Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur. Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni! (El-Hadid, 16-17)
Në këto ajete fisnike, Allahu ua tërheq vëmendjen besimtarëve për rëndësinë e përulësisë dhe përkushtimit si dhe për gjendjen e thellë emocionale që duhet ta ketë besimtari gjatë përmendjes së Allahut dhe leximit të Kuranit.
I paralajmëron që të mos bëhen si ata që drita e besimit ka humbur shkëlqimin në zemra, si ata të cilët feja u është bërë vetëm fjalë goje dhe formalitet, andaj edhe zemra u është ngurtësuar për shkak se kanë harruar Allahun dhe janë lëshuar në mëkate të mëdha dhe pakujdesi.
Islami është fe e jetës, është fe e zemrave të gjalle dhe punëve të mira.
Islami kërkon nga ne që me sinqeritet të plotë ta duam Allahun, pejgamberin e Tij dhe atë çka Ai e ka shpallur.
Islami kërkon nga ne që të mos jemi prej atyre që s’na bëhet vonë kur e përmendim Allahun, kjo fe na mëson që zemrat tona nuk guxojnë të jenë indiferente dhe pa emocione gjatë leximit të Kuranit, por ato duhet të jenë të pastra, të gëzohen dhe të qajnë gjatë leximit të Fjalës Hyjnore.
Megjithatë, për të gjithë ata që janë sprovuar me sëmundjen e zemrës dhe ngurtësinë e saj, Allahu i Madhërishëm na porosit se nuk duhet ta humbim shpresën dhe duhet ta dimë se Ai në të vërtetë i ngjall zemrat ashti siç e ringjall tokën me anë të shiut pasi që ishte e vdekur.
Shiu u mëshirës që lëshohet në zemër vjen në formë të Kuranit dhe mesazheve të tij, vjen në formën e këshillave dhe udhëzimit që fitohet me mëshirën, bereqetin dhe faljen e Allahut.
Është interesante të shohim pak krahasimin e Kuranit dhe ujit, cilat janë ngjashmëritë e tyre, që Allahu ta krahasoj fjalën e Tij me ujin që e lëshon nga retë?
Ligjëruesi i njohur islam Nouman Ali Khan në një fjalim të tij ofron përgjigje për këtë dhe përmend disa ngjashmëri të rëndësishme mes Kuranit dhe ujit:
– Kurani është shpallur nga qielli dhe uji lëshohet nga qielli, Kurani ngjall zemrat e vdekura, ashtu siç uji ngjall tokën e vdekur.
– Uji është i pastër dhe pastron gjërat tjera, ashtu edhe Kurani është i pastër dhe pastron gjithçka tjetër.
– Njerëzit janë të pafuqishëm ta krijojnë ujin, mirëpo janë në gjendje të shërbehen me ato që uji i prodhon në Tokë. Në të njëjtën mënyrë, Kurani nuk është dhe nuk mund të jetë vepër e njeriut, mirëpo ne mund të përfitojmë nga këshillat dhe udhëzimet që na ofron ai.
Burimi: Akos.ba
Përshtati: Arsim Dauti
(Islampress)