Çfarë janë pasojat kur e humbim mbrojtjen e Allahut?

510

Një njeri që nuk i ruan kufijtë të cilët i ka vendosur Allahu i Plotfuqishëm, as atë Allahu nuk do ta ruajë, kurse atë që nuk e ruan Allahu i Plotfuqishëm, në këtë botë do të ketë jetë të vështirë, të keqe dhe do të jetë i pafat, kurse në botën tjetër do ta presë zjarri:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” (Ta-Ha, 124)

Historia është e mbushur me shembuj të tillë:

– Faraoni zotëronte Egjiptin dhe të gjitha burimet e tij natyrore, lumenjtë dhe frutat, por, nuk është kujdesur për kufijtë e përcaktuar nga Allahu i Plotfuqishëm, andaj edhe Allahu i Plotfuqishëm nuk e ruajti atë. E fundosi bashkë me njerëzit e tij në det:

(25) Sa kopshte e kroje kanë lënë!

(26) Edhe ara të mbjella e vende të bukura.

(27) dhe sa të mira që i kanë përjetuar.

(28) Ja, ashtu atë ua lëmë në trashëgim një populli tjetër.

(29) Për ta nuk qau as qielli e as toka dhe atyre nuk iu dha afat. (ed-Duhan, 25-29)

– Karunit, Allahu i Plotfuqishëm, i dhuroi aq shumë pasuri sa që një person nuk mund ta imagjinojë, por ai nuk u kujdes për ndalesat e përcaktuara nga Allahu, dhe nuk e dëgjoi këshillën e atyre që e këshilluan, por tha: “Kjo më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!” (el Kasas, 78)

Ai bëri arrogancë dhe ishte kokëfortë në mosbesimin e tij, andaj si përfundim Allahu i Plotfuqishëm e shafiti brenda në tokë bashkë me pallatin e tij. Ai e humbi edhe këtë botë edhe botën tjetër. A nuk është kjo humbje e dukshme?

– Gjatë kohës së dinastisë Abasite, në kohën e halifatit të Harun Reshidit kanë ekzistuar vezirët (ministrat) të cilat quheshin Bermekij. Allahu i Plotfuqishëm ju dhuroi atyre pasuri të pamasë, ari dhe argjend, pallatet e tyre u ndërtuan me ngjyra të ndryshme. Një historian madje raporton se disa nga pallatet e tyre ishin edhe të praruar me ari. Por ata nuk iu bindën urdhrave të Allahut, në pallatet e tyre ata bënin mëkate; me muzikë, verë, dëfrime, humbje kohe, e braktisën namazin, andaj dhe i dënoi Ai i Cili i di të gjitha sekretet. Ai i cili e shtyn por të Cilit nuk i shpëton asgjë, Ai i Cili kur për diçka thotë: “Bëhu”, ajo bëhet. I lavdëruar qoftë Ai, sa i fuqishëm që është! Nuk ka zot tjetër përveç Tij, sa Madhështor që është! Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, sa i Lartëmadhërishëm që është!

Të gjithë këta vezirë u vranë për një ditë. Allahu i Plotfuqishëm ua dërgoi atyre njeriun më të dashur, Harun Reshidin, i cili më parë ishte mik i tyre. Një mëngjes u zemërua me ta, dhe para dite të gjithë të rinjtë e tyre i preu me shpatë, kurse pleqtë i futi në burg. Djemtë e tyre i punësoi si punëtorë në miniera, kurse gratë i vendosi në arrest shtëpiak. Vajtim dhe lot në çdo hap!

– Jahja bin Halid el-Bermeki është pyetur pas kësaj: “Pse i humbët pozicionet tuaja, pse ju kaploi varfëria pas gjithë atij bollëku? Pas arit, argjendit dhe mëndafshit?”

Ai duke qarë u përgjigj: “Për shkak të lutjes së dikujt që i kemi bërë zullum. Është dërguar në natën e errët, ne asaj nuk i kushtuam rëndësi, por Allahu e pranoi.”

– Ali bin Husein (r.a.) është pyetur: “Çka është ajo që njeriun më së shpeshti e rrëzon nga froni në pluhur?” Ai u përgjigj: “Lutja e pranuar e atij që i është bërë padrejtësi.”

Ai nuk tha: nevojitet kaq dhe kaq kohë, as nuk ka përmendur diçka tjetër përveç lutjes së pranuar, të cilën Allahu u Plotfuqishëm e ngre mbi retë, dhe kur ajo lutje arrin tek Ai, thotë: “Pasha fuqinë dhe madhërinë Time me siguri Unë herëdo – kurdo do të ndihmojë.”

Me besnikëri transmetohet se Pejgamberi (savs) i ka thënë Muadhit (r.a.): “Ruajuni nga lutja e atij të cilit i është bërë zullum, sepse midis saj dhe Allahut nuk ka perde.”

– Harun Reshidi e futi në burg edhe babanë e tyre, i cili në burg i kaloi 7 vjet. Thonjtë dhe mustaqet i ishin rritur, nuk kishte me çka t’i priste thonjtë, e as gërshërë për t’i shkurtuar mustaqet. Nuk kishte me çka ta pastronte gojën, në një vend merrte abdest dhe qante, nevojën fiziologjike e kryente në vendin ku flinte, pasi që pat jetuar në begati, në luks, në mëndafsh dhe kadife …

“Pallatet i ndërtuan në kodrat më të larta, kurse jetën e tyre ua ruanin ushtarët e fortë. Nga pallatet e larta u vendosën në varreza, sa vende të tmerrshme janë ato ku ata zbritën!” “Allahu është ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 64)

Kush tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm, menaxhon gjithçka? Në duart e kujt janë çelësat çdo gjëje? Janë te Allahu i Plotfuqishëm, Një dhe i Vetëm! Lartësuar qoftë, Ai që i jep pushtet atij që dëshiron dhe ia heq pushtetin atij që dëshiron, që e ndihmon atë që dëshiron dhe e poshtëron atë që dëshiron.

El-Kahiri, një halif i dinastisë Abasite, kishte thënë: “Do të grumbulloj shumë pasuri dhe do ta ruaj për ditët e zeza!” Pastaj e kishte hapur një gropë në tokë dhe e kishte mbushur me ar dhe argjend. Ai nuk u mbështet në Allahun e Plotfuqishëm, por u tha bijve të tij: “Mos kini frikë nga varfëria. Unë e kam mbushur këtë gropë me pasuri për ju, aq sa, nëse u shpërndahet të gjithë banorëve të Bagdadit, do tu mjaftojë.”

Mirëpo, çka i ndodhi atij, pasi që u tregua i shurdhër ndaj urdhrave të Allahut?

Ai u hoq nga pushteti, u verbua, pasuria e tij u plaçkit dhe iu dorëzua halifit, i cili e zuri vendin e tij. Në xhaminë e Madhe në Bagdad, ai ngrihej pas namazit dhe thoshte: “O robër të Allahut, më jepni nga ajo që Allahu i Plotfuqishëm ju ka furnizuar.”

Vetëm shikoni se si ka dështuar pasi që u rebelua kundër Allahut të Plotfuqishëm!

“Me të vërtetë, për të gjitha këto ka këshillë për atë që ka mend ose që dëgjon, e që është i përqendruar.” (Kaf, 37)

Dr Aid Qarni; akos.ba;

Përshtati: Miftar Ajdini