që është hedhur poshtë nga dijetarët me të njohur të botës islame.

Përgatiti Enes Neza – /tesheshi.com/