Mëkatet ‘e vogla’ me pasoja të mëdha

2564

Allahu i Plotfuqishëm i do ata që i binden Atij, kurse i përçmon ata që nuk i binden Atij. Pejgamberi (savs), ka thënë: “Allahu është xheloz, dhe xhelozia e Tij lind kur një besimtar e vepron atë që Ai ia ka ndaluar.” (Buhariu)

Mëkatet njeriut i shkaktojnë dëm të madh dhe lënë pasoja shumë të këqija tek ai. Ato i ngjajnë helmit i cili e dëmton trupin e njeriut dhe e shkatërron indin e tij. Ekzistojnë shumë lloje të mëkatit, prej atyre që e nxjerrin nga Islami dhe e çojnë në mosbesim, nëpër ato që numërohen si mëkate të mëdha, por nuk e nxjerrin nga Islami, e deri tek ato që janë nën atë nivel. Disa prej atyre mëkateve në dukje janë shumë ‘të vogla’, njeriu mund t’i kryejë brenda një kohe shumë të shkurtër, me pak mund dhe pak përpjekje, mirëpo, dënimi i cili është premtuar për to, është shumë i madh, dhe kryerësin e tyre shumë lehtë mund ta hedhin në zjarrin e xhehenemit.

Gjuha është njëri nga mjetet kryesore, me të cilin kryhet ky lloj i mëkatit.

Këtu po i numërojmë disa prej tyre:

(1) – Lutja e dikujt tjetër përveç Allahut, qofshin idhuj apo persona të vdekur:

“Kush është më i humbur se ata, të cilët, pos Allahut, u luten atyre të cilët nuk mund t’u përgjigjen deri në Ditën e Kiametit, e ata janë të pakujdesshëm ndaj lutjes së tyre.” (el-Ahkaf, 5);

(2) – Tallja dhe përçmimi i Islamit dhe gjërave të tij të shenjta:

“Thuaj: “A mos vallë me Allahut, e versetet e Tij dhe Pejgamberin e Tij po talleni?” – Mos u arsyetohuni! Se, ju, mohuat fenë, pasi që patët besuar.” (et-Tevbe, 65-66);

(3) – Angazhimi (marrja) me magji dhe sihir:

Pejgamberi (savs), ka thënë:  “Nuk na përket neve ai që merret me sihir, dhe as ai në emrin e të cilit bëhet sihiri.” (Bezzari);

(4) – Parashikimi i fatit:

Allahu i Madhëruar i ka bërë të panjohura detajet e fatit dhe përcaktimin e Tij, madje edhe për melekët e Tij: “Thuaj: “Askush, pos Allahut, as në qiell as në Tokë nuk di sekretet, ata nuk dinë se kur do të ringjallen.” (En-Neml, 65)

Kush beson se e vërteta është ajo që në çfarëdo mënyre e profetizojnë magjistarët, profetët dhe sharlatanët e ngjashëm, ai ka tradhtuar dhe ka bërë kufër. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush shkon te magjistari dhe beson në atë që i thotë, ai ka mohuar atë që i është shpallë Muhamedit.” (Ebu Davudi)

Nëse njeriu arrin të shpëtojë nga këto mëkate, që janë aq të lehta dhe të thjeshta për t’u kryer dhe të cilat e nxjerrin nga feja, shejtani shpesh e shtyn që të kryejë mëkate të tjera, që nuk janë në nivelin e mosbesimit, por që gjithashtu janë shumë të rrezikshme. Edhe këtu, përsëri, gjuha është mjeti kryesor me të cilin njeriu e shkatërron vetveten. Këtu, para së gjithash, bën pjesë fyerja dhe përçmimi i një vëllai musliman, si dhe përgojimi i tij, që numërohet si mëkat i madh. Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur, e juve kjo u është e neveritshme!” (el-Huxhurat, 12)

Gjithashtu, këtu përfshihet sharja e muslimanëve, mallkimi i tyre, fyerja e tyre, shpifja për mëkate ose për mosbesim, thënia e gënjeshtrave për t’i tallur të tjerët, shpika e ëndrrave dhe tregimi tek të tjerët me pretendim se vërtetë ka ëndërruar diçka të tillë, kërkimi i ndihmës materiale nga dikush tjetër pa ndonjë nevojë të madhe, përgjimi i bisedave të të tjerëve, duke ditur se ata nuk janë të kënaqur me të, etj.

Dr. Abdulmuhsin el-Kasim;

Përkthim: Miftar Ajdini