Ibnul-Kajjim el-Xhevzije ka thënë:
* Në shpirtin njerëzor banojnë: 1- Krenaria e Iblisit, 2- zilia e Kabilit, 3- mendjemadhësia e popullit të Adit, 4- tirania e popullit të Themudit, 5- paturpësia e Nemrudit, 6- mendjemadhësia e Faraonit, 7- shthurja e Karunit, 8- poshtërsia e Hamanit, 9- pasioni i Bel’amit (njeriu i cili përkundër dijes së madhe që Allahu i kishte dhuruar, ai atë dituri ia nënshtroi pasioneve dhe lakmisë së tij),10- prirja për mashtrime dhe marifete e atyre që mëkatuan për të shtunën,11-kundërshtimi i Velid ibn Mugires, dhe12- injoranca e Ebu Xhehlit.
** Në shpirtin e njeriut, gjithashtu, ka edhe disa tipare dhe cilësi shtazore, siç janë: 1- lakmia e korbit, 2- pangopësia e qenit, 3- moskokëçarja e palloit, 4- poshtërsia dhe përbuzja e zhuzhingës, 5- mosbindja e hardhucës, 6- zemërkeqësia e devesë, 7- guximi i rrëqebullit, 8- agresiviteti i luanit, 9- shthurja e miut, 10- poshtërsia dhe tinëzia e gjarprit, 11- përtacia dhe padobia e majmunit, 12- prirja e milingonës për të grumbulluar pasuri, 13- dinakëria e dhelprës, si dhe 14- intrigat dhe prirja për gjumë dhe përtaci si hiena.
Ai, gjithashtu, ka thënë:
*** Baza e çdo të keqeje kthehet në futjen e inovacioneve në fe dhe ndjekjen e pasioneve.
Namazi i hipokritit është namazi i trupit, jo namazi i zemrës.
Kur dijetari shpreh nevojë për atë që është tek njerëzit, dituria e tij vdes para syve të tij.
Ekzistojnë tri shkallë të raportit me pasurinë:
(1) drejtësia–që e nënkupton tregtinë e lejueshme;
(2) padrejtësia ose zullumi–që e nënkupton marrjen e kamatës, dhe
(3) bamirësia dhe fisnikëria–që nënkupton dhënien e sadakasë.
Përkthim: Miftar Ajdini