Kush përgatitet për stuhinë, ai mund të flejë i qetë gjatë saj

352

Thuhet se një fermer kishte një fermë në afërsi të bregut të detit dhe shpesh shprehte ‎nevojën e tij për punëtorë, por shumica e njerëzve nuk donin ta pranonin punën në bregdet, ‎sepse kishin frikë nga stuhia, e cila shpesh shpërthente dhe i shkatërronte ndërtesat dhe të ‎mbjellat.‎ Për këtë arsye, pronari i fermës, sa herë që bisedonte me punëtorët potencialë, në fund ‎përballej me refuzimin e tyre.

Në një rast iu afrua një njeriu me moshë mesatare, të dobët dhe ‎e pyeti: “A ke përvojë në punët bujqësore, dhe a kishe punuar në fermën time?” ‎

Njeriu u përgjigj: “Unë i di mirë punët bujqësore dhe ato rreth bagëtive, por duhet të dish se unë fle gjatë kohës së stuhisë!”

Edhe pse pronari i fermës ishte i hutuar nga kjo përgjigje, u detyrua ta pranonte atë si ‎punëtor, pasiqë të gjithë të tjerët e refuzuan ofertën. Megjithëse fizikisht i dobët dhe i thatë, ‎njeriu punonte me përkushtim në fermë nga agimi deri në perëndim të diellit dhe pronari ishte ‎plotësisht i kënaqur me punën e tij.‎

Një natë, fryri erë e fortë në breg të detit dhe sinjalizoi një stuhi. Pronari i fermës kërceu nga ‎shtrati, mori baterinë dhe vrapoi në dhomën ku flinte punëtori i tij. E trazoi, duke i bërtitur: ‎‎“Zgjohu, po vjen stuhia, duhet t’i mbyllësh të gjitha dhe ta përgatitësh fermën për stuhinë!”

Njeriu u kthye kah ai dhe i tha me vendosmëri: “Jo, zotëri, unë ju kam thënë juve se unë fle gjatë kohës së stuhisë!”

Pronari i fermës u zemërua shumë nga reagimi njeriut dhe pothuajse nuk plasi nga inati, por ‎në vend se të humbas kohë, ai me shpejtësi doli nga shtëpia në mënyrë që të përgatitej për ‎stuhinë.‎

Mirëpo, për habinë e tij të madhe, ai zbuloi se të gjitha stallat ishin të mbuluara me një ‎mbulesë të veçantë, në dyer ishin vendosur kunjat e hekurt, dhe të gjitha dritaret ishin të ‎mbyllura dhe të mbrojtura. Atëherë pronari i fermës e kuptoi se çka do të thotë të ketë punëtor ‎të mirë dhe të besueshëm në fermë. Më pas edhe ai, gjithashtu, u kthye në shtratin e tij për të ‎vazhduar gjumin derisa frynë era. Pra, punëtori në fermë ka mundur të flejë pa gajle, pasiqë e ‎kishte siguruar mirë fermën.‎

Kështu, edhe ne mund të sigurohemi nga stuhitë e jetës, duke e lidhur jetën dhe zemrën tonë ‎me fuqinë e fjalës së Allahut dhe udhëzimin e Tij. Nëse përgatitemi mirë, atëherë nuk kemi ‎pse të frikësohemi. Prandaj, le ta pyesim veten, a mund të flemë të qetë, derisa erërat e ‎stuhisë së jetës na fryjnë rreth nesh?

Përkthim: Miftar Ajdini