Interpretuesi i njohur i ilahive me origjinë nga Shkupi, Mesut Kurtish tha se një artist nuk mund të jetë i suksesshëm vetëm me aftësinë që posedon, por edhe me një plan dhe ekip. Ai thekson se “Suksesi vjen si rezultat i durimit dhe përpjekjes së jashtëzakonshme”.
Kurtish duke vlerësuar punimet e tij për Anadolu Agency (AA) tha se që nga mosha shumë e re ka pasur interesim për artin, muzikën dhe melodinë.
Ai rikujton se në fillim të viteve 90-ta gjatë periudhës kur ka qenë në shkollë fillore dhe të mesme ka qenë anëtar dhe solist i Grupit të Ilahive të Shkupit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjatë edukimit të tij në Medresenë e Isa Beut në Shkup ka marrë pjesë në shumë programe dhe organizime si solist i korit të medresesë.
Gjatë periudhës së luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë me Grupin e Ilahive në Shkup kanë nxjerrur dy albume amatorë, shpjegon Kurtish duke theksuar se: “Të gjitha këto përvoja që i kemi jetuar pas kësaj në një farë mënyre mund të themi se na përgatiti në të ardhmen”.
Ai tregon se me kompaninë “Awakening” është njoftuar gjatë studimeve në Universitetin “Lampeter” në Britani të Madhe në fushën e Shkencave Islame, duke theksuar se qëllimi i tyre me miqtë e tij nga kjo kompani është që të promovojnë kulturën islame tek të rinjtë muslimanë në vendet evropiane si dhe ndaj popullatës lokale.
Kurtish, në albumin e parë të tij në vitin 2004 të quajtur “Salavat” ka interpretuar vepra në 3 gjuhë. “Në këtë punim kemi vepra të folklorit turk. Gjithashtu kemi edhe vepra të cilat i përkasin kulturës arabe, të rajonit të Damaskut, folklorit të Indisë. Një ndër veprat më të rëndësishme ishte Kaside-i Burde. Është një ode e njohur e shkruar nga Imam Busiri, me të cilën fituam popullaritet”, u shpreh Kurtish.
Interpretuesi i ilahive shpjegon se pas albumit “Salavat” në vitin 2009 ka nxjerrë albumin “I dashur”. në vitin 2014 “Tabassam” dhe “Balaghal Ula” në vitin 2019, duke shtuar se për të përcjellë atmosferën tradicionale dhe shpirtërore veprat i kanë kryer me instrumente natyrore në vend të atyre elektronike.

Në këte drejtim ai tregon se kanë punuar me artistin Raef që jeton në Washington, grupin e muzikës “Inteam” nga Malajzia, Malek Noor me origjinë nga Siria, poeti me origjinë nga Jemeni, Ahmed Al-Yafie, artisti me origjinë nga Libia, Ali Magrebi. Kurtish tha se për disa vepra të albumit Balagul Ula kanë inçizuar vidoe-klipe në qytetet Zaghouan dhe Kairouan të Tunizisë.
“Hapja në botë nga Shkupi i shtoi vlera të jashtëzakonshme personalitetit tim”
Kurtish tregoi se gjatë jetës së tij profesionale ka pasur mundësinë për të punuar me shumë artistë nga Turqia, të cilën e cilëson si atdhe. “Kemi pasur një projekt të përbashkët me Mustafa Ceceli, aranzhuesi i ‘Roudhi Fidak’ (turqisht e njohur me emrin Aşkınla yansın özüm). Gjithashtu kemi punuar me aranzhuesin tjetër të rëndësishëm Emre Moğulkoç”, tha ai.
Në aspektin e veprave klasike, ai tha se ka shkëmbyer ide me Mustafa Demirci dhe Fatih Koca.
Ai vuri në dukje se muslimanët kanë përkatësi të ndryshme etnike dhe prandaj ilahitë e tij i ka interpretuar në gjuhën turke, angleze dhe arabe ndërsa në albumin e tij të fundit edhe në gjuhën urdu.
“Hapja në botë nga Shkupi dhe vizita në vendet e ndryshme i shtoi vlera të jashtëzakonshme personalitetit tim”, u shpreh Kurtish.
“Një ngjarje që më befasoi më së shumti ishte se me vëllain tim të nderuar Maher Zain, para shumë vitesh morëm pjesë në një festival në Singapor. Thanë ‘se do të mblidhen shumë njerëz’. Ishte një organizim cilësor. Kishte një pjesëmarrje prej 6-7 mijë personash. Shokët tanë theksuan se ’40 për qind të pjesëmarrësve janë kinezë’. Domethënë ata vetëm për ta njohur më mirë kulturën tonë, për të perceptuar më mirë muzikën tonë kanë ardhur në koncertin tonë. Kjo ishte mjaftë interesante për mua”, tregon ai.
Kurtish vuri në dukje se në vitet 2004-2006 kur nuk ka pasur rrjete sociale ka pasur probleme në lidhje me interpretimin e arteve. Ai thotë se pasi me miqtë e tij nga kompania “Awakening” janë takuar për qëllime të njëjta, pas vitit 2006 kanë patur mundësinë që punën e tyre ta kryejnë në shumë vende të botës.
“Suksesi vjen si rezultat i durimit dhe përpjekjes së jashtëzakonshme”
Ai tërhoqi vëmendjen se në rajon nuk ka ndonjë projekt që do të hapë rrugën e të rinjve në ushtrimin e artit, ndërsa nëpërmjet rrjeteve sociale të rinjtë kanë mundësi më të lehta për ta bërë punë në nivel ndërkombëtar. “E di dhe e shoh se në tokat ku jetoj ka të rinj tepër të talentuar. Sepse unë dola nga këto toka dhe e ushtroj artin. Jemi duke jetuar mes kulturave të ndryshme”, tha Kurtish.
Ai theksoi se në periudhën e fundit çdo njeri mund të ofrojë veprën e tij nëpërmjet Youtube, Instagram, Facebook, me të cilën mund të arrijë deri tek miliona.
Kurtish i udhëzon të rinjtë duke u treguar se para se të fillojnë të veprojnë, të edukohen dhe të përgatiten, sepse në të kundërtën vetëm me një vepër mund të shkatërrohet gjithë talenti dhe se mund t’iu përfundojë karriera.
“Suksesi vjen si rezultat i durimit dhe përpjekjes së jashtëzakonshme”, u shpreh Kurtish.